Durrës, alarm i rremë për bombë në Pallatin e Kulturës, do nënshkruhej Rezoluta Çame

499
Sigal

Në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit, është dhënë një alarm i rremë për vendosje bombe. Alarmi është dhënë nëpërmjet linjës telefonike në momentin kur salla ishte e tejmbushur me anëtarë të shoqatës  “Çamëria” në takimin e organizuar mbi Rezolutën Çame. Nëpërmjet telefonit të Sallës Operative të Drejtorisë së Policisë rreth orës 17:00 një telefonatë anonime ka venë në dijeni policinë se në sallën, ku zhvillohej takimi i PDIU- së ishte vendosur një bombë e telekomanduar. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje e pajisur me qentë e gjurmimit antiminë dhe ka urdhëruar boshatisjen e menjëhershme të sallës. Të gjithë kanë dalë jashtë pa panik dhe kanë qëndruar në pritje të përfundimit të  kontrollit të imtësishëm që ka bërë policia në të gjitha zonat e brendshme të pallatit dhe të sallës në pjesën e skenës dhe deri ne anën e poshtme të saj. Pasi kanë qëndruar rreth 30 minuta në pritje janë lajmëruar nga ana e inspektoreve të policisë dhe të skuadrës skuadra speciale të kontrollit se në godinë nuk ishte vendosur asnjë bombë dhe se bëhej fjalë për një alarm të rremë. Personat që ndodheshin në pritje jashtë kanë shprehur dyshime se prapa kësaj ngjarje mund të qëndronin edhe qarqe të huaja, duke dyshuar kryesisht nga linjat helene, por ka pasur edhe të tjerë që mendonin se kjo mund të ishte edhe si efekt i një dualitetit mes grupeve që janë krijuar në lëvizjen çame në Durrës. Ndaj këtij akti ka reaguar PDIU, e cila ka deklaruar se ajo dënon në mënyrën më të ashpër alarmin e rremë për bombë në aktivitetin e PDIU dhe Shoqatës Çamëria në qytetin e Durrësit. “Këto metoda na kujtojnë vitet e largëta të së kaluarës, kur organizata terroriste tentonin të mbillnin terror ndër qytetarët shqiptar”, thuhet në deklaratë. Drejtuesi lokal i PDIU-së, Indrit Hamiti ka folur për “ Telegraf” gjatë pritjes së gjetjes së bombës se ky alarm është bërë enkas për të prishur aktivitetin e shpërndarë qytetarët e mbledhur. “Ka gjasa që të jetë një mënyrë për të sabotuar aktivitetin tonë, por njerëzit nuk janë larguar po qëndrojnë jashtë, derisa forcat e policisë dhe skuadra speciale po kontrollojnë ambientet e Pallatit të Kulturës”, ka deklaruar ai. Në takim mori pjesë edhe Tahir Muhedini, i cili është shprehur duke theksuar rëndësinë e miratimit të Rezolutës Çame për vënien në vend të nderit të një popullsie të tërë të diskriminuar.