Durrës, jashtë funksionit kanalizimet, përmbytet zona e plazhit

436
Sigal

Rrugët dhe banesat në Plazhin e Durrësit janë zhytur nën ujë këtë fillim dimër. Shirat që kanë rënë gjatë natës dhe ditës së mërkurë kanë bërë që shumë zona të qytetit të Durrësit, por kryesisht më shumë ato të plazhit në lagjen Nr. 13 të përmbyten nga ujërat. Që në orët e mëngjesit kanë qenë me dhjetëra zona dhe rrugë, ku nuk kalohej nga këmbësorët dhe fëmijët që shkonin në shkolla janë lagur duke kaluar nga kryqëzimet dhe rrugët si dhe mjetet që kalonin në rrugë të tejmbushura me ujëra. Kjo sepse kanalizimet janë të bllokuara ose nga ndërtimet pa kriter janë jashtë kapaciteteve të tyre. Përveç rrugëve janë edhe shumë banesa që tashmë gjenden të përmbytura, për shkak të bllokimit të kanaleve kulluese dhe kolektorëve, ndërsa banorët apelojnë strukturat e qeverisjes lokale për t’jua zgjidhur problemin që u përsëritet sa herë bien shira të rrëmbyeshme.

Shpërthejnë ujërat e zeza

Po bllokimi i kolektorëve ka sjellë edhe një fenomen tjetër, atë të shpërthimit të ujërave të zeza në sipërfaqe dhe rikthimit në oborre së bashku me ujërat e shiut. Nga kjo gjendje rrezikohet të shpërthej epidemia, ndërsa janë me dhjetëra fëmijë që rrezikojnë të mos shkojnë në shkollë. Prindërit e tyre thonë se dërgimi i tyre në mësim në këto kushte është i vështirë pasi ata lagen gjatë rrugës ndërsa ngrohja në këtë sezon akoma nuk është instaluar në shkolla dhe kjo shkakton me shumë problem shëndetësore më pas.

Zonat problematike

Një nga zonat më problematike mbetet pjesa e plazhit në vendin e njohur si Hekurudha. Në lagjet e brendshme të sektorit Hekurudha, ujërat e trashëguara nga ditët e mëparshme si dhe shirat e natës kanë arritur vende-vende deri në 50 cm lartësi. Për këtë fatkeqësi që u ka pllakosur banorëve ata thonë se i kemi lajmëruar disa herë ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve, ndërsa ata nuk e kanë çarë kokën për këtë shqetësim. Ndërsa “Rruga e Frigoriferit” që nis nga godina e postës dhe përshkon zonën e brendshme të plazhit, është rikonstruktuar katër herë, por çdo stinë dimri qëndron e përmbytur. Kjo pasi punimet janë bërë shkel e shko dhe kanalizimet janë bllokuar me inerte dhe plehra gjatë sezonit të verës. Ndërkohë që për pastrimin e tyre nuk bëhet më fjalë. Një situatë të tejzgjatur në rrugë po krijohet edhe nga punimet e rrugës kryesore të plazhit. Makineritë kanë bllokuar pjesë të rrugës duke sjellë shqetësime në komunikacion si dhe në mos kullimin e ujërave në tubacioneve që duhej të ishin vendosur me kohë. Janë me dhjetëra makineri që verën e kaluar hapin sektorë të asfaltit për të shtruar tubat. Po punimet ecin me ritme të breshkës, ndërkohë që shirat bëjnë përmbytje pas përmbytjesh dhe banoret mbeten viktimat e përhershme përmbytjeve.