Dr. Islam Cani: Në Shqipëri nuk ka laboratorë dhe profesionistë të fushës së plastikës

786
Çokollatat dhe shumëllojshmëria e tyre, por dhe problematikat që shfaqin tek konsumatori. Doktor Islam Cani, Kryetar i Shoqatës së Konsumatorit në një prononcim për gazetën “Telegraf”, shprehet i shqetësuar për rrezikun që ka konsumimi i çokollatave, kjo si pasojë e fshehjes së etiketës, që nuk ke mundësi të njohësh përbërësit e kësaj çokollate, por edhe ambalazhimi, i cili ndikon po ashtu negativisht. Pasi mbyllja hermetike sjell një prishje të produktit që ambalazhojnë. Konsumatori duhet të jetë ai që të bëjë kujdes në përzgjedhjen dhe konsumimin e produkteve. Nuk kemi mundësi të japim informacione. Çfarë fshihet? Ka të dhëna për afera korruptive dhe mitmarrje. Ka të dhëna se për një artikull ushqimor, të këtyre ditëve të fundit u janë dhënë 100 mijë dollarë disa drejtuesve të institucioneve shtetërore përgjegjëse, për garantimin e cilësisë, futjes së prodhimit nga dogana. 
Zoti Cani, si doktor dhe që jeni marrë shpesh me këtë fushë, çfarë mund të na thoni diçka më shumë për publikun?
Llojshmëria e çokollatave nuk është vetëm ajo që themi për 2-3 copë që dalin në treg, ose ajo që për një kohë, çështja e çokollatës me plastikë, etj. Ne duhet ta shtrijmë këndvështrimin më tej rreth çokollatave. Çokollata është produkt që përdoret nga shumë njerëz, e akoma më shumë nga fëmijët dhe seksi femër, (kryesisht). Këto përbëjnë pjesën më të madhe të shoqërisë sonë. Çokollatat njëkohësisht janë të shijshme, mirëpo duhet të flasim për llojshmërinë e tyre. P.sh. në klube, kafe etj. kudo që shkon, ti merr një çokollatë. Por ti nuk e shikon se ajo çokollatë mund të ketë zënë myk dhe mund të ketë qenë shumëvjeçare në magazinë. Mund të ketë të futur pak më shumë dozë sheqeri, por në këtë rast ne marrim myk, dhe kur marrim myk duhet të dimë që kemi marrë një shumëllojshmëri sëmundjesh, por dhe sëmundje që shërohen me vështirësi, dhe u japin fëmijëve dhe njerëzve që i përdorin. Ato madje japin dhe gjendje ankthi, p.sh. kur janë të përbëra me qumësht, aty nuk e përmend llojin e qumështit. Qumështi mund të ketë laktozë, ose jo. Nëse ka laktozë, ka disa njerëz që janë shumë të ndjeshëm nga sistemi nervor dhe u shkakton atyre gjendje ankthi dhe ata nuk e dinë se nga u vjen kjo. Pra, në këtë rast duhet të kemi një sinqeritet ose pasqyrim të asaj përmbajtjeje që ka çokollata. Në çokollata të zakonshme të tjera që përdorim dhe i marrin njerëzit për përdorim shtëpiak, por dhe në ambalazhime të ndryshme tregu. Duke i mbajtur më shumë se koha e caktuar, dhe të mbështjella pa mundësi ajrimi, shkaktohen lloje myku. Jo të gjithë i hapin. Thamë që çokollatat prodhohen me qumësht, gjalpë, kakao, bajame, lajthi etj. Të gjitha këto, kërkohet që të ketë një “deklaratë” që është etiketa. Në etiketë fillimisht shkruhet data e prodhimit dhe skadimit. Më pas, shkruhet përmbajtja, sasia e kakaos, qumështit ose diçkaje tjetër, etj.

Konsumi i këtyre çokollatave, ç’dëm sjell në organizëm, duke qenë se ju thoni se përmbajnë myk?

