Drejtësia në kolaps: Apeli kapet nga politika, 32 mijë dosje në pritje

106
Sigal

 

Ndërsa në gjykatat e apelit që u mbyllën, do të mbetet e hapur vetëm një zyrë informacioni për qytetarët ku këta të fundit do të kenë mundësi të kërkojnë informacion apo të depozitojnë ankesa.

 Harta e re gjyqësore hyri në fuqi dje në vendin tonë, ku pesë Gjykata Apeli do të shkrihen në një të vetme, në kryeqytet. Nga 21 mijë dosje që kishte në pritje Apeli i Tiranës, stokut i shtohen edhe 11 mijë të tjera nga rrethet, duke e çuar numrin e çështjeve, që presin në 32 mijë.

Gjykatat e Apelit në Shkodër, Vlorë, Durrës, Korçë dhe Gjirokastër do të shkrihen, ndërsa do të mbetet hapur vetëm një zyrë informacioni për qytetarët. Në këto zyra do të punojnë tre nëpunës civilë gjyqësorë dhe qytetarët do kenë mundësi të depozitojnë vetëm kërkesat.

Avokatët e kundërshtojnë hartën e re gjyqësore, të hartuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Si përgjigje ata bojkotuan për disa javë seancat gjyqësore.

Harta e re parashikon të funksionojë me 16 gjykata në total, 13 të Shkallës së Parë, një Gjykatë Apeli dhe dy Gjykata Administrative.

KLGJ shkriu 18 gjykata, duke reduktuar pesë Gjykata Apeli në një të vetme në Tiranë, nga 5 Gjykata Administrative në vetëm dy, në kryeqytet dhe në Lushnje, ndërsa gjykata të Shkallës së Parë nga 22 që ishin nga sot, do të jenë vetëm 13.

Vështirësia tjetër pritet të jetë mungesa e ambienteve të mjaftueshme për salla gjykimi dhe zyra për 25 gjyqtarë nga 78 që duhet të jenë në detyrë.

Dhe e fundit, vendi i pritjes për qytetarët që do të vijnë nga pesë Apelet që do mbyllen.

Avokatët: Kostot do shtohen

Hyrja në fuqi e hartës së re gjyqësore çka do të thotë 5 Gjykatat e Apelit në vend nuk funksionojnë më. Do të ketë vetëm një Gjykatë Apeli në Tiranë.

Gjykatat e Apelit në Gjirokastër, Korçë, Shkodër, Durrës dhe Vlorë prej (1 shkurt) nuk janë më funksionale. Me vendim të KLGJ-së këto gjykata janë shkrirë dhe funksionale do të jetë vetëm Gjykata e Apelit në Tiranë, që do të shqyrtojë të gjitha çështjet në rang republike.

Ndërsa në gjykatat e apelit që u mbyllën, do të mbetet e hapur vetëm një zyrë informacioni për qytetarët ku këta të fundit do të kenë mundësi të kërkojnë informacion apo të depozitojnë ankesa.

Ndërkohë, kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, në një takim mes anëtarëve të KLGJ dhe gjyqtarëve mëngjesin e së hënës, bëri të ditur se kjo hartë e re gjyqësore do të përmirësojë cilësinë e shërbimit. Sipas Llagamit, çështjet të cilat kanë filluar gjykimin në gjykatat e apelit në rrethe që u “shkrinë”, do të vazhdojnë gjykimin.

Kurse avokatët thonë se me shkrirjen e Gjykatave të Apelit, qytetarët do kenë më pak akses në drejtësi, ndërsa kostot e tyre do të shtohen.

Shkrirja e gjykatave do sjellë probleme të mëdha në shqyrtimin e dosjeve dhe qytetarëve do u duhet shumë vite për të marrë drejtësi për një çështje të caktuar.

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese padinë për hartën gjyqësore. Ata paralajmërojnë se mund të shkojnë deri në Gjykatën e Strasburgut, nëse Kushtetuesja e lë në fuqi.

Manjani: Gjykata e Apelit do të shndërrohet në një landfill dosjesh

Sipas ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, tashmë Gjykata e Apelit në Tiranë do shndërrohet në një landfill dosjesh.“Nga sot Gjykata e Apelit shndërrohet në landfill dosjesh gjyqësore. Janë rreth 30 000 dosje të depozituara në “Landfillin e vetëm” të shtetit. Janë edhe rreth 15 000 të tilla në Gjykatën e vetme të Apelit Administrativ. Kapaciteti “djegës” aty është i ulët. Kështu që kushdo që ka në dorë një vendim të gjykatës së shkallës së pare, por të ankimuar në Apel, t’i pijë lëngun për ca vite. A të keqen e reformës ore! Meqë ra fjala, kot s’i fut një koncesion edhe Gjykatës së Apelit. T’ia japim zonjsë Blair, p.sh. E qan ajo. Harrohet dhe McGolja me këtë rast…”

Llagami sqaron qytetarët: Çështjet që kanë filluar gjykimin në Apelet e rretheve do shqyrtohen atje

Ndonëse ka hyrë në fuqi harta e re gjyqësore, kryetarja e KLGJ Naureda Llagami sqaron qytetarët se të gjitha çështjet që e kanë filluar gjykimin në gjykatat e apelit në rrethe do e vazhdojnë gjykimin atje. Sipas Llagamit janë 1868 çështje që vazhdojnë gjykimin në rrethe.

Llagami theksoi se qytetarët do i bëjnë kërkesat në vendet ku kanë qenë gjykatat e Apelit dhe se atje do t’i marrin të gjitha informacionet, që lidhen për çështjen e tyre gjyqësore.

“Çfarë do ndodhë me qytetarët? Nuk do ketë pengesë. E vetmja pengesë që do ketë qytetari është se nuk do ta ketë gjyqtarin të aksesueshëm. Qytetari do ta marrë shërbimin aty ku e ka marrë për gjithë këto vite, pra në godinën e Gjykatave të mëparshme të Apeleve dhe aty do të marrë një shërbim i cili do të jetë jo vetëm i lidhur me informacionin, për të depozituar të gjitha aktet që duhen dhe të gjitha kërkesat që duhen për një gjykim në Apel apo një gjykim në Gjykatën e Lartë, por edhe për informacion për dosjen e tij në Gjykatën e Apelit. Nuk do kemi asnjë kufizim edhe të aksesit në gjykatë për qytetarin. Dhe programimi i çështjeve do e bëjë të mundur që qytetari të ketë mundësi që të vijë në Gjykatën e Tiranës.