Dyshime për pastrim parash, Prokuroria sekuestron 60% të aksioneve të kompanive të Francesco Becchetit

580
Prokuroria e Tiranës sekuestron disa kompani të dyshuara për pastrim parash. Përmes një njoftimi për mediat Prokuroria e Tiranës bën me dije se ka sekuestruar pas lejes së dhënë nga gjykata, “60% të aksioneve të shoqërisë “AgonSet”, shoqëritë “Energji”, “Cable System”, “400KV”, “Fuqi”, si bllokon llogari bankare të tyre në banka të ndryshme, të gjitha të administruara nga shtetasit Francesco Beccheti, Liliana Condomitti, Mauro de Renzis dhe Erjona Troplini”.
Po sipas organit të akuzës, këto kompani janë të dyshuar si të përfshirë në një skemë gjigande pastrimi parash, e cila arrin në miliona euro.
Hetimet nisën në 2014
Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Force, pas një hetimi të nisur në vitin 2014 në bazë të materialit referues nga ana e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ka siguruar deri më tani prova të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm se personat e mësipërm kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, të parashikuar nga nenet 186/2 dhe 287 të Kodit Penal.
Prokuroria zbulon skemën, organizatori Francesco Beccheti
Në bazë të hetimeve të deritanishme të Prokurorisë Tiranë është arritur të krijohet një situatë e qartë mbi mënyrën se si ka funksionuar kjo skemë.
“Prokuroria e Tiranës konsideron si organizator të skemës shtetasin italian Francesco Beccheti, i cili, në bashkëpunim me nënën e tij, shtetasen Liliana Condomitti, kanë qenë të përfshirë në një marrëdhënie financiare konçensionar-kontraktor për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit në Shqipëri. Sipas hetimit, koncensionari “KEG”, i kontrolluar në shumicë aksionesh nga një kompani e Francesco Becchetit, ka kontraktuar për punime kompaninë “Energji”, e kontrolluar në mënyrë absolute nga nëna e tij, Liliana Condomitti. Nëpërmjet manovrave financiare, të shtrira në harkun kohor 2007-2013, dhe të zbuluara tashmë nga hetimi i Prokurorisë, këta dy shtetas kanë përfituar në mënyrë të paligjshme miliona euro, të cilat më pas i kanë investuar në shoqëritë “Cable System”, “400KV” dhe “Fuqi”, të administruara po prej tyre, në bashkëpunim edhe me shtetasit M.R dhe E. T. Ndërsa një pjesë të parave të përfituara nga manovrat financiare i kanë depozituar në disa banka” thuhet ne njoftim.
Po ashtu, rezulton se kompania “Energji”, për të ardhurat që ka përfituar, duhet të paguante detyrimet tatimore. Sipas kontrollit nga Dega e Tatim-Paguesve të Mëdhenj, rezulton se “Energji” duhet t’i paguante shtetit një shumë prej rreth 770 milionë lekë të reja detyrime tatimore, të cilat nuk janë paguar.
Për këtë arsye, Drejtoria e Tatimeve ka urdhëruar bllokimin e llogarive bankare të “Energji” dhe pagesën e detyrimeve nga llogaritë e saj. Për të shmangur tërheqjen automatike të parave në favor të Drejtorisë së Tatimeve në formën e detyrimeve të papaguara, koncensionari “KGE” i ka bërë pagesat për “Energji” nëpërmjet kompanisë “Cable System”, e cila kontrollohej në shumicë absolute nga Liliana Condomitti (nëna e Becchetit).
Këto transferta, të cilat arrijnë në miliona euro, janë lejuar në mënyrë të kundërligjshme nga shtetasja Pranvera Gjika, drejtuese në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri.
Ndërkohë, po vijohet me veprimet e tjera proçeduriale në kuadër të këtij proçedimi penal.
Sigal