Drejtorët e shkarkuar kallëzojnë Ministrin e Drejtësisë në Prokurori dhe drejtorin teknik të burgjeve

581
Tre drejtorët e burgjeve të shkarkuar nga detyra, kallëzojnë në Prokurori ministrin e Drejtësisë Gazment Bardhi dhe drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve. Nëpërmjet një deklarate të përbashkët Etnor Krakulli, ish-drejtues i burgut të Fierit, Fatjon Fanaj, ish- drejtor i burgut “313” në Tiranë dhe Ahmet Bala ish-drejtues i burgut të Rrogozhinës, e cilësojnë si të paligjshëm dhe të paprecedentë shkarkimin e tyre. Ata thonë se ditën e shtunë, në datën 3 qershor 2017 u njoftuan për të marrë pjesë në një mbledhje të zhvilluar me të gjithë drejtorët e burgjeve si dhe me drejtorin e përgjithshëm të Burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë. Më tej shprehen se në përfundim të mbledhjes, u çuditën kur mësuan në media lajmin për largimin nga detyra me motivacionin e përfshirjes në fushatën elektorale. “Ky motivacion është i pabazë, i gënjeshtërt, i pa faktuar dhe tendencioz. Për më tepër në këto momente është shoqëruar dhe me akte të tjera antiligjore proceduriale, për të cilat ne do të vijojmë ndjekjen në rrugë ligjore. Është shqetësues që një vendim i tillë merret në këtë situate, kur institucionet të tilla që ne drejtojmë ndodhen aktualisht pa drejtues, çka të bën të mendosh se ky veprim nuk është i rastësishëm dhe pas tij ndoshta fshihet një qëllim edhe më i errët”, thuhet në deklaratë. Më tej nënvizohet se shkarkimi i tyre ndodh pikërisht kur fushata zgjedhore ka afruar, dhe synon keqpërdorimin e burgjeve nga partitë politike, duke rrezikuar me këtë akt dhe sigurinë kombëtare. Drejtorët e shkarkuar të burgjeve paralajmërojnë se do vazhdojnë betejën ligjore për të vënë dinjitetin e tyre në vend.
Sigal