Drejtori speciale për ministrat dhe shtetarët e inkriminuar

516
Në “syrin” e këtij përgjimi special, janë futur 9 ministra, 52 deputetë, 33 diplomatë, 26 biznesmenë, 4 banka, 12 kompani private koncesionare të huaja e vendase, 5 kryetarë partie, 63 drejtorë qendrorë dhe 37 drejtues shtetërorë lokalë në 8 qarqe
Deri tani janë skeduar 5 ministra që përbëjnë kupolën e qeverisë, 11 drejtorë qendrore dikasteresh, 16 krye-bashkiakë dhe 4 drejtorë entesh shtetërore kombëtare që kanë në administrim volumin më të madh të tenderëve e koncesioneve në shërbimet dhe investimet publike
Informacionet nga “fronti” i luftës kundër krimit në Shqipëri, po japin sinjalin se “thepi i shënjestrës” së kësaj lufte është drejtuar totalisht tek veprimtaria “e maskuar” e figurave politike e shtetërore që janë e që kanë qenë në pushtet. Madje, objekt i kësaj lufte janë bërë edhe ish-figurat e larta shtetërore e politike, të cilët gjatë këtyre 25 viteve tranzicion kanë ngritur parajsa fiskale e pronësore individuale e në grup, por që për nga veprimtaria që kanë bërë, rezulton se u rëndojnë “mëkatet e këtij tranzicioni shkatërrues për vendin, ekonominë kombëtare dhe popullin. Pra, objekti ëhstë ndjekja e gjurmëve të vendosjes, investimit dhe fshehjes së pasurive të tyre! Edhe pse nuk është shpallur publikisht me VKM, si ligj e si vendim drejtësie, burime të gazetës “Telegraf” kanë bërë me dije se prej 2 muajve, në Shqipëri ka nisur aktivitetin një shërbim “përgjimi special”, që ka si objekt ndjekjen e krimeve të shtetarëve e politikanëve të lartë! Ky shërbim, ka nisur e po vazhdon aktivitetin, duke pasur si rezidencë shërbimin e SHISH. Brenda kësaj strukture shërbimi sekret është ngritur një drejtori e veçantë speciale e cila, për nga misioni që ka dhe kryen, nuk është bërë e ditur as për strukturat brenda SHISH. Kjo strukturë sekrete speciale përgjimi, që ka si objekt shtetarët dhe politikanët e lartë të Shqipërisë, mendohet se është vetëm në dijeni dhe në “dorë” të shefit të SHISH e të shërbimeve inteligjente të huaja.

 Aq keq kanë shkuar punët me “trashjen e zullumit” të krimit të shtetarëve e politikanëve në Shqipëri, sa shërbimet e huaja të interesuara për të bërë në “themel” goditjen e krimit në Shqipëri, kanë humbur durimin dhe janë detyruar të krijojnë e hedhin në veprim në fshehtësi të plotë një shërbim përgjimi special sekret. Këtë e kanë bërë edhe pa dijeninë e krerëve të lartë të shtetit shqiptar, duke e ditur se dijenia e tyre për këtë strukturë përgjimi special do të dështonte këtë mision! Pse? Sepse gjurmët e krimit në Shqipëri, tregojnë me prova e fije të shumta, se krimi ka si “regjencë” strukturat dhe segmente të larta të shtetit, si dhe ka si “tutorë” disa politikanë e shtetarë qendrore dhe rajonalë! Kjo drejtori speciale përgjimi e ngritur vetëm në vende ku krimi ka zëvendësuar dhe komandon shtetin e politikën, ose më saktë ku shtetarë e politikanë të lartë janë bosët e krimit të çdo lloji, nuk ka si synim të përgjoj se kur flenë e kur zgjohen shtetarët dhe politikanët. Por ka si mision të zbuloj se cilat janë llojet, sektorët dhe fijet e krimit që ata ushtrojnë nëpërmjet imponimit prej botës së krimit prej të cilës janë “rekrutuar” e përfitojnë dhe prej fuqisë që u jep pushteti, posti, detyra, pozicioni politik që kanë! Kjo drejtori, në shërbim agjentë specialë vendas e të huaj, të cilët tashmë janë futur dhe po “vrojtojnë e gërmojnë” brenda “lëkurës” së strukturave të shtetit, të qeverisë, ministrive, diplomacisë, biznesit, bankave, porteve, aeroportit, policisë, ushtrisë, kufirit, medies, shërbimeve publike, jetës shoqërore e madje edhe brenda vetë strukturave të SHISH. Prej dy muajsh, ata janë duke mbledhur informacion për veprimtarinë e krimit që bëhet nga njerëzit e politikës dhe të shtetit. Në “syrin” e këtij përgjimi special, janë futur 9 ministra, 52 deputetë, 33 diplomatë, 26 biznesmenë, 4 banka, 12 kompani private koncesionare të huaja e vendase, 5 kryetarë partie, 63 drejtorë qendrorë dhe 37 drejtues shtetërorë lokalë në 8 qarqe! Përgjimi i tyre nuk po bëhet me metodën “artizanale” të telefonit, të përdorjes së çimkave në zyra e makina, por me nj metodë tjetër “popullore”, të futjes së agjentëve brenda stafeve drejtuese që ata krijojnë dhe brenda “klaneve” të besuar të tyre!


Qëllimi i kësaj drejtorie speciale përgjimi, është zbatimi i një projekti dekriminalizimi konkret e total të individëve të politikës e shtetit shqiptar, të cilët kanë uzurpuar dhe po shfrytëzojnë për krime e mbrojtje krimi shtetin, diplomacinë, qeverinë, biznesin, ligjvënien, bankat, sektorët strategjikë të ekonomisë e madje deri edhe OJF me objekt veprimtarie “humanitare, shkencore e kulturore” me logo shqiptare dhe të huaja! Sipas dosjeve që kanë në duar shërbimet e huaja inteligjente, të grumbulluara nga përgjimet speciale që janë bërë në këto dy muaj, rezulton se kupola e krimit në Shqipëri, janë individët që kanë nën kontroll kupolën e shtetit, të politikës e drejtësisë, të cilët shërbejnë si mburojë deri me bazë ligjore e ekzekutive të veprimtarisë dhe pandëshkueshmërisë së klaneve të krimit të organizuar! Kjo drejtori speciale përgjimi, që i raporton me shkrim vetëm kreut të SHISH, ka tashmë një “bilanc pune” me fakte e emra shtetarësh, krye-bankierësh, pushtetarësh lokalë, politikanësh, biznesmenësh, drejtuesish e grupesh të krimit të organizuar, të cilët janë të lidhur në grup e në bashkëveprim, në veprimtari kriminale. Deri tani janë skeduar 5 ministra që përbëjnë kupolën e qeverisë, 11 drejtorë qendrorë dikasteresh, 16 krye-bashkiakë dhe 4 drejtorë entesh shtetërore kombëtare, që kanë në administrim volumin më të madh të tenderëve e koncesioneve në shërbimet dhe investimet publike. Sa për kujtesë, gjithë informacioni që grumbullohet, pasi detajohet e skedohet në dosje të veçanta, “eksportohet” në zyrat e shërbimeve speciale të shteteve që kanë marrë përsipër misionin e penguar të dekriminalizimit të shtetit e politikës shqiptare! 
Sigal