Durrës, tre vjet pa 4 efektivët e policisë

1276
Sigal

IN MEMORIAM/ 7 gushti i 2009-s. Gjykata ende pa verdikt për Dritan Dajtin, shtyhen 125 seanca gjyqësore!

12 oficerë policie në 7 gusht 2009, nisën një aksion për arrestimin e Dajtit, por në tentativë e sipër, i kërkuar pasi kishte marrë informacion se po arrestohej, ka qëlluar mbi punonjësit e policisë, duke lënë të vdekur katër prej tyre. Nga shkëmbimi i zjarrit mbetën të vrarë policët Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Kastriot Feskaj. Tre vjet  më pas, përveç plagëve në zemër të familjeve të dëshmorëve të atdheut,  gjykata nuk ka dhënë ende verdiktin. Përveç Dritan Dajtit, autor i vrasjes, në gjykim janë edhe Erges Xhoxhi, si dhe inspektori i policisë, Mariglen Muça, i cili gjatë hetimeve u zbulua se kishte përkrahur autorin e krimit për t’iu shmangur policisë.

Ngjarja e 2009

Saimir Duçkollari, Kastriot Feska, Fatos Xhani e Altin Dizdari janë katër efektivat e policisë së shtetit, të cilët mbetën të vrarë në Durrës gjatë një operacioni për kapjen e shumë të kërkuarit Dritan Dajti. I vdekur ka mbetur edhe shoku i Dajtit, Ledion Mara me banim në Lushnjë ndërsa nga kjo ngjarje makabre, i plagosur lehtë rezultoi shtetasi 19-vjeçar, Fatjon Shamko. Ngjarja tragjike u shënua në plazhin e Durrësit, 7 gushtin e 2009, në sektorin Iliria rreth orës 14:00 pranë pistës së vogël ose “Breshkës”, siç njihet nga durrsakët. Fare pranë brezit të rërës, në prani të dhjetëra pushuesve 4 efektivat e policisë speciale të Tiranës pas informacioneve të marra kanë ndaluar automjetin tip “Tuareg” me targë  Cr 535 Fr, me të cilin lëvizte i shumëkërkuari Dritan Dajti i shoqëruar nga Ledion Mara. Para se katër efektivat të ndërhynin për të kapur të shumëkërkuarin nga makina ka ardhur një breshëri plumbash. Të vdekur në vend kanë mbetur efektivat e policisë dhe në kundërpërgjigje ndaj agresorëve i vdekur ka mbetur shtetasi Ledion Mara dhe i plagosur i shumëkërkuari Dajti.

Gjykimi

Gjykimi i kësaj çështjeje nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ka numrin rekord të 125 seancave të shtyra gjyqësore për Dritan Dajtin, të akuzuar për vrasjen e 4 oficerëve të policisë në Durrës. Edhe seancën e fundit Gjykata e Krimeve të Rënda kreu ritualin e shtyrjes së procesit në ngarkim të Dritan Dajtit, Erges Xhoxhit dhe Mariglen Muçajt. Gjithashtu, u njoftua Dhoma Kombëtare e Avokatisë për mungesën e palës mbrojtje. Që prej muajit mars të këtij viti ky gjyq po vijon të mbahet peng e me gjithë kohën që ka kaluar, gjyqësori nuk po gjen zgjidhje për ta kthyer situatën në rrjedhën normale.

Proceset e dështuara

Nga të dhënat e faqes zyrtare të Gjykatës së Krimeve të Rënda rezulton se në procesin ndaj Dajtit dhe dy të tjerëve i çelur më 29 dhjetor 2010, nga 125 seanca gjyqësore të caktuara në kalendar, 84 prej tyre kanë dështuar për shkak të mosparaqitjes së avokatëve mbrojtës, 10 të tjera për shkak se avokatët kanë lënë sallën duke ndërprerë gjykimin, si dhe për shkak të kohës që ka kërkuar mbrojtja për t’u njohur me materialet e dosjes. Në kalendarin e gjykatës thuhet se procesi ka dështuar disa herë për shkak të mosparaqitjes së dëshmitarëve dhe 4 herë të tjera për shkak të mosformimit të trupit gjyqësor. Kjo do të thotë se procesi në ngarkim të Dajtit është një ndër më të shtyrët deri më sot dhe pikërisht për shkak të zvarritjeve Gjykata e Krimeve të Rënda tentoi ta zhvillojë gjykimin çdo ditë, por ende ky proces vijon të mbajë rekord për zgjatje.

Viktimat

1-Saimir Duçkollari (polic)

2-Kastriot Feska (polic)

3-Fatos Xhani (polic)

4-Altin Dizdari (polic)

5-Ledion Mara (shoku i Dajtit)

Për gjykim

1-Dritan Dajti (autor i vrasjes)

2-Mariglen Muça (inspektori i policisë)

3-Erges Xhoxhi