Dr. Bujar Leskaj: SAI i Kuvajtit-një partner modern i KLSH. Profili, drejtuesit dhe e ardhmja e bashkëpunimit Kuvajt-Shqipëri

827
Sigal

Byroja e Auditimit Shtetëror të Kuvajtit përfaqëson institucionin suprem të auditivit (SAI-n) të këtij vendi mik të Shqipërisë. Ajo është krijuar më 7 korrik 1964, një vit më vonë pasi Kuvajti, shteti i parë arab në Gjirin Persik, mbajti zgjedhjet parlamentare dhe themeloi Parlamentin dhe Kushtetutën e vendit. SAI kuvajtian e ka misionin dhe vizionin e tij, si dhe modalitetet e veprimit, të bazuara në Kushtetutën e Kuvajtit. Më pak se dy muaj më parë, ky SAI i zhvilluar dhe potent festoi 54 vjetorin e krijimit. Institucioni funksionon si një zyrë e auditimit me status monokratik, pra me Audituesin e Përgjithshëm si Kryetar.

Profili i SAI-t kuvajtian

Kuvajti është një vend që e ka mbështetur zhvillimin tonë si shtet dhe shoqëri përgjatë këtyre 27 viteve demokraci, me donacione të shumta dhe projekte madhore në mjaft sektorë të ekonomisë shqiptare. Numërohen në qindra milionë dollarë kontributet e deritanishme të Qeverisë dhe popullit mik kuvajtian, dhënë me bujari Shqipërisë përgjatë gati tre dekadave. Në të njëjtën kohë, Byroja e Auditimit Shtetëror e Kuvajtit përfaqëson një institucion modern dhe inovativ, jo vetëm në organizatën rajonale të INTOSAI-t, në ARABOSAI, ku ofron një kontribut të jashtëzakonshëm, por edhe në komunitetin e të gjitha institucioneve supreme të auditimit në botë. Byroja renditet ndër SAI-t e pakta që realizon auditimet të llojit “para-faktit (ne anglisht ex-ante audit)”, si dhe ka mbi 20 vjet që kryen auditime të performancës në një numër të konsiderueshëm ne nivel vjetor. SAI kuvajtian gëzon pavarësi të plotë funksionale dhe financiare. Kryetari i Asamblesë Kombëtare(Parlamenti i vendit) ka të drejtë të vendosë për alokimin e fondeve te SAI-t dhe Byroja e Auditimit ka shumë kontroll mbi këtë proces. Ligji siguron llogaridhënien e SAI-t. Byroja e Auditimit Shtetëror ka kompetenca të kërkojë të gjitha të dhënat nga institucionet dhe organizatat e audituara, për të përmbushur mandatin e saj. Ka kompetenca për të zbatuar ose filluar veprime përmbarimore për të siguruar qasjen në të dhënat e nevojshme që ka kërkuar dhe nuk i janë siguruar. Ligji i jep SAI-t të drejtën për ta bërë këtë. Byroja ka fuqinë për të vulosur, konfiskuar dhe kërkuar dokumente dhe sende të tjera të lidhura me evidencat e auditimit, aty ku konsiderohet e nevojshme. Po ashtu, SAI ka fuqinë për të kërkuar dëshmi të personave të interesuar. Kjo ndodh përmes misionit të para-auditimit të SAI-t. Byroja e Auditimit Shtetëror ka kompetenca për të denoncuar dhe udhëzuar agjencitë hetuese të Shtetit për të kryer veprime që konsiderohen të nevojshme. Byroja e Auditimit Shtetëror te Kuvajtit kryen të gjitha llojet e auditimeve, si auditimin financiar, të përputhshmërisë dhe të performancës. Ligji përcakton llojet e auditimit dhe metodat praktike për kryerjen e tij. Byroja kryen auditime paraprake(për shembull, përpara se sa një koncesion të jepet) dhe të posaçme. Llojet e transaksioneve dhe aktiviteteve që marrin vëmendje të veçantë të auditimit nga Byroja janë tenderat përpara kontraktimit. Tre drejtimet kryesore ku përqendrohet aktiviteti auditues janë:

  • Auditimi i të ardhurave, shpenzimeve dhe aseteve
  • Auditimi i Personelit / Rekrutimi
  • Auditimi i Performancës së institucionit

