Drejtori Thoma Gëllçi largon nga RTSH, tre “muskëtierët” e muzikës Zhulali, Kaçinari dhe Saraçi

837
Burime e “Telegraf”, konfirmojnë se vendimi është miratuar në Këshilli Drejtues, në kuadër të reformimit të programacionit
Këshilli Drejtues i RTSH, në një nga mbledhjet e tij të fundvitit 2016, debatoi lidhur me një vendim të paraqitur prej drejtorit Thoma Gëllçi, sipas të cilit, violinisti Shkëlzen Dolli propozohej të emërohej “Drejtues orkestre” në RTSH me pagë mujore 5000 euro ose sa 15 paga drejtuesish programacioni, ndërkohë që për shkak të kundërshtimeve të shumta në këshillin Drejtues, ky vendim u la në heshtje e nuk po zbardhet, duke mos u dhënë asnjë shpjegim prej drejtorit Gëllçi, nëse është lënë në fuqi ose është anuluar
Lajmi i dalë dje nga zyrat e RTSH, ka lidhje me një vendim të miratuar në unanimitet të plotë prej Këshillit Drejtues të këtij institucioni, të paraqitur si projekt, prej Drejtorit të Përgjithshëm, Thoma Gëllçi. Bëhet fjalë, për largimin nga puna dhe nxjerrjen e tyre jashtë strukturës si punonjës të programacioneve muzikore të RTSH. Vendimi “Gëllçi” i cili u konfirmua si “plotësisht i vërtetë” edhe nga të shkarkuarit e kontaktuar dje prej “Telegraf”, ka futur në “rreth të kuq”, tre emrat më të njohur të programeve të muzikës shqiptare në RTSH e në krejt spektrin muzikor kualitativ shqiptar, me kulminacion festivalet kombëtare në RTSH, të cilat kishin si drejtues këta mjeshtër të muzikës. Mësohet, se drejtori i RTSH, zoti Gëllçi, me miratim edhe të Këshillit Drejtues, ka “vulosur” largimin nga puna të Edmond Zhulalit, vlerësuar me titullin “Urdhëri Naim Frashëri i Artë” akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe me Titullin e Lartë “Mirënjohja Presidenciale”, akorduar në Kosovë, nga Presidenti Hashim Thaçi, Nga puna është larguar dhe Alfred Kaçinari, vlerësuar po me Titullin “Urdhëri Naim Frashëri i Artë”. Po kështu është larguar nga puna edhe Shpëtim Saraçi, vlerësuar me Titullin e Lartë “Mjeshtër i Madh”. Po përse? Sipas vendimit të propozuar nga drejtori i RTSH, zoti Thoma Gëllçi dhe sipas deklarimeve të disa anëtarëve të Këshillit Drejtues, dhënë dje për “Telegraf”, pushimi nga puna i 3 “muskëtierëve” të muzikës shqiptare, nuk ka asnjë lidhje me cilësinë e punës së tyre, as me korrektësinë në punë në gjithë këto vite, por thjeshtë ka lidhje, me një reformë organizative “Rilindëse” në institucionin e RTSH, sipas të cilës është shkrirë plotësisht, pra është mbyllur Sektori i Muzikës, duke ideuar një tjetër zgjidhje më komode për sektorin muzikor, mbasi sipas drejtuesve të RTSH, këta tre paguheshin gjithë vitin, vetëm për 1 muaj punë në fund të vitit për Festivalin Kombëtar në RTSH! Të tre specialistët e mirënjohur të muzikës shqiptare, kanë qenë punonjës të sektorit muzikor, prej nga niste “pentagrami” i gjithë veprimtarinë prodhuese muzikore në këtë institucion. Ata shprehen për “Telegraf”, se punojnë prej vitesh në këtë sektor, madje edhe si drejtues të sektorit muzikor, por edhe në pozicione krijuese si kompozitorë, orkestrues, producentë, muzikantë, drejtues artistikë e deri në organizim festivalesh kombëtare të muzikës së lehtë e të çdo gjinie muzikore. Mirëpo, ja që qysh prej datës 1 shkurt, ata janë njoftuar se do të shkëputin marrëdhëniet zyrtare të punës me RTSH, ku kanë punuar prej shumë vitesh, në një sektor muzike, i cili është hapur dhe ka “kënduar” pa u ndalur prej 55 vitesh ose pothuajse aq sa vjeç është aktualisht drejtori Gëllçi që po e mbyll këtë sektor. Konfirmohet, se në vendimin e pushimit nga puna, thuhet që tre muzikantët e mirënjohur, do të paguhen edhe për 3 muaj në vazhdim nga financat e RTSH, në formë asistence, pastaj, sipas këshillës së Drejtorit Gëllçi, duhet të gjejnë ndonjë punë tjetër jashtë RTSH dhe këtë kërkim pune, duhet ta bëjnë në këto tre muaj kohë të paguara. Ndoshta, tre mjeshtrit e muzikës shqiptare, do të përfshihen në programet e punësimit të “Rilindjes” me logon “Vende pune ka, por nuk profesionistë”! 
Sigal