Dyshime për dobësimin e euros, akuza e fasonistëve

535
Vlerësohet se ekonomia shqiptare po humbet rreth 14 miliardë lekë nga zhvlerësimi i monedhës evropiane dhe rënia e eksporteve
Eksportuesit janë humbësit e mëdhenj të rënies galopante të euros në tregun tonë valutor, por jo të vetëm. Janë edhe ata që euron e përdorin në jetën e tyre të përditshme. Pak ditë më parë, Qendra Shqiptare e Eksporteve argumentoi se ekonomia jonë po humbet rreth 14 miliardë lekë nga dobësimi i euros. Ndërsa kjo çështje është shndërruar në debatin kryesor të ekonomisë, lidhur me faktorët që po e ndikojnë një situatë të tillë, fasonistët hedhin dyshime për politika të qëllimshme. Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës së Fasonistëve, deklaron se institucionet shtetërore duhet të ndërhyjnë për të mbrojtur shumicën e shqiptarëve, të cilët janë përdorues të euros. “Është rasti tipik, kur shteti duhet të ndërhyjë urgjentisht me politika monetare, pse jo edhe financiare për të mbrojtur shtetasit e vet, që janë përdorues masivë të monedhave të forta. Është rasti të kujtoj që gjysma e kombit shqiptar kanë euron monedhë zyrtare (Kosova). Gjysma e gjysmës tjetër (Shqipëria) është përsëri jashtë si emigrantë në shtete, ku në mos përdoret euro, përdoren monedha të tjera të forta, si dollari, paundi etj”, shprehet Gjika. Kreu i fasonistëve e konsideron të qëllimshme goditjen e euros për të favorizuar persona të caktuar në dëm të shumicës dhe ekonomisë kombëtare. “Me një matematikë të thjeshtë, nga politika monetare e zhvlerësimit artificial të euros dëmtohen direkt 75% e shqiptarëve. Pyetja që shtrohet është: Për 25% të shqiptarëve bëhet kjo politikë? Pastaj pyetja bëhet akoma më e nxehtë: Kush është ky 25%? Personalisht mendoj që është një lojë e rrezikshme (loja me euron), me pasoja shumë të rënda për ekonominë dhe shqiptarët. Problemi i tjetër i madh serioz i kësaj është që ky dëmtim do të jetë i pamundur të rikuperohet për një kohë të shkurtër”, shprehet Gjika. Euro ka zbritur aktualisht nën nivelin e 129 lekëve, ndërsa pritet që rënia të vazhdojë, e ndikuar nga fluksi i valutës që do të sjellin turistët e huaj dhe një pjesë e emigrantëve gjatë sezonit veror.

Sejko: Mos bëni konvertime të eurove nxitur nga kursi
Banka e Shqipërisë ka insistuar se strategjia e saj për stimulimin e përdorimit të monedhës vendase nuk k asnjë efekt psikologjik dhe se agjentët ekonomikë nuk duhet të veprojnë nën panikun e luhatjeve të kursit për të konvertuar eurot në lekë. “Në radhë të parë do i ftoja eksportuesit të vijnë dhe të bashkëbisedojnë me ne për t’i sqaruar mbi efektet që ka jo vetëm strategjia jonë për stimulimin e monedhës vendase por edhe roli dhe forma që po e bëjmë. Letrën e tyre e kemi marrë, por dua të nënvizoj se ne e shohim efektin e kursit të këmbimit në aspektin makroekonomik”, tha Sejko. Sipas tij, niveli i depozitave në euro nuk ka ndryshuar, përkundrazi është rritur. “Nëse ka një shprehje në rënie të këtyre depozitave është nga mbiçmimi i lekut. S’kemi as rënie të depozitave as normave. Strategjia e përdorimit të monedhës vendase kemi vlerësuar të ketë një efekt neutral. Parashikimet janë për një efekt në ulje e pozicioneve të monedhës së huaj 3-5 vite. Nëse kemi një efekt psikologjik vjen nga tregu dhe nga zhurma e krijuar. Kemi flukse të larta hyrëse dhe faktorë fondamentalë që ne i kemi shpjeguar. Nëse kemi një mbiçmim nga faktorët fondamentalë tregon një nivel të ri të ekonomisë. Por nëse kemi një mbiçmim më të lartë se faktorët fondamentalë ne pastaj shohim stabilitetin e çmimeve dhe do reagonim në përputhje me regjimin Po monitorojmë kursin në mënyre ditore duke përcaktuar ecurinë. Jemi në të njëjtat konkluzione. Do u bëja thirrje agjentëve ekonomikë të mos bënin konvertime të nxitur nga oshilacionet e kursit. Çdo ndikim psikologjik ose i faktorëve të ndryshëm është gjithmonë i përkohshëm pra kalimtar”, tha guvernatori Gent Sejko në konferencën për mediat pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës.
