Dy ditë protestë, si lindi konflikti mes UBT-së dhe Bashkisë së Tiranës

981
Sigal

Mëngjesin e djeshëm studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës, u ngritën në protesta kundër një ndërtimi që po bëhej në truallin e fidanishtes apo vreshtës didaktike që përdorej si laborator.

Mirëpo kryetari i bashkisë Erion Veliaj ka hedhur akuza ndaj protestës së organizuar nga pedagogët dhe studentët, që sipas tij janë nxitur nga opozita dhe nuk duan ndërtimin e një shkolle që është aq shumë e nevojshme për banorët e zonës.

Nisja e protestës dhe mungesa e informacionit

Studentë dhe pedagogë treguan se askush nuk i kishte lajmëruar se në fidanishten e universitetit, do të bëhej një ndërtim. Ata janë kapur në befasi kur kanë parë policë që kanë rrethuar zonën dhe nisjen e punimeve pa asnjë tabelë informuese se çfarë po ndodhte.

“Ky territor ka qenë fidanishtja e Universitetit Bujqësor. Dje pamë një aktivitet të çuditshëm me eskavator. Pamë edhe policë. Menduam se policët erdhën për të penguar ndërtimin e paligjshëm.

Por marrim vesh se po ndërtohet një ndërtim, në mënyrë informale morëm vesh se do të bëhet një shkollë por nuk ka tabelë informuese.”, tha dje Jamarbër Malltezi.

Cili është pronar i truallit

Dje pas protestës, kryebashkiaku Erion Veliaj pranoi se po ndërtonte një shkollë të re në vreshtën didaktike të Universitetit të Kamzës, duke treguar se trualli privat është shpronësuar dhe i ka kaluar bashkisë. Madje ai e ka quajtur turp protestën e studentëve dhe pedagogëve.

“Im atë ka kaluar një dekadë në Universitetin Bujqësor. Unë kam kaluar fëmijërinë në vitet ’80! Si u nënshtruan/korruptuan nga 200 ndërtime pa leje e nuk reaguan, qe turp!

Por akoma më turp sot, histeria ndaj shkollës JETIKE për Njësinë 11, në tokë PRIVATE shpronësuar nga Bashkia TiranëTURP!”, shkruan Veliaj.

Nënkryetari i bashkisë, Arbjan Mazniku tha sot në një lidhje telefonike me “News24” se kjo pronë nuk është e universitetit, por ka qenë private dhe tani është shpronësuar nga bashkia.

Sipas tij banorët e kësaj zone janë dakord për të ndërtuar shkollën.“Së pari, ajo zonë ka qenë fidanishte përpara viteve ’90. Kjo tokë i është kthyer pronarit, është truall privat. Do të ndërtohet kampusi dhe pikërisht për këtë logjikë është diskutuar për masterplanin. Nga ana tjetër, banorët e Kodër-Kamzës e duan një shkollë. Çfarë të bëjmë? Të prishim shtëpitë për të ndërtuar shkollë. Unë kam qenë në disa takime. Shkolla nuk e duan që të jetë aty, por duan fidanishte. Do të jetë një shkollë nëntëvjeçare  dhe e mesme, e integruar.

Ajo është nevojë kryesore e asaj zone dhe nuk cenon pjesën e kampusit. Është marrë në pronësi të bashkisë së Tiranës.  Aty kemi një hapësirë që nuk i prish punë masterplanit, ishte tokë private të cilën e kemi shpronësuar. Kampusi do të funksionojë si pjesë e integruar. Plani i zhvillimit të qytetit i le atë zonë me funksion arsimor, dhe është brenda filozofisë. Nuk kemi asnjë konflikt planifikimi.

Ishte private përpara korrikut që shkoi, por sot është një pronë e bashkisë së Tiranës, e cila do t’i jepet banorëve për një shkollë publike, e cila është  shumë të nevojshme. Kjo shkollë do të ndërtohet me PPP.  Shkollën do ta ketë gati deri në 2020.  Unë do të shkojë atje të flasë me studentë, por kemi biseduar gjatë me banorët e zonës  dhe e duan këtë shkollë. Pedagogëve dhe studentëve iu premtojë se  shkolla nuk iu cenon asnjë proces mësimor, por përkundrazi do t’ua kthejë kampusin në hapësirë më miqësore”, tha Mazniku.

