Droga u zëvendësua me oriz, trafikantët ranë në grackë nga grekët/ Trafiku i 137 kg kokainë, dënohet peshkatari dhe roja, pronari në arrati

205
Sigal

Më shumë se dy vjet pas sekuestrimit të një sasie prej 137 kilogramë kokainë në portin e Durrësit, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar dy të dyshuarit si të përfshirë në këtë trafik.

Kështu, me 15 vite burg është dënuar shtetasi Altin Myslihakën, me profesion peshkatar, i cili ka përfituar gjykim të shkurtuar dhe si pasojë, dënimi përfundimtar është 10 vite, ndërsa Adrian Bega, punonjës sigurie në portin e Durrësit, është dënuar me 12.6 vite burg, i cili do të qëndrojë në qeli për 8 vite e katër muaj.

Ndërkohë, biznesmeni Gentian Malindi, i cili dyshohet si porositësi i sasisë së konsiderueshme, ndodhet ende në arrati. Operacioni për sekuestrimin e lëndës narkotike u zhvillua më 28 shtator të vitit 2019, ndërsa hetimet në lidhje me trafikun e drogës me katër kontejnerë kishin nisur prej muajit gusht të atij viti pas informacioneve të mbërritura nga DEA amerikane për autoritetet greke dhe shqiptare.

Kokaina ishte nisur më 24 korrik nga porti Guajakil i Ekuadorit, duke mbërritur më 19 gusht në Portin e Pireut në Greqi.

Ishin autoritetet greke ato që pas zbulimit të ngarkesës sinjalizuan homologët shqiptarë rreth ngarkesës së kokainës, ndërsa droga ishte zëvendësuar në portin grek me miell orizi, brenda së cilës ishte vendosur GPS për të zbuluar marrësit.

Pas mbërritjes së kontejnerëve me banane në portin e Durrësit, ngarkesën shkuan për ta tërhequr shtetasit Ardian Bega dhe Altin Myslihaka, të cilët nuk e dinin se po merrnin pako me miell orizi.

Pak ditë pas operacionit, rezultoi se kamera kryesore e sigurisë me kënd 360 gradë dhe me rezolucion të larte, ka lëvizur fokusin nga kontejneri ku gjendej droga.

Të vetmet që kanë regjistruar janë dy kamera fikse, që nuk kanë një panoramë të qartë.

Hetuesit dyshojnë se pritësit e drogës kanë pasur bashkëpunëtorë në administratën doganore, por sot e asaj dite nuk janë zbuluar bashkëpunëtorët. Pas marrjes së pakove nga kontejneri, Policia nuk mundi të arrestojë një prej të dyshuarve kryesorë, Gentian Malindin.

Ky i fundit është larguar me makinë së bashku me Begën dhe Mylsihakën. “Alba Exotic Group”, kompania që tentoi të transportonte 137 kilogramë kokaine kishte kryer plot 151 udhëtime me të njëjtin itinerar.

Aktualisht, në kërkim është edhe pronari i kësaj kompanie, Eduard Dauti, i cili akuzohet si i përfshirë në ngarkesat e tjera të kokainës të kapura në Durrës gjatë muajve të verës të këtij viti.

Burimet thanë në atë kohë se destinacioni përfundimtar i sasisë së kokainës ishte Fieri dhe Elbasani. Dy grupe kriminale mjaft të fuqishme dhe me ndikim të madh në këto dy qytete, dyshohet se kishin porositur sasinë e kokainës nga Ekuadori.