Dritëro Agolli dhe 40-vjetori i çmimit “Artist i Popullit” për Demir Zykon

657
Sigal

“Një shkrim për Demir Zykon, shkruar me ndjenjë, respekt e dashuri nga i Madhi i Letrave Shqipe, Dritëro Agolli, në qershor të vitit 2002.

Po ribotohet ky shkrim edhe duke nderuar autorin e këtyre radhëve, të papërsëritshmin Dritëro.”

Këngëtari i maleve

Në fëmininë time plot krahina të Shqipërisë unë i kam njohur në fillim, më shumë sipas këngës dhe poetëve, sesa sipas tekstit të gjeografisë. Këngët kanë pasur tingujt e melodive të krahinave dhe personazhet e vërtetë, që kanë qenë trima të këtyre krahinave. Kështu, në fshatin tim Menkulas të Devollit, bashkëfshatarët e mi këndonin këngën:

Doli Laceja nga stani,

            Hodhi sytë nga Marjani.

            Atje tek kishë e Marjanit

            Mbledhur asqer i Junanit…

            Laceja me të vëllanë

            Në gjerdan fishekët palë         

Tek dëgjonim këtë këngë, që këndohej aq shtruar dhe aq mallëngjyeshëm, ne të vegjlit pyetnim:

– Nga ka qenë ky Laceja?

Dhe ata që këndonin thoshin:

– Nga Backa e Skraparit…

Çuditërisht nga kjo këngë unë njoha për herën e parë fluturimthi Skraparin. Më vonë pastaj njoha historinë e figurave të shquara të Skraparit me Riza Cerovën në krye. Me rrjedhën e viteve takova në jetë, drejtpërdrejt dhe jo në libra historie, shumë skraparlinj të shquar si Hysen Zaloshnja, Zylyftar Veleshnja, Iljaz Kapxhiu e shumë të tjerë. Po edhe sot e kësaj dite takoj burra të dëgjuar të Skraparit, si Ilir Meta, djalë i ri, që ka qenë një ndër Kryeministrat më të zotët dhe tani një ndër figurat e rëndësishme politike të vendit.

Këtu u largova pak nga kënga me qëllim për t’iu afruar përsëri këngës. Siç thashë në fillim të këtyre shënimeve unë në fëmini Skraparin e njoha nga kënga. Po edhe më vonë, në moshën e pjekurisë, me këngën hyra në portat e shpirtit të Skraparit. Në tetorin e vitit 1973, në festivalin e Gjirokastrës, në kala, unë pashë tek këndonte një burrë i gjatë me një fytyrë të mprehtë, me mustaqe të holla dhe me një takije të zezë. Ai këndonte me një zë të lartë tenori këngën “Mbeçë, more shokë, mbeçë”. Një burrë i shkurtër krah tij mezi ia priste, megjithëse bukur. E ndjeva shumë këtë këngë, aq më tepër që edhe unë në rini e pata kënduar, por me një melodi pak më të ndryshme. Tek dëgjoja, i ndjeri Zihni Sako, shkrimtar dhe njohës i dëgjuar i folklorit, që drejtonte Festivalin e Gjirokastrës, më thotë:

– Ky që ia merr këngës është Demir Zykua dhe ai që ia pret është Mehdi Kushja. Të dy janë këngëtarë skraparlinj me nam. Po ky Demiri… lere, lere!.. – e tundi krahun xhaxha Zihniu dhe e vuri dorën në mustaqet e veta, që i kishte si të Demir Zykos, por pak më të trasha.

Pastaj unë e takova Demir Zykon në kafen e hotelit mes këngëtarëve dhe valltarëve të Skraparit: Mehdi Kushja, Belul Hyskua, Shahin Cinari dhe një grua nga Shpatanji edhe kjo këngëtare e madhe. Demiri ishte tepër i heshtur. Shikonte me sy përdhe në një pikë dhe dukej sikur gjithnjë mendonte i mbytur në halle. Porosita ndonjë gotë raki. Por ai nuk pinte. Nga të gjithë ata, vetëm Belul Hyskua, berberi i Çorovodës, valltari dhe këngëtari i këngëve humoristike, ishte qejfli i vërtetë i rakisë.