Premtimet e Ramës 

Në një prononcim për “FaxNews”, pedagogu Lush Susaj tha sot se toka për të cilën po protestohet ka shërbyer prej më shumë se 40 vitesh si vresht didaktik i Universitetit Bujqësor.

Susaj shprehu rezervat e tij për bashkinë që po kërkon të ndërtojë shkollën në tokën e universitetit. Për më tepër, Susaj tregon se vetë Rama e ka miratuar përfshirjen e vreshtës didaktike në planin e kampusit universitar një vit më parë.

 “Së pari nuk është paralajmëruar nga bashkia e Tiranës. Bashkia nuk ka lajmëruar askënd. Në një ditë të bukur në mëngjes, janë gjend policisë kanë rrethuar vendin pa pyetur askënd. Së dyti unë kam qenë student në vitin 1982-1986.

40 vjet kjo tokë ka qenë vreshtë didaktike. Mësimi zhvillohej në katin e dytë të kësaj godine, 30 metra në vijë ajrore zhvilloheshin praktikat. Përsëri ka qenë në projekt në planin e përgjithshëm të kampusit universitar i miratuar nga kryeministri Edi Rama para një viti, ka qenë dhe është projekt për vreshtë didaktike.

Pra nuk është fidanishte siç thonë limonat e shtrydhur të politikës. Këtu ka qenë vreshtë didaktike, është laborator i UBT-së. Dakord që është pronë private. Askush nuk është kundër pronës private apo mungesës së kompensimit të pronës private apo shkollës.”, tha pedagogu.

Edhe një nga dekanët e UBT-së Maksim Meço, ka pranuar se një pjesë e tokës ku është ngritur fidanishtja e UBT-së ka qënë pronë private, të cilën e ka blerë Bashkia e Tiranës.Por sipas tij, ndërtimi i shkollës bie ndesh me projektet që vetë Universiteti kishte për të modernizuar e zgjeruar fidanishten, projekt që i ishte premtuar nga vetë kryeministri.

“Kryeministri na pati premtuar neve se do t’i blejë këto prona që iu kishte dalë pronari dhe do na i kalonte neve që ta modernizonim fidanishten, por tani mësojmë që ia ka kaluar Bashkisë së Tiranës. Bashkia e Tiranës e ka marrë pronën më 1 Prill”,– sqaroi dekani.

“Po kështu me premtimin e kryetarit të bashkisë që sot bën të paditurin, bën edhe sikur ne jemi turpi, por turpin ta mbajë ai me vete. Realisht na ka përdorur. Unë kam mbjellë një pemë dhe dua të ma fshijë dhe emrin në atë fotografi. Dhe atë palmën që mbolli këtu le ta marrë me vete e ta mbjellë në rrugët e Tiranës, se mund t’i bëjë punë për vota. Por nuk mund të na thojë ne pedagogëve të Universitetit se unë kam 40 vjet këtu, se unë jam turp. Turpin ta mbajë ta hajë me bukë”, tha Maksim Meço.

Pedagogët: Nuk jemi kundër shkollës

Deklaratave të Veliajt i janë përgjigjur pedagogët të cilët janë shprehur se në asnjë mënyrë nuk janë kundër ndërtimit të një shkolle për banorët e zonës. Por duan që ajo të ndërtohet në një truall tjetër dhe vreshta t’i mbetet studentëve, sikurse ka qenë për më shumë se 40 vjet.

“Kryetari i bashkisë na fyen, thotë turp turp. Çfarë turpi të kemi?! Unë po protestoj se është prekur vreshti didaktik. Studentët po protestojnë se është prekur vreshti didaktik, territori. Janë mijëra studentë dhe intelektualë që kanë përfunduar këtu dhe kanë bërë praktikat mësimore këtu.

Çfarë po protestojmë?! Ne s’jemi kundër ndërtimit të shkollës. Por ta ndërtojnë shkollën pak më tutje. Përsëri është tokë e universitetit ajo pjesa sipër e të ndërtojnë shkollë, ka 4 hektarë sipërfaqe. Mund të ndërtohen 5 shkolla atje. Po pse i bien këtu mu në zemër të universitetit?!”, tha pedagogu Susaj i cili shtoi se “Pa vresht didaktik nuk ka universitet bujqësor.