Dr. Dhimitër Xhaferi: Shërbimi mjekësor në urgjencat e spitaleve rajonale

755
Sigal

SHËRBIMI MJEKËSOR NË REPARTET E URGJENCËS TË SPITALEVE PERIFERIKE

Intervistë dhënë gazetarit ,Agron MEMA nga Dr. Dhimitër Xhaferi, Doktor i Shkencave Mjekësore dhe Mjeshtër i Madh i Punës.

Përshëndetje Doktor Dhimitri! Mund të na thoni në nisje të kësaj interviste për lexuesit e gazetës “TELEGRAF” se kush janë faktorët që influencojnë në përmirësimin e shërbimit mjekësor në repartet e urgjencës?

Përshëndetje juve dhe gazetës së nderuar”TELEGRAF” që në faqet e saj përditë i kushton vëmendje problematikës mjekësore. Komunikimi i personelit mjekësor me të sëmurët dhe familjarët, është një nga faktorët më të rëndësishëm në shërbim, krahas politikës ligjore adekuate, nivelit profesional dhe organizimit të vet spitalit. Pritja e mirë e të sëmurit ka rol të rëndësishëm në figurën që spitali kërkon të paraqes së jashtmi. Çdo tentativë për përmirësimin e kësaj figure kërkon në plan të parë ndërgjegjësimin e detyrës dhe arsimimin përkatës të personelit, sipas nivelit të tij. Kështu, p.sh. , mungesa e arsimimin përkatës lejon dështimin e objektivit që kërkohet. Përkundrazi një arsimim adekuat në kombinimin  me ndihmat e ndryshme komplementare që disponohen, lejon aplikimin e një shërbimi racional në mënyrë që të evidentohen superdiagnozat dhe shtrimet e pajustifikueshme nëpër spitalet tona.

Cila është metodologjia që mund të aplikohet në këtë shërbim?

Personeli i shërbimit në repartin e urgjencës së pari duhet të ketë parasysh prejardhjen demografike dhe nivelin kulturoro-edukativ të të sëmurëve që paraqiten në urgjencë,sëdyti, nivelin e perceptimit të problemit shëndetësor që paraqet i sëmuri si dhe procedurat e ndryshme diagnostike dhe terapeutike ndaj, të cilave i sëmuri i nënështrohet, pa lënë mënjanë pikëpamjen e tyre për personelin mjekësor që jep ndihmën urgjente. Mjekët në urgjencë ndeshen me nivele të ndryshëm pacientësh.

  1. Sh. , paraqiten të sëmurë që nuk kanë asnjë informacion për sëmundjen e dhënë dhe nuk janë marrë në mënyrë sistematike me problemet e tyre mjekësore. Kështu, p.sh., nuk njohin asgjë për tensionin arterial të gjakut të tyre, nuk ndjekin programet mjekësore në masmedia dhe nuk janë paraqitur asnjëherë tek mjeku, ose ka të tjerë që janë paraqitur në institucionet mjekësore vetëm për ekzaminime imazherike. Një grup tjetër të sëmurësh janë paraqitur në institucionet mejkësore dhe janë të kënaqur nga niveli dhe kushtet e shërbimit mjekësor.

Ekzistojnë pikëpamje të ndryshme nga qytetarët për nivelin e shërbimit mjekësor, ku bazohet kjo dukuri?

Pikëpamjet e ndyshme mbi nivelin e shërbimit mjekësor janë të justifikueshme dhe kanë burime të ndryshme multifaktorial. Në këtë intervistë le të mbështetemi në dy faktorë të mëdhenj:

1-Në komunikimin e personelit mjekësor me të sëmurët e familjarët dhe kryesisht në komunikimin me mjekët.

2-Faktor tjetër janë arsyet se përse ata paraqiten në urgjencë.