SAI kuvajtian ka një sistem të plotë të ndjekjes dhe zbatimit të gjetjeve të auditimit. Ai sigurohet që rekomandimet e përmendura në raportin e tij te auditimit të respektohen. Byroja e Auditimit Shtetëror te Kuvajtit mund të angazhojë konsulentë dhe/ose të marrë shërbime profesionale në kryerjen e auditimit. SAI mund të raportojë për akte që cenojnë interesat ekonomike të Shtetit, si përvetësimi masiv i pasurive të Shtetit, humbje serioze dhe keqmenaxhim e shpërdorim të pasurisë ose të fondeve shtetërore. Byroja kërkon që për të gjitha mashtrimet financiare apo përvetësimet dhe abuzimet e konstatuara gjatë auditimit, të audituarit të mbajnë përgjegjësi të plotë. SAI kuvajtian ka kompetenca për të ndjekur raste të tilla. Byroja e Auditimit Shtetëror të Kuvajtit ka një rol të fuqishëm këshillues në administratën publike. Ajo konsultohet nga agjencitë dhe strukturat e tjera shtetërore që përgatisin projekt-ligje, përpara se këto projekte të miratohen nga Asambleja Kombëtare. Byroja është një institucion kompakt dhe i mirëorganizuar, i cili e bazon zhvillimin e saj të qëndrueshëm mbi plane strategjike afatmesme. Planet Strategjike të Byrosë për vitet 2006-2010, 2011-2015 dhe 2016-2020 kanë pasur dhe kanë në qendër të tyre, ndër të tjera, një qëllim kryesor: “Zhvillimin e mjeteve të komunikimit dhe promovimin e shkëmbimit të njohurive dhe përvojës”, në bazë të motos së INTOSAI-t “Experentia mutual Ombibus prodest (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë”.Plani Strategjik i fundit për vitet 2016-2020 përbëhet nga tre Qëllime Strategjike, ndër të cilat qëllimi i tretë ka të bëjë me nxitjen dhe shkëmbimin e njohurive dhe përvojës me homologët, organizatat ndërkombëtare dhe grupet rajonale. Ky objekti ka përfshirë tre nën-objektiva:

  1. Aktivizimi i procesit peer review (rishikimi mes kolegëve) dhe sistemit të kontrollit të bashkëpunimit në partneritet me SAI-t simotra.
  2. Përgatitja e një plani për ndarjen e përvojave dhe për të mësuar praktikat më të mira në bashkëpunim me SAI-t partnere, organizatat dhe organet vendore dhe ndërkombëtare.
  3. Forcimi i bashkëpunimit në auditim me organizatat ndërkombëtare të auditimit, për të zhvilluar aftësitë dhe kapacitetet e stafit të Byrosë.

Drejtuesi i SAI-t kuvajtian-një personalitet i spikatur në komunitetin INTOSAI

Presidenti në detyrë i Byrosë së Auditimit Shtetëror të Kuvajtit(pasi deri ne vitin 2015 shërbeu si ZvPresident) është Dr. Adel Al-Sarawi, një personalitet i hapur i shoqërisë kuvajtjane por edhe i komunitetit te auditimit të jashtëm publik në botë, kreativ në ide dhe veprime.

Më 7 mars 2017, së bashku me Presidentin Al-Sarawi, si KLSH, në kuadrin e bashkëpunimeve institucionale me SAI-t e vendet të rajonit tonë, me Gjykatën Evropiane të Audituesve e me Zyrën e Auditimit të Qeverisë së SHBA-së (GAO), nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy SAI-ve të Shqipërisë dhe Kuvajtit, duke plotësuar gjeografinë e bashkëpunimeve institucionale, të cilat përbëjnë shtyllat e modernizmit të KLSH-së.

