Dramatike situata e zjarreve në Greqi, autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të rrinë në bregdet

177
Sigal

Ashtu si vendi ynë edhe Greqia fqinjë prej ditësh tashmë po përballet me vatra të shumta zjarri që kanë shkrumbuar pyje dhe kanë vënë në rrezik jetët e banorëve.

Siç raportojnë mediat në vend, banorët në Rovies po përballen me momente shumë të vështira ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje turistëve të mblidhen në plazh.

Si duket një front i madh zjarri po vjen nga ana veriore ndërsa flakët po kalojnë drejt një zone me pisha.

Flakët ishin prezentë edhe gjatë rrugës nga Lake për në Rovies duke detyruar policinë që të bllokojë qarkullimin në mënyrë që të mos rrezikohen njerëzit.

Ndërkohë, zjarrfikësit janë duke u munduar të shuajnë flakët nga oborret e shtëpive dhe po përpiqen të shpëtojnë banesat që janë të shpërndara në zonë.

Sipas raportimeve më shumë se 20 kamionë zjarrfikës janë rreshtuar në rrugën kryesore në Rovies, duke krijuar një zonë mbrojtëse për shtëpitë.

“I lutemi shtetit për përforcim të menjëhershëm të forcave tokësore dhe ajrore në mënyrë që të mos mbajmë zi për njerëzit” , u shpreh për mediat kryetari i Limni -t , George Tsapourniotis.

Ai e përshkroi situatën si dëshpëruese dhe jashtë kufijve të normales.