Nga që më la mbresa të thella kënga “Mbeçë, more shokë, mbeçë”, e kënduar nga Demir Zykua, unë e përmenda atë edhe në poemën “Nënë Shqipëri”, që e botova një vit më vonë. Që atëherë ne u bëmë miq të ngushtë. Kur i binte rruga për në Tiranë, ai kthehej tek unë në shtëpi, vinte edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve me kilota shajaku, me feste të zezë, me këmishë të bardhë pa jakë dhe me një bastun të lëmuar.

Një ditë erdhi në zyrën time në Lidhje, u ul në karrige me bastun përpara dhe ndenji ashtu i menduar pa folur. Pas disa minutave tha si me ndrojtje, se kishte marrë vesh që jepeshin për kompozitorët dhe për shkrimtarët magnetofonë. Atëherë nuk kishte në treg magnetofonë, ndaj as nuk mund t’i blije.

– Do të bëjmë si të bëjmë dhe do ta gjejmë këtë magnetofon, xha Demir, – i thashë unë – por e kemi pisk me këtë shoqen e llogarisë, se thotë që magnetofonët janë për kompozitorët.

Demir Zykua e lëvizi pak bastunin, e ngriti kokën e tha:
– Ç’janë këta kompozitorë?

– Ata që bëjnë këngë. – i thashë.

– Po unë ç’bëj, a nuk bëj këngë? – tha me krenari këngëtari i madh.

Më vonë e takova Demir Zykon në Gjerbës, në fshatin e tij. Shoku dhe miku im Endri Keko, një ndër regjisorët e parë, do të bënte një film dokumentar për Shqipërinë bashkëkohore. Ishte viti 1976. Meqë Endri me grupin e filmit do të shkonte në Skrapar dhe do të qëndronte në Gjerbës, më mori me vete edhe mua, si mik i Demir Zykos. Sa shkuam, xha Demiri urdhëroi dhëndrin dhe djemtë të thernin një shqerrë, se ai urdhëronte dhe nuk ulej gjer atje sa të merrej me punëra të thjeshta të therjes dhe të rrjepjes së gjësë së gjallë… Feruzja, e shoqja e tij, një grua me një fytyrë të bukur dhe e mbajtur mirë, me pamje fisnike, sikur të rridhte nga një derë pasanikësh, kujdesej për ne; na pyeste nëse ishim lodhur, a nëse kishim të ftohtë, se ishte një fillim pranvere me ngrica.             Kur u shtrua sofra dhe filluan të ngrihen dollitë, dhe kur djemtë e vegjël dhe të rinj shikonin me kuriozitet dhe hynin e dilnin, si Rustemi i biri i Demirit me shokë, filloi kënga. Ishte një mrekulli. Atëherë unë nuk u përmbajta dhe ia mora një kënge të anës së Kolonjës dhe të Devollit, këngës së Gani Butkës:

O ka dy-tre vjet,                                              

            Që bën komitet,                                              

            Medet, o Gani, medet!..          

Këngën ma kthente vetë i zoti i shtëpisë, Demir Zykua. Si mbarova, e pyeta:

– Këndova mirë?

– Çka, mirë. Shiko, këngën duhet ta përkëdhelësh më shumë se qengjin! – tha xha Demiri dhe pastaj filloi të më lavdëronte për vjershat. 

Ai, sado mik të të kishte, nuk të bënte lëshime për të të lavdëruar pa e merituar. Siç thashë ishte tepër krenar jo vetëm për këngën, por për gjithçka. Më kujtohet një çast i një ngjarjeje. Më 1978, në tetor, pas mbylljes së një dite të Festivalit Folklorik, unë po kuvendoja në sheshin e kalasë me Demir Zykon. Në çast kaloi Mehmet Shehu me Fiqreten, të shoqen e tij. E zuri përdore dhe e përgëzoi për këngët. Demir Zykua e vështroi Fiqreten dhe iu kthye Mehmet Shehut:

– Po kjo grua cila është?

Mehmet Shehu qeshi dhe duke ecur tha:

– Ta tregon Dritëroi!    Pasi u largua Mehmet Shehu, i thashë:

– Ç’na bëre, o xha Demir! Ajo grua ishte Fiqreti, e shoqja e tij.

– Ku ta dija unë! Ajo nuk e tha se cila ishte – ngriti supet Demir Zykua.

Ai, mbase edhe pa dashur, në mënyrë të pamenduar hollësisht, thellë vetëdijes së tij, e ndjente vlerën e vet si një këngëtar i madh, që bashkë me figurat e tjera të shquara të Skraparit, të mbledhura rreth Tomorit, do të hynte në histori përmes këngës. 10 qershor 2002