Në këtë periudhë rreth një vit e gjysmë, po e konkretizojmë dhe zbatojmë me sukses marrëveshjen e nënshkruar në Tiranë, falë seriozitetit dhe angazhimit të Audituesit të Përgjithshëm të Kuvajtit, Dr. Al-Sarawi. Bashkëpunimi me SAI-n kuvajtian është i rëndësishëm për ne si Kontroll i Lartë i Shtetit, pasi nëpërmjet auditimeve të përbashkëta, vizitave të ndërsjella të audituesve shqiptarë dhe atyre kuvajtianë, workshop-eve, si dhe organizimit te konferencave të përbashkëta shkencore, arrijmë të forcojmë kapacitetet tona institucionale. Në marrëveshje përcaktuam një kalendar të aktiviteteve për periudhën 2017-2021.

Konferenca e parë e përbashkët Shkencore SAI kuvajtian-KLSH

Një produkt tejet konkret dhe strategjik i marrëveshjes ishte organizimi nga Byroja e Auditimit Shtetëror të Kuvajtit i Konferencës Shkencore të përbashkët me KLSH-në për riskun në auditim, në prill të këtij viti në qytetin e Kuvajtit. Në Konferencë morën pjesë përfaqësues të lartë nga Zyra e Auditimit Shtetëror të Polonisë(NIK), Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës, Banka Qendrore Kuvajtiane, Koorporata Kuvajtiane e Naftës dhe Autoriteti Publik i Sigurimeve Shoqërore Kuvajtiane. Konferenca bazohej në frymën e bashkëpunimit reciprok dhe moton e INTOSAI-t: “Nga eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë”, si edhe tek domosdoshmëria për të aplikuar qasje e metodologji të reja audituese. Ajo trajtoi tre tema themelore: Auditimi mbi bazën e riskut, risqet e punës institucionale, si dhe qasja ndaj revolucionit digjital të Big Data (të dhënave masive), të cilat janë sot kryefjala e zhvillimeve më të fundit të progresit në auditimin suprem publik kudo në botë.

SAI kuvajtian prezantoi punën e bërë në hartimin e një drafti metodologjik institucional për kalimin nga auditimi me bazë sistemi në atë me bazë risku. Sfidat që paraqiti ky punim rezononin me sfidat që ndeshin aktualisht edhe SAI-t e Shqipërisë, Kosovës e Polonisë. Po ashtu, konferenca pati një prezantim të Koorporatës Kuvajtiane të Naftës, që solli eksperiencën e gjerë të saj në menaxhimin e riskut organizacional nga një industri gjigante, siç është ajo e naftës në Kuvajt, me vlerë të spikatur edhe për industrinë tonë të naftës. Dy prezantime të tjera me mjaft interes ishin ato të Bankës Qendrore Kuvajtiane dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Të dyja këto institucione dëshmuan se si një menaxhim i mirë dhe proaktiv i risqeve rezulton me sufiçite të njëpasnjëshme të rezultateve financiare vjetore për ato vetë dhe institucionet që mbikëqyrin.

Gjate punimeve të konferencës, zhvilluam takim me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, z. Marzouq Al-Ghanim (i dyti në hierarkinë shtetërore, pas Emirit të Kuvajtit), si dhe me Kryetarin dhe anëtarët e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financën. Në takimin me Kryetarin e Parlamentit kuvajtian, falënderuam për ndihmën dhe bashkëpunimin e ofruar nga institucionet e Shtetit kuvajtian, duke theksuar rëndësinë e auditimit të jashtëm publik dhe te bashkëpunimit mes dy SAI-ve tona, si faktor në forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes Shqipërisë e Kuvajtit. Në takimin me përfaqësuesit e Komisionit të Ekonomisë, diskutuam për opsionet e zgjidhjes se mosmarrëveshjeve në rastet e konkluzioneve të auditimeve tona, të cilat nuk pranohen nga subjektet e audituara, si dhe për mënyrat se si mund të përdoren auditimet e performancës për t’i bërë më informative e të dobishme aktivitetet e punës audituese.

xxx

E ardhmja e SAI-t kuvajtian dhe e bashkëpunimit Kuvajt-Shqipëri në auditimin e jashtëm publik