Akuza më e madhe ndër produktet ushqimore është dhe myku. Myku është ai që jep format më të rënda, më të theksuara ose më të qëndrueshme në organizëm, të cilat janë format alergjike. Nëse ato lokalizohen në zorrë, çojnë në dhimbje barku, të vjella, ndjesi ngopjeje, sidomos tek fëmijët! Mirëpo, japin dhe forma të tjera alergjike, si kruajtje lëkure dhe shqetësime të ndryshme. Ndonjëherë, nga analizat, ngatërrohen dhe me parazitë. Pra, sjell një numër të madh shqetësimesh tek njerëzit, përveçse ka dhe mykra që çojnë deri në dëme të mëdha jetësore e shëndetësore. Pra, kjo mund të ndodhë dhe në produkte të tjera, sepse dhe tek mielli duhet të kemi kujdes. Gjithashtu edhe tek kosi, i cili mbyllet në vende të nxehta, dhe për ditë të tëra qëndron atje. Kur hapim kapakun, shikojmë një ngjyrë jeshile, të ngjitur tek pjesa plastike e kapakut. Sigurisht që është shumë i dëmshëm. Përveç dhimbjeve të barkut, ka dhe forma të tjera që ndikojnë në funksionin e mëlçisë, pankreasit, zorrëve etj.

Doktor, përmendët dhe ambalazhin që ka një funksion të rëndësishëm në ruajtjen ose prishjen e produkteve që konsumojmë, si çokollatat, mielli ose kosi. Po ambalazhi?

Kur flasim për produktin, të gjithë produktet ambalazhohen në një formë apo tjetër. Kur flasim për prodhimin e ambalazhit me plastikë, duhet të kemi parasysh (që më vjen keq ta them, por unë nuk di të ketë) që nuk ka më kontrolle apo analiza të plastikës ushqimore dhe jo ushqimore. Shpeshherë, në ekonominë e tregut, çështja e kontrollit është puna më e rëndë dhe kontrolli duhet të jetë më i kujdesshmi, më i sakti, më i përgatituri dhe sigurisht më i rrepti në kërkesë, sepse ambalazhi, me plastikë ose jo, madje dhe vetë letër, duhet të jetë i kontrolluar dhe dezinfektuar. Kështu duhet të jenë ambalazhi ose format e tjera të paketimit. Në këtë fushë vuajmë shumë.

A ka një kontroll për këtë ambalazh?

Më vjen mirë që interesoheni. E para, kemi ligje të mira, përgatitur nën kujdesin dhe direktivat e KE. Ato janë bërë nën kujdesin e shoqërisë civile. Ne jemi pjesëtarë kryesorë në këto ligje që kanë të bëjnë me shërbimet njerëzore. Me thënë të drejtën, dhe çështjet e akteve nënligjore dhe një armatë e madhe, është e përqendruar për çështjen e kontrollit, por mua më vjen keq ta them që çështja e kontrollit është nga format më të ulëta. P.sh. kur u bënë deklaratat në mëngjes, që çokollatat janë të parrezikshme, në drekë gjysmë të rrezikshme, dhe në darkë shumë të rrezikshme, dhe më pas u kërkua pezullimi i tyre, u tregua një moskujdes i vetë inspektoratit, me nivel të ulët. Por dhe drejtuesit kryesorë që bëjnë deklarata të tilla, humbasin krejt besimin e konsumatorëve dhe qytetarëve, dhe ulet autoriteti i marrëdhënieve “shtet-popull” apo “shtet-konsumator”, sepse ata janë përfaqësuesit dhe ekzekutivët, dhe nuk u ndërhyn kush për kontrollin ose masat që ato bëjnë. Për mendimin tim, duhet të forcohet puna në kontroll dhe njëkohësisht të bëhet më shumë për çështjen e edukimit. Ne, për edukimin qytetar dhe të tregut, punojmë shumë pak.

Në media u përfol se ka çokollata që në përbërje të tyre kanë plastikë dhe është ajo që thatë ju, në mëngjes kishte një deklaratë tjetër, në darkë një tjetër dhe më pas pati heshtje….