Lidhur me pikën e parë të komunikimit, mund të themi se qytetarët paraqesin opinionin e tyre mbi shërbimin mjekësor, në qendër të gjykimit vendosin mjekët. Ata, së pari, shprehen lidhur me sjelljen qytetare të tyre, sepse nuk janë në gjendje ( jo gjithmonë) të interpretojnë raportin midis nivelit shkencor bashkëkohor dhe njohurive të mjekëve për zgjidhjen praktike të problemeve mjekësore. Por kjo nuk do të thotë se pacientëve nuk u intereson niveli shkencor i mjekëve dhe aftësitë shkencore individuale të tij. Të sëmurët paraqiten tek mjeku apo në një institucion mjekësor duke pasur parasysh opinionin e përgjithshëm mbi nivelin shkencor të tyre dhe pas kësaj kërkojnë nivel të mirë komunikimi e sqarimi. Disa herë janë vënë re gabime mjekësore nga komunikimi i mangët i komunikimit i personelit mjekësor me të sëmurët dhe familjarët. Pakënaqësitë janë të formave të ndryshme dhe mosbesimi herë është i bazuar dhe herë pa baza. Disa herë janë dënuar mjekë pa të drejtë, sepse dënimi i tyre nuk është bazuar mbi të dhënat shkencore. Kjo shtron para shoqatës së mjekëve rritjen e autoritetit të tyre dhe zgjidhjen ligjore të padrejtësive, pa ja lënë këtë problem individit, pra mjekut. Një nga rolet kryesore të shoqatës së mjekëve, apo të urdhërit të mjekut, është edhe mbrojtja e argumentuar shkencërisht e individit, d.m.th. e mjekut. Në këtë mënyrë mbrohet komuniteti mjekësor dhe rritet besimi i publikut ndaj këtij komuniteti. Detyra e mjekut nuk është mënyra se si të luftojnë këto opinione, por detyra e tyre është të rrisin nivelin e tyre shkencor dhe të ushtrojnë profesionin si misionarë të mjekësisë. Sa më shumë mjek misionarë të kemi në rang republikë, aq më shumë do të rritet besimi i publikut ndaj mjekësisë tonë.

Ç’mund të na thoni për shërbimin e rojes së mjekëve në repartet e urgjencës së spitaleve?

Për kushtet e periferisë, shërbimin e mjekut roje në repartet e urgjencës e kryerjen dhe duhet ta kryejnë mjekët e rinj. Ndërsa për sa i përket mjekëve të specializuar si, kirurgët, kardiologët, gjinekologët etj., duhet të bëjnë roje gadishmërie ( sekond call) për çdo ditë pune apo pushimi. Kjo do të thotë gjatë gjithë kohës ( full time). Në këtë mënyrë sigurohet ndihma e kualifikuar permanente ndaj të sëmurëve dhe njëkohësisht lehtësohet puna e mjekëve të rinjë. Mund të them se ky lloj shërbimi aplikohet në SH.B. A. Dhe asnjëherë nuk është kritikuar për nënvlerësim në shërbimin urgent. Aktualisht në shërbimin tonë të urgjencës, mjeku i rojes paguhet mirë. Në këtë shërbim mjeku i rojes, jo vetëm që caktohet në bazë të një programi të përcaktuar, por edhe ata vet, për interesat e tyre, kërkojnë të punojnë 24 orë të tjera shtesë deri në 6 apo 8 roje në muaj. Në këtë mënyrë ata humbasin gjumin, argëtimin e tyre, nuk çlodhen siç duhet etj. Kjo është diçka jo fiziologjike dhe e mundimshme, sepse mund të çojë në dëmtime fizike ose do të dëmtohen moralisht për shërbim pa efektivitet dhe jo të saktë. Veprime të tilla çojnë në mashtrim të institucionit ,i cili duket sikur me dëshirë kërkon të mashtrohet. Flasim për mashtrim sepse institucioni nuk ka mundësi të kontrollojë efikasitetin e përditshëm të këtyre mjekëve, jo se kjo është e pamundur, por sepse të paktën ky lloj kontrolli nuk është modeluar deri tani.

Mjekët kirurg në periferi janë të pakët dhe kryejnë roje gadishmërie gati gjithë jetën, si shpërblehet ky shërbim?