Duke bashkëpunuar me INTOSAI-n, Byroja e Auditimit Shtetëror të Kuvajtit po punon me intensitet për të monitoruar realizimin e objektivave të “Agjendës 2030” të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ndërkohë, bashkëpunimi me PNUD konsiston në monitorimin e realizimit të objektivave të Qeverisë së Kuvajtit për Programin e saj “Vizioni Kuvajt 2035” dhe më konkretisht, në periudhën afatmesme, për zbatimin e Planit Kombëtar të Zhvillimit të Kuvajtit 2015-2019. Byroja e Auditimit Shtetëror te Kuvajtit po monitoron zbatimin e Kornizës së Menaxhimit Kombëtar të Performancës në detaje, duke përfshirë modelin e qeverisjes, proceset dhe elementet e tjera të mundshme, si:

  • Hartimi i kuadrit të zhvillimit të kompetencave për institucionet përgjegjëse të zbatimit të Planit Kombëtar
  • Përcaktimi i indikatorëve sektorialë për sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe naftës
  • Realizimi i fluksit të informacionit, kërkesat e të dhënave dhe mekanizmit të raportimit.

Në bashkëpunim me ekspertët e PNUD, Byroja e Auditimit Shtetëror po punon për zhvillimin e analizave mbi lidhjet dhe hendeqet midis planeve dhe kapaciteteve strategjike, për menaxhimin e performancës në realizimin e Planit, si dhe për vlerësimin e praktikave më të mira ndërkombëtare, të cilat mund të aplikohen në kontekstin e Kuvajtit. Bazuar në një traditë tashmë solide 20 vjeçare, SAI kuvajtian po punon gjithashtu që funksioni i Auditimit të Performancës të rritet ndjeshëm dhe të forcohet, me krijimin e një kuadri të qëndrueshëm të auditimit të performancës, të bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare. Kjo po mundëson një auditim më efektiv mbi performancën e subjekteve të ndryshme brenda qeverisë dhe Shtetit, duke theksuar treguesit kryesorë të performancës që monitorojnë aspekte të ndryshme si operacionet dhe kontrollet e brendshme, qeverisja, transparenca dhe cilësia e shërbimeve të ofruara.

xx

Më datat 3-7 shtator 2018, Byroja e Auditimit Shtetëror të Kuvajtit do të organizojë në qytetin e Kuvajtit Takimin Vjetor të Komitetit të Ndërtimit të Kapaciteteve të INTOSAI-t dhe të Komitetit Drejtues INTOSAI-Donatorë. Tema e sesionit të sinergjisë në mbledhjen vjetore të Komitetit të Ngritjes së Kapaciteteve të INTOSAI-t është “Së bashku të ecim përpara!” dhe do të përqendrohet në bashkëpunimin afatmesëm dhe afatgjatë ndërmjet SAI-ve partnere, me ndihmën e institucioneve donatore. Takimi quhet sesion sinergjie, pasi është organizuar bashkë me Komitetin e Bashkëpunimit INTOSAI-Donatorë. Në këtë event të rëndësishëm për komunitetin INTOSAI, KLSH është ftuar nga Presidenti i SAI-t polak(NIK), z.Krzysztof Kwiatkovski dhe nga SAI kuvajtian, që të japë eksperiencën e saj në bashkëpunimin mes SAI-ve partnere. Institucioni ynë do të tregojë bashkëpunimin e frytshëm të audituesve shqiptarë me audituesit e NIK-ut polak dhe të SAI-t të Kroacisë, në kuadër të Projektit të Binjakëzimit për rritjen e kapaciteteve të auditimit të jashtëm publik të Shqipërisë, financuar nga fondet IPA 2013 të Bashkimit Evropian. Jemi ftuar edhe nga drejtuesit e Komitetit të Ndërtimit të Kapaciteteve të INTOSAI-t, të cilët synojnë realizimin e sinergjisë me Komitetin e Bashkëpunimit me donatorët po të INTOSAI-t. Rasti shqiptar do të prezantohet si një shembull për t’u ndjekur nga mënyra se si ai u konceptua dhe u konkretizua, nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë mes SAI-ve partnere. Po ashtu, në Kuvajt më 3-7 shtator 2018, ne si KLSH do të diskutojmë me Presidentin Dr. Al-Sarawi aktivitetet e ardhshme të bashkëpunimit tonë, ku ndër kryesoret është organizimi i Konferencës së ardhshme të përbashkët shkencore në Tiranë, në pranverë 2019, me temë qendrore të saj “Pavarësia e institucioneve supreme të auditimit dhe sfidat e qeverisjes së mirë”.