Drejtuesit e furgonëve: “Me këtë punë mbajmë me bukë fëmijët”. Tahiri të ndëshkojë përgjegjësit e aksidenteve

498
Sigal

TIRANE-Në ditën e 7 të protestës, drejtuesit e furgonave 8+1 kanë reaguar dhe mbi deklaratat e ministrit të Transporteve Edmond Haxhinasto dhe atij të Brendshëm, Sajmir Tahiri, që kërkuan ndalimin e transportit me furgona. Nga Korca, shoferët shprehen se janë tepër të indinjuar me vendimin drastik që përfshin paketa e re e masave mbi sigurinë rrugore që pritet të miratohet nga qeveria. Sipas drejtuesve të furgonave, me këtë punë mbahen familjet.

“Me këtë punë mbajmë me bukë fëmijët. Tahiri të ndëshkojë përgjegjësit e aksidenteve dhe jo njerëzit e ndershëm”. Më tej shoferët protestues i bënë thirrje qeverisë të mbajë premtimet për përmirësimin e ekonomisë së shqiptarëve dhe jo të rrënojë më tej jetët e tyre.

Protestës së drejtuesve të furgonave taksi 8+1 të Korcës i janë bashkuar sot dhe ata të Kukësit. “Është e pafalshme, nuk duhen bllokuar furgonat. Për ne janë buka e gojës, kështu mbyllen vende pune nuk hapen vende pune. Kjo qeveri të kontrollojë transportin e paligjshëm jo ne të ligjshmit”, u shprehën drejtues të furgonave të transportit të pasagjerëve në Kukës. Sipas shoferëve, nëse ky vendim i qeverisë do të zbatohet atëhere protesta do të përshkallëzohet deri në bllokim të rrugëve nacionale.