Durrës, zbulohen edhe goditen bazat e homoseksualëve në qytet

856
Sigal

Në identifikimin e bazave të prostitucionit ndihmuan dhe denoncimet e qytetarëve. Drejtësia neglizhon ndëshkimet sipas ligjit

Qytetarët e Durrësit japin alarmin dhe denoncojnë në media dhe tek  institucionet e shtetit, lidhur me përmasat që po merr dukshëm fenomeni i homoseksualizmit dhe prostitucioni i rrugës në këtë qytet. Tashmë janë evidentuar një numër objektesh dhe zonash të qytetit, të cilat përdoren jo vetëm për prostitucion dhe homoseksualizëm, por edhe për të marrë drogë. Banorët e këtyre zonave kërkojnë ndihmë nga institucionet e shtetit për të shpëtuar nga situata e krijuar. Tashmë veç periferisë prostitutat dhe homoseksualët, po shihen edhe në qendër të Durrësit.

FENOMENI

Burime nga policia e Durrësit bëjnë me dije për “Telegraf” se, “janë disa baza, ku mblidhen prostitutat, homot dhe përdoruesit e drogës. Sipas policisë, në një masë të madhe janë të njëjtët persona që merren me këtë fenomen negativ për shoqërinë tonë. Në zyrat e pushtetit vendor, por edhe në polici shpeshherë banorët janë ankuar dhe kanë kërkuar që të vihet dorë, e kjo kategori të mos duket pranë banesave të tyre. Vetëm në muajt e fundit policia  ka arrestuar 18  prostituta, ka shoqëruar disa persona të njohur si homoseksualë, të cilët i ka kapur në flagrancë. Po ashtu janë gjendur të vdekur nga overdoza dy persona dhe janë shoqëruar disa përdorues të pluhurit të bardhë. Por Prokuroria ende ngurron arrestimin e tyre. Kështu vajzat janë arrestuar, kurse personat e ndalur si homoseksualë janë lënë të lirë. Këta të fundit po ndiqen penalisht në gjendje të lirë për të njëjtën akuzë me vajzat atë të ushtrimit të prostitucionit.

BAZAT E TYRE

Njëra prej bazave, e cila përdoret si ditën ashtu dhe natën, është zona që gjendet pas rrethimit të portit detar, apo edhe tek vagonët e trenit të braktisur. Atje janë disa baraka të braktisura si dhe vagonë të vjetër treni, të cilat përdoren prej tyre. Bazë tjetër janë mjediset e ish -objekteve shtetërore, të cilat janë kthyer në gërmadha dhe presin privatizimin. Vende të adaptuara po për këto qëllime janë edhe perigonet e stacioneve hekurudhore në Durrës e Shkozet. Perigonet janë sektorë hekurudhorë në të cilat sistemohen vagonët rezervë të trenave. Objektet arkeologjike si shkallët e amfiteatrit, banjat termale e të tjera frekuentohen gjatë netëve edhe për këto funksione. Por shfrytëzohet edhe lulishtja e “Mauzoleut të Dëshmorëve” si dhe mjediset e shkatërruara të pishinës dimërore. Ndërsa urat dhe këmbët e mbikalimeve hekurudhore në zonën e plepave, në Sukth apo gjetkë ka kohë që shfrytëzohen për këtë qëllim.

POLICIA

Uniformat blu sqarojnë se këto objekte shfrytëzohen prej prostitutave, homove dhe përdoruesve të  drogës që nuk kanë shumë pretendime e që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në rrugë. Ata janë njerëz me pak shpenzime, dhe shumat që ata kërkojnë variojnë nga 200 lekë deri 1000 lekë. Por ndërkohë ekziston një shtresë tjetër e kësaj kategorie, e cila ka kërkesa të ekzagjëruara. Ajo ka zgjedhur hotelet, apartamentet me qira si dhe mjedise të tjera luksoze për të ushtruar “profesionet” e tyre. Disa të tjerë të kësaj kategorie kanë blerë hyrje pallatesh për të dashurit në zona rezidenciale, sidomos në plazh, Shkëmbi i Kavajës e Golem. Këta kryesisht janë burra të martuar e me para. Shumat që ata kërkojnë variojnë nga 5 mijë deri 10 mijë lekë nata. Tashmë është shumë e vështirë kapja dhe penalizimi i  tyre pasi edhe ligji që i ndëshkon këto aktivitete është zbutur mjaft,- thanë burimet policore.