Durrsakët, të pakënaqur nga vendimet e gjyqësorit, 2013-ta thelloi korrupsionin

618
Sigal

Nuk është aspak e habitshme dhe aspak e jashtëzakonshme, pakënaqësia, indinjata madje dhe urrejtja që qytetarët e Durrësit (dhe jo vetëm ata) shprehin për organet e sistemit të drejtësisë dhe veçanërisht gjyqësorin, në këtë fund viti. Realisht viti 2013 ka qenë i mbushur me raste dhe vepra të ndryshme penale, civile dhe të papritura, që duke i vlerësuar për vendimet që ka dhënë gjyqësori, mbetesh i shokuar dhe i ngre vetes  një pyetje. Vallë kështu do të ecë ky vend në rrugën drejt BE, me këtë sistem gjyqësor, me këta  avokatë pazarxhinj që çdo ditë stresojnë dhe terrorizojnë qytetarët? Në Durrës viti 2013 po mbyllet me bilancet më negative se i një viti që shkoi. Gjykata e Faktit dhe ajo e Apelit kanë vendosur në shumicën e rasteve jo mbi bazën e ligjit dhe Kushtetutës, por mbi baza preferenciale e klienteliste. Qytetarët e Durrësit kanë me vite që rropaten në korridoret dhe zyrat e Gjykatës Faktit dhe Apelit për pronat, për drejtësinë e munguar për çështje penale e civile, duke marrë si përgjigje vetëm pazaret e avokatëve dhe ndonjë vendim të kontestueshëm ligjor e moral. Viti 2013 ka thelluar korrupsionin në sistemin e drejtësisë. Qytetarët së fundi kanë nisur denoncimet në media dhe portalin e Ministrisë Drejtësisë, por duket se korrupsioni në organet tona të drejtësisë është ngritur në sistem dhe nuk pyet shumë për cicërimat. “Denonconi pa frikë çdo rast korrupsioni, dhe ne do ta ndjekim”,- deklaroi para disa ditësh kreu i Ministrisë Drejtësisë zoti Naço. Dhe denoncimet e para nisën nga Durrësi dhe gjithë Shqipëria. Njerëzit sikur lehtësoheshin tek denonconin me foto, emra dhe adresa rastet e vendimeve të padrejta, shkeljet ligjore duke besuar akoma se do të ketë ndëshkim për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët e pazareve të pista. Para disa ditësh rastësisht kam takuar me një kolegun tim një fshatar nga Kavaja, i rraskapitur  dhe i mërzitur tek na thoshte se, “kam 3 muaj që nuk po gjej drejtësi për djalin që ma kanë futur në burg sepse një fqinj i im në fshat e denoncoi pa fakte për vjedhjen e nja 2 deleve, ndërkohë që atë ditë që ishte kryer kjo vepër penale djali ishte në Tiranë, dhe jo vetëm kaq por avokati kërkon të shes lopën sepse ndryshe djali mbetet në burg”. Pazare të tilla ndodhin çdo ditë në kafene, zyra dhe skuta mes  hallexhinjve  dhe atyre që përbetohen për drejtësi. Avokatët sot janë kthyer në kumarxhinj të ligjeve, ata luajnë me ligjet si askush tjetër. Lidhjet e tyre nisin nga zyrat e gjykatës e përfundojnë në institucione të tjera të shtetit, duke krijuar rrjetin e sofistikuar të korrupsionit. Edhe kur dikush nga avokatët mundohet të mbetet jashtë këtij rrjeti, ai quhet “budalla, jashtë kohe, jashtë realitetit”. Në Durrës ka mjaft të tillë, madje edhe gjyqtarë, që ligjin e shohin si përparësi të punës së tyre, dhe që sot gëzojnë respekt nga opinion publik. KLD në 8 vitet e fundit  ka qenë një spektatore e rëndomtë që vetëm ka heshtur , dhe në heshtje ka stimuluar aktet korruptive të gjyqtarëve dhe avokatëve në organet e drejtësisë në Durrës.  Kjo është e turpshme për institucionin  dhe strukturën më të lartë të shtetit, që e ka detyrim ligjor të kontrollojë, verifikojë, dhe dënojë çdo  individ që kapet me shkelje,  dhe i vërtetohen akuzat e denoncimet e bëra. Përgjatë vitit 2013 në organet e sistemit të drejtësisë në Durrës, janë afro 13 prokurorë, gjyqtarë, oficerë gjyqësorë, e avokatë, të denoncuar  për shkelje ligjore dhe abuzim me detyrën, por deri sot askush prej tyre nuk ka lëvizur nga zyra e tij, askush prej tyre nuk është ndëshkuar nga KLD, qoftë edhe për sy e faqe të opinionit. Ky vit që po mbyllet, padyshim mbetet njolla e zezë veçanërisht për sistemin e drejtësisë, me një bilanc negativ dhe turpërues për piramidën e lartë shtetërore. Ajo ka dështuar dhe është  trembur, apo edhe implikuar  në misionin  dhe detyrimin kushtetues për të  spastruar  nga radhët e sistemit të drejtësisë  të korruptuarit dhe antiligjorët. Njëherazi ky është edhe zhgënjimi më i madh edhe për ndërkombëtarët që notën e tyre po e shprehin me refuzimin e shpeshtë që po na bëjnë, për tu bërë edhe ne pjesë e BE.