Shërbimi i mjekëve të rojes në spital paguhet mirë, por shërbimi i gadishmërisë së specialistëve dhe konkretisht i kirurgëve, nuk paguhet siç duhet. A thua se këta kirurgët e periferisë janë ndërtuar nga ndonjë material i veçantë dhe duhet të kryejnë roje gadishmërie gjithë jetën pa shpërblim. Specialistët e gadishmërisë zgjidhin problemet e urgjencës në çdo orë të ditës dhe të natës pa shpërblimin e duhur. Bëhet fjalë për vlerësim jo të barabartë midis mjekëve të rojes në spital dhe shërbimit të gadishmërisë. Kjo deri diku influencon në zënien e çdo përpjekjeje personale për të bërë më shumë e më mirë. Ky është edhe një faktor shtesë për përqëndrimin e urgjencave të shumta në qendër. Akoma mund të themi se rrogat e ulëta në mjekësi, shpërblimi jo i duhur i mbipunës së mjekëve dhe personelit të mesëm që shërbejnë në sallat e operacionit në rrethe si dhe infrastruktura jo efektive në shërbim, favorizojnë largimin e këtyre kuadrove në drejtime të ndryshme.

Si e vlerësoni ju subvencionimin për mbipunën e mjekëve?

Natyrisht që roja i gadishmërisë duhet të vlerësohet në bazë të karakteristikave të secilit shërbim. Kjo do të thotë se duhet ti përgjigjet kohës së vlefshme për dhënien e ndihmës urgjente cilësore, d.m.th. subvencionimi duhet ti përgjigjet mbipunës që do të kryhet. Duhet kuptuar e vlerësuar mirë se është tjetër problem rroga dhe tjetër problem subvencionimi. Në shërbimin e rojes në urgjencën e spitaleve dhe në shërbimin e gadishmërisë, subvencionimi duhet të kryhet në mënyrë të veçantë për çdo mjek shërbimi. P.sh. në shërbimin e rojes së urgjencës në spital, përse duhet të shpërblehet një mjek roje i cili nuk mund të vendosi një kateter urinar për të lehtësuar të sëmurin nga tortura e mosurinimit, në dallim me një jek që është në gjendje ta kryej këtë shërbim?

Ose një mjek që nuk mund të vendosi një sondë nazogastrite në rastet kur e kanë për domosdoshmëri urgjente?.

Akoma duhet adoptuar shërbimi i nevojshëm për një kirurg gadishmërie ,i cili mban qëndrim korrekt, p.sh., në një hemoragji ekstra durale të kokës që mund të zhvillohet vrullshëm gjatë orëve të para të traumës së kokës. Në këto raste kërkohet detyrimisht diagnostikim dhe kryerjen e hapjes së kafkës së kokës në kohën e duhur, sepse të tilla situata kërcënojnë jetën e të sëmurëve që në orët e para të traumës. Kjo do të thotë se koha nuk na lejon për të kërkuar ndihmën e neurokirurgut, sidomos kur kirurgu i rrethit përcakton zgjerimin e njëanshëm të pupilës, gjë që tregon se ka filluar dekompensimi, domethënë kërcënimi i jetës. Nuk ka kohë për observim të mëtejshëm. Ndërhyrja kirurgjikale duhet bërë menjëherë për aq kohë sa të vihet në gadishmëri salla e operacionit. Të tilla raste duhet të përballohen nga kirurgu i përgjithshëm dhe pikërisht këta duhet të shpërblehen ndryshe në krahasim me ta që për një arsye apo tjetrën, nuk mund të japin ndihmën e duhur në kohën e duhur. Akoma edhe prania e përkohshme e mjekut të gadishmërisë për të ndihmuar mjekun e rojes në urgjencë për një problem mjekësor që kërkon zgjidhje.

Shtrojmë pyetjen a mund të realizohen këto probleme në spitalet tona periferike?

Natyrisht që çdo gjë mund të realizohet e mund të zgjidhet. Vlerësimi dhe stimulimi i shërbimit jashtë orarit të punës do të jetë i favorshëm si për mjekët edhe për publikun që ka nevoja shëndetësore. Paratë e shtetit nuk duhen harxhuar në bazë të skemës së barazitizmit, por në bazë të aftësive për zgjidhjen e problemeve urgjente mjekësore.

FALEMINDERIT DOKTOR!