Drejtori INFOCIP, Gert Shella: Sekretet e KPK në resortin luksoz

163
Sigal

Transparenca e financimit të partive, transarenca mbi shpenzimet publike, regjistrat e hapur të investitorëve, reduktimi i penetrimit në ekonomi të kompanive offshore, etj janë boshti i narrativës së ditës jo vetëm në Shqipëri, për më gjerë në BE dhe në SHBA.

Gjykata Administrative e Tiranës i ka dhënë të drejtë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të mbajë të fshehtë emrin e sponsorit privat, që pagoi shpenzimet e akomodimit të stafit të KPK në ambientet e resortit luksoz “Marina Bay” në Vlorë, gjatë një aktiviteti të zhvilluar në shtator të vitit të kaluar. Gjyqtarja Nafije Hasko arsyetoi se “klauzola e konfidencialitetit në marrëveshjen e sponsorizimit i shërben “mbrojtjes së interesit publik””. BIRN investoi Komisionerin për të Drejtën e Informimit për marrjen e këtij informacioni, i cili nxorri vendim detyrues për KPK. Por, KPK ngriti padi kundër vendimit të Komisionerit me argumentin se “transparenca mbi emrin e sponsorit privat që financoi aktivitetin në resortin luksoz cënon sigurinë kombëtare”. Vendimi i dhënë para ca ditësh nga gjyqtarja Hasko më shumë se shkakton habi, ngre pikëpyetje. Ai vjen në kohën kur instrumenti i transparencës së burimeve të financimit është temë dite, jo vetëm në sferën e sigurisë kombëtare, por edhe në çështje të tjera që kanë impakt mbi proceset e brendshme demokratike dhe ekonomike. Transparenca e financimit të partive, transarenca mbi shpenzimet publike, regjistrat e hapur të investitorëve, reduktimi i penetrimit në ekonomi të kompanive offshore, pastrimi parave me burim trafiqet, etj janë sot boshti i narrativës së ditës jo vetëm në Shqipëri, për më gjerë në BE dhe në USA. Transparenca ndaj publikut është instrumenti kryesor që garanton interesin publik dhe jo e kundërta, sikurse ka argumentuar në mënyrë të sforcuar dhe kundër-intuitive gjyqtarja Nafije Hasko. Nëse financimet ruse apo kineze cënojnë sigurinë kombëtare, media ka të drejtë të interesohet në emër të interesit publik madje edhe në emër të sigurisë kombëtare nëse ato kanë penetruar në institucionet publike. Rasti “Basha-Nicolas (Nick) Muzin” është shembulli më i freskët i financimeve ruse deri në sferat më ta larta të vendimarrjes politike në Kuvendin e Shqipërisë.Kontrolli serioz i çdo lloj financimi për institucionet e shtetit, përfshi KPK, është një detyrë e cila duhet marrë seriozisht.

Rasti “Basha-Nicolas (Nick) Muzin” është shembulli më i freskët i financimeve ruse deri në sferat më të larta të vendimmarrjes politike në Kuvendin e Shqipërisë. Kontrolli serioz i çdo lloj financimi për institucionet e shtetit, përfshi KPK, është një detyrë, e cila duhet marrë seriozisht.