Unë them që edhe tani tregu nuk është i kontrolluar, pavarësisht se ç’kanë thënë, se nuk kontrollohet tregu brenda 24 orëve dhe më pas të bësh 3-4 deklarata brenda këtij harku kohor. Kjo do të thotë që s’bëhet kurrgjë. Edhe tani, tregu vuan për një kontroll apo tërheqje të produkteve, sepse kontrolli bëhet i sipërfaqshëm, me fushatë, njerëz jo të përgatitur mirë dhe nuk bashkëpunohet me shoqërinë civile. Ato kanë kokëfortësi dhe u duket sikur vetëm ata janë që dinë. Ne kemi dhjetëra ankesa. S’di të vijë një në derën tonë dhe të na thotë se ç’mund të bëjmë me këto ankesa, ose ç’ bëjmë ne. Ligjet janë të mira, aktet janë të mira. Njerëzit duhen përgatitur shumë.

A bëhen këto analiza në Shqipëri? Ka bazë materiale, por edhe specialistë të fushës?

Ne kemi Laboratore, por për plastikën, për disa kimikate dhe bakterie të ndryshme ne nuk i kemi. Siç janë gripi i derrit, sëmundja e pulave etj. Ka diçka për të qeshur edhe për të qarë. Ka bazë materiali po nuk ka specialist. Kur mungon specialisti si do dalë rezultati pra. Pra ne nuk jemi një shtet i fuqishëm që të bëjmë këto analiza. Minimumi që zgjat përgjigja e analizës është 7 ditë, maksimumi 3 javë. 
Si ka mundësi që jashtë shtetit, përgjigjet e analizave duan javë të dalin, kurse këtu dalin brenda ditës?!

Kur folëm për çështjen e deklaratave ose analizave, është më e vogla një analizë, që t’i merret përgjigja para 3 ditëve. Analiza të tjera që kanë të bëjnë me mykun, parazitë të përmasave të padukshme, dhe të atyre që bëhen me mbjellje, zgjasin minimalisht një javë. Si mundet që brenda 24 orëve të jepen rezultate dhe në mëngjes të thuhet se janë të padëmshme? E theksoj se kam dhimbje, se humbja e qytetarëve të organit kontrollues është çështje e madhe. Kjo ka të bëjë me çështjen “popull-shtet”, “popull-besim” etj.

Çokollatat që u përfolën si të dëmshme, pse vazhdojnë të tregtohen sërish?

Pikërisht këtë duhet të sqarojë organi i kontrollit bashkë me ministrinë që japin urdhrin, sepse ka raste që krijohen ekipe dhe kontrolle, që në qoftë se pas analizave dalin të përdorshme, atëherë një komision specialistësh të mirëfilltë dhe laboratorikë, prej 3-4 vetësh, shtyjnë afatin dhe lejohet përdorimi. Unë s’kam parë as në shtyp, as në TV, as specialistët vetë që të bëjnë deklarata të tilla, që pas një kontrolli laboratorik të vendoset që të përdoren, se janë të padëmshme.

Një këshillë nga ana juaj për të gjithë konsumatorët, që nuk e thonë persona të cilët duhet të flasin dhe jo vetëm të japin deklarata?