Qeveria: Ja shifrat e punësimit në 6 muaj
Zv.ministrja e Financave, Dajna Sorensen, bëri të ditur se në këto 6 muaj, 15 mijë e 642 punëkërkues janë adresuar dhe punësuar nëpërmjet zyrave të punës, shifër kjo 22% më e lartë se një vit më parë. Duke raportuar për sektorin e punësimit, Sorensen tha se punësimi është një nga sektorët prioritarë dhe të rëndësishëm në programin e qeverisë “Rama 2”. Vetëm në këto 6-muaj ne kemi ndërmarrë iniciativa në përmirësimin e shërbimeve të punësimit, atë që i ofrohet qytetarëve në zyrat e shërbimit kombëtar të punësimit. “Në 4 muajt e parë të këtij vitit, 7 400 persona janë punësuar nëpërmjet zyrave të punës, ndërsa do të shpallen së shpejti edhe programe të reja të nxitjes së punësimit, të cilat kanë të bëjnë me programe të specializuara që i adresohen nevojave për punësim të kategorive vulnerabël”, tha zv/ministrja. Një nga reformat më të rëndësishme, theksoi ajo, që ka ndërmarrë qeveria për nxitjen e punësimit ka qenë reforma e ndihmës ekonomike, e cila ka për mesazh kryesor “punësimi përmirëson ekonominë”. Ndërsa programi i arsimit profesional, është një risi tjetër përmes të cilit qeveria i ofron asistencë të gjithë atyre që janë të interesuar të punësohen nëpërmjet qendrave të arsimimit profesional.
Shqipëria, sistem të komplikuar taksash dhe deklarimi
Shqipëria renditet e 14 mes 94 vendeve në botë, për sistemin më të komplikuar të taksave si dhe mënyrat e raportimit financiar, sipas raportit të nga TMF Group. Në një raport të fundit që llogarit Indeksin e Kompleksitetit Financiar 2018 merren në analizë disa tregues që lidhen me taksat në fuqi, deklarimi i tyre elektronik në institucionet përkatëse, procedurat e raportimit financiar dhe kontabilitetit. Renditja që ka Shqipëria mes gjithë shteteve të analizuara tregon se sistemi ynë nuk është aq i thjeshtë për investitorët dhe se konsiderohet kompleks në disa hallka të tij. Perceptimi i nxjerrë në Indeksin e Kompleksitetit Financiar nuk është edhe aq surprizues për aq kohë sa investitorët kanë vënë theksin herë pas here tek thjeshtimi i sistemit të taksave, mosndryshimi shpeshtë i legjislacionit që lidhet me të si dhe konsultimi paraprak i masave që merren nga qeveritë. Edhe Banka Botërore ka theksuar vazhdimisht se qeveria duhet të tregojë qëndrueshmëri në politikat e saj fiskale si dhe të fokusojë vëmendjen tek përmirësimi i klimës së biznesit në mënyrë që të nxisë rritjen e investimeve të huaja direkte. Por si renditen vendet afër nesh në këtë raport. Nga rajoni vetëm Kroacia performon më keq se ne në këtë indeks e renditur e 12 kurse Greqia renditet e 22, Bosnja e 40-ta, Serbia e 47-ta. Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova nuk janë përfshirë në raport. Në vendin e parë si vendi me kompleksitetin më të lartë në aspektin e taksave dhe raportimit është Kina, e ndjekur nga Brazili dhe më pas Turqia. Kurse vendet me sistemin më pak të komplikuar janë ato që njihen si parajsa fiskale që udhëhiqen nga Cayman Islands dhe British Virgin Islands. Raporti është hartuar nga TMF Group dhe është publikuar në muajin prill 2018. Sipas sqarimit që jep grupi ky raport u shpërndahet të paktën 15 mijë klientëve të tyre që janë investitorë në 80 vende të botës.
Sigal