Kjo mbetet për momentin mënyra më e mirë për të mbrojtur sigurinë kombëtare, pasi kushton pak dhe parandalon dëmin, dhe jo anasjelltas, sikurse përpiqet të argumentojë KPK dhe gjyqtarja Nafije Hasko. Refuzimi që KPK i ka bërë një kërkese kaq të shëndetshme në thelbin e saj, hedh më shumë hije dyshimi mbi vetë financimin, pasi në këtë rast ai jo vetëm që nuk është bërë publik pro-aktivisht, por ka një tendencë për ta mbajtur sekret edhe pas interesimit të medias. Transparenca, dhe jo sekreti, është aleati më i mirë i çdo institucioni apo funksionari publik. Fakti që KPK i ka rezistuar me të gjitha mjetet një kërkese standarte për të bërë publik financimin e një aktiviteti të saj, zhvilluar jashtë zyrave të institucionit, në një resort luksoz privat, bie ndesh me kërkesat e kohës, me kërkesat e ligjeve në fuqi në RSH, por edhe me orientimet e partnerëve tanë. Vetë KPK është ndërtuar të funksionoje mbi këtë parim themelor të llogaridhënies. Edhe pse jo një trupë gjyqësore, ajo ka mbajtur seanca të hapura për publikun dhe median në tërësinë e shqyrtimit të figurës së gjyqtarit/prokurorit. Kjo përmasë transparence, shpeshherë e konsideruar e ekzagjeruar për shkak të natyrës shkatërruese ndaj besimit në Gjyqësor (si efekt anësor i demaskimit publik të gjyqtarëve dhe prokurorëve me probleme) ka qenë e mirëkuptuar sa kohë që parimi se e vërteta është në interesin më të lartë publik ka qenë në themel të aktivitetit të KPK. Eshtë befasuese që KPK aplikon dy standarte për transparencën me publikun dhe median.  Teksa nxjerr në dritë “të palarat” e gjyqtarëve, ajo fsheh sekretet e veta. Ajo është zënë mat nga një kërkesë e thjeshtë për informacion, të cilën jo vetëm e ka refuzuar, por e ka goditur edhe në gjykatë. Perveçse ka ngarkuar vetveten me dyshime të panevojshme, KPK ka ngarkuar me një padi të panevojshme një sistemi të mbingarkuar gjyqësor, kryesisht prej largimit në masë të gjyqtarëve prej vendimarrjes së vetë KPK.  Do të ishte e llogjikshme që vetë gjykata, viktimë e vijës së parë e “krasitjes së thellë” që vetingu ka shkaktuar, të gjente kurajon profesionale për të peshuar drejt nëvojën e medias/publikut për të njohur linjat e financimit privat të institucioneve publike (KPK në rastin konkret) me nevojën nga ana tjetër  për të ruajtur konfidencialitetin e burimit të financimit, pasi në të kundërt mund të cënohet siguria kombëtare (siç pretendon KPK në rastin konkret). Një peshore të ndryshkur mund ta lironin edhe disa pyetje të thjeshta: Po sikur ky financim të vijë nga vende jo-miqësore, sikurse ka ndodhur në jo pak raste në sferën e politikës, e ndoshta dhe të medias?! Po sikur, financimi privat të këtë burim aktivitetet me sfond kriminal? Po sikur Irani të jetë prapa financimit të luksit në të cilin KPK ka zgjedhur të diskutojë strategjitë e veta, duke destabilizuar kësisoj institucionet nevralgjike të vendit, sic bëri me AKSHI dhe E-Albania? Të gjitha këto pyetje as do ishin ngritur fare as këtu e as në gjykatë në rast se KPK do të kishte bërë publike burimet e financimit të saj që në minutën e parë të marrjes së kërkesës për informim. Madje nuk do kishte patur problem bërja publik e informacionit as kur Komisioneri për të Drejtën për Informim i kërkoi zyrtarisht me vendim KPK bërjen publik të financimit të eventit në një resort luksoz.

Do të ishte e logjikshme që vetë gjykata, viktimë e vijës së parë e “krasitjes së thellë” që Vettingu ka shkaktuar, të gjente kurajon profesionale për të peshuar drejt nëvojën e publikut për të njohur linjat e financimit privat të institucioneve publike me nevojën nga ana tjetër për të ruajtur konfidencialitetin e burimit të financimit, pasi në të kundërt mund të cënohet siguria kombëtare.

Në një mënyrë krej jo-intuitive, Gjykata vlerësoi në vendimin e saj të datës 13 Shtator 2022 se “vendosja e klauzolës së konfidencialitetit në kontratë ka qenë e domosdoshme, pasi i shërben mbrojtjes së interesit publik, për shkak se objekt i këtij aktiviteti kanë qenë çështje të rëndësishme lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni në të ardhmen, strategjinë dhe planet afatgjata e afatshkurtëra, të cilat kurrësesi nuk mund të bëhen publike, pasi do të cënonin rëndë interesat e drejtësisë”. Në rastin konkret, kërkesa e BIRN dhe urdhri i Komisionerit lidhej vetëm me emrin e donatorit dhe jo me strategjitë dhe planet e KPK-së. Thënë kjo, është shokuese të lexosh në vendime gjyqësore të vitit 2022 argumenta juridikë të cilat janë të denja për kohën e Leninit, kur hidheshin bazat e shtetit të sekretit. Për fat të mirë, prej vitesh hartimi dhe diskutimi i strategjive në Shqipëri është një ngjarje publike, ku të gjithë aktorët e interesit janë të ftuar të kontribuojnë me argumenta e tyre në të mirë të institucionit dhe publikut. Një shëmbull i thjeshtë për këtë janë takimet e Grupit Tematik i Strategjisë Anti-korrupsion në Ministrinë e Drejtësisë. Një tjetër shëmbull transparence për t’u marrë shëmbull është sjellja ndaj medias e KLGJ, e cila dërgon linkun për ndjekjen “live” të çdo seance ku ajo merr vendime shumë të rëndësishme për Gjyqësorin. E sigurtë është që KPK duhet të ketë shumë arsye që e kanë detyruar të fshehë financimet private, të cilat për më tepër i ka marrë në këmbim të garantimit të konfidencialitetit për sponsorët e saj. Le të lutemi që këta sponsor nuk janë të paktën të lidhur me Rusinë, Kinën apo Iranin…