Unë dhe gjithë ekipi im që punojmë këtu, jemi specialistë. Ne bëjmë një punë shumë të madhe rreth edukimit qytetar. Punojmë pa pagesë dhe interesa, dhe nuk shohim duart se ç’marrim nesër. Ne punojmë në mënyrë vullnetare. E thashë dhe njëherë që kemi ankesa. Duhet të respektojmë organet e kontrollit dhe të mbajmë qëndrimet e tyre. Lidhur me këtë kam një këshillë; E para, njerëzit duhet të jenë më të aftët në kontrollin e inspektoriatit. E dyta, duhet të jenë shumë më aktivë lidhur me bashkëpunimin me shoqërinë civile, që të kenë informacion të plotë. Së treti, atë që deklarojnë në mëngjes apo darkë, dhe thonë që do hiqet, ajo duhet të hiqet nga tregu, dhe pasi të bëhet gjithë kjo, duhet të bëhet një deklaratë tjetër që “u kontrollua” dhe “është e lejueshme”. Unë s’di akoma pse lejohen, sepse jo për të gjithë çokollatat u bë fjalë, apo jo për të gjithë ushqimet, sepse ne folëm për mykun dhe shumë ushqime. Ne kemi përshtypjet tona dhe ankesat lidhur me ushqimet që mbahen në depo dhe magazina në temperatura të larta, të ulëta, ose në lagështi, janë të shumta. Po ta shohim bukën në tërësi dhe me kujdes, ka një kore të thatë dhe tul të qullët, që është afër kufirit për bacil mezenterik. Pra është ajo që ne quajmë “mykrat” që shkaktojnë disa nga sëmundjet e zorrëve. Kështu ndodh me shumë ushqime, jo vetëm me çokollatat që u bënë problem nga dikush tjetër dhe ne e morëm nga shtypi. Duhet një përgatitje e madhe, ose ndoshta unë e kërkoj dhe me forcë, por si përfaqësues kujtoj që më takon ta them që njerëzit duhet të jenë shumë të përgatitur dhe të ndërgjegjshëm kur flitet fjala “inspektor”.

Si ka mundësi që nuk bëhen mediatike gjithë këto probleme? Kosi, buka… pse kalohen në heshtje?

Heshtja ka shumë faktorë. Nuk është shumë e lirë. Tjetri nuk t’i thotë lirshëm gjërat. Ne nuk jemi çliruar nga frika. E kemi akoma, nuk na ka dalë plotësisht. Shoqëria civile nuk është që shteti të investojë për të që të ketë edukim dhe grupim, por ka më shumë centralizim te organi shtetëror, dhe kjo është. Nuk është kjo! Shoqëria civile ka investimet e veta në tërë buxhetin shtetëror, dhe janë format edukative që kërkohet besim tek ta. Por ç’është shoqëria civile duke u zënë dhe duke u rrahur me njerëzit dhe policinë? S’është forma e shoqërisë civile kjo! Kjo është formë agresive! Shoqëria civile është marrëdhënie edukative, sqarim problemesh dhe duhet përdorur forma më edukative. Duhet punë e madhe për edukimin e qytetarëve në tërësi dhe për të rinjtë në veçanti. Duhet një punë e madhe, pavarësisht se pensionistët duan njëfarë këshillimi dhe bisede. Pra, kërkon investime për edukimin.
Si mund të mbrohet konsumatori, duke qenë se ai nuk po mbrohet nga produktet që konsumon?

Format e organizimit brenda sektorit shtetëror janë inspektoriatet. Kemi AKU. Kemi inspektoriat në shëndetësi. Kemi inspektoriat në mjedis, por mbrojtja mjedisore nuk ekziston askund! Është kot! Mjedisi është mjaft në rrezik. Duhet një organizim i ri në drejtim të mbrojtjes. Për sa i përket mbrojtjes shtetërore, kjo është çështje e madhe. Ne kemi keqkuptim në folje e diskutim. Është tjetër mbrojtja shtetërore, tjetër ajo qeveritare dhe tjetër ajo e pushtetit lokal ose qendror. Nuk është shtet ky. Ato janë pushtete! Janë pjesë e shërbimit. Shërbimi i përditshëm është ai që duhet të mendojë atë ditë se si do t’i shërbejë popullit. Ai ka mendjen si të marrë projekte. Ne s’morëm projekte. Shoqëria civile s’merr projekte. Unë kam 12 vite që s’marr projekte. Projektet i merr qeveria. I marrin edhe thonë se i bënë ata. Duhet një përkujdesje e re, siç flitet për “Rilindje”. Rilindja kërkon edhe këtu një thellim të madh për edukimin qytetar.
Pra konsumatori duhet të mbrojë veten?!

Ky është parim! Por ai e mbron veten pasi e edukon veten! Organet shtetërore janë ato që paguhen dhe marrin nga taksat e qytetarëve.
Sigal