Dr. Agim Nelaj:Kafshët shoqëruese, rreziku dhe mbrojtja ndaj tyre

2102
Sigal

INTERVISTË/ Flet për “Telegraf”, Doktori i Shkencave Veterinare, Dr. Agim Nelaj

Bashkëjetesa me kafshët shoqëruese, qen, mace, etj., po përhapet gjerësisht në shoqërinë tonë të sotme, dhe shpeshherë bëhen edhe burim i shumë sëmundjeve që kalojnë nga kafsha tek njeriu, pa prekur këtu rrezikshmërinë e qenve rrugaçë të kudondodhur nëpër këmbë të qytetarëve. Pikërisht për këtë situatë alarmante, për shëndetin e njeriut, gazeta “Telegraf” kontaktoi me Dr. Agim Nelaj, i cili sqaron lidhjen psiko-biologjike të këtij fenomeni, efektet, pasojat dhe kujdesi me masat që duhet të kihen parasysh.

Përshëndetje Dr. Agimi! Ardhja e demokracisë dhe hapja me botën ka shtuar së tepërmi bashkëjetesën e njeriut me kafshët shoqëruese, kryesisht qen dhe mace. Fillimisht, lidhur me këtë fenomen masiv, a ka lidhje psiko-biologjike lidhur me këtë bashkëjetesë njeri –kafshë?

Po! Është një pyetje interesante për një problem jetik, për arsye se përmasat e bashkëjetesës së familjarëve me kafshët e shoqërimit,veçanërisht është zgjeruar shumë. Psikologët dhe shkencëtarët që janë marrë me këtë fenomen, kanë konstatuar se kjo bashkëjetesë kryesisht ekziston tek njerëzit që kanë probleme, por edhe për mendimin tim, kjo ka lidhje me zhvillimet e ndryshme të botës, si shpirtërore, materiale, ekonomike. Pra lidhet me disa probleme si streset, me ankthet që ka njeriu, dhe kërkon që nëpërmjet marrëdhënieve që lidh me këtë kafshë, kryesisht me qenin, që t’i zbutë sado pak efektet e kësaj gjendjeje shpirtërore dhe psikologjike. Kam mendimin që një nga problemet kryesore që lidhet me këtë problem, ka të bëjë edhe me një fakt tjetër. Sot janë dy grupe njerëzish që u afrohen shumë kafshëve, ose merren më shumë me to, fëmijët dhe të moshuarit, pa mohuar edhe moshën e mesme, pra pothuajse të gjithë, po më e theksuar tek grup-mosha e parë dhe e dytë. Pra ka një ndarje moshore në një farë kuptimi, gjithmonë po flasim për kafshët e shoqërimit, jo për ato të statusit tjetër si qen roje, gjahu apo stani. Dhe në përgjithësi është më e përhapur kjo bashkëjetesë tek familjet që nuk kanë fëmijë, ose i kanë të larguar, ka dhe familje aristokrate. Por kryesisht tek ato familje që, siç thuhet, është çerdhja bosh, dhe kërkojnë që në këtë mënyrë ta plotësojnë këtë boshllëk shpirtëror. Dhe me fëmijët në përgjithësi është shumë e zhvilluar, kjo psikologjikisht edhe me botën e tyre dhe edukimin fëmijëror nëpërmjet përrallave. Dhe në qytetin tonë, Sarandën, ky fenomen është shumë i përhapur. Fëmijët janë të lidhur me kafshët, krijojnë një farë lidhjeje në formë komunikimi dhe vetë këto kafshë përshtaten mjaft mirë me këta fëmijë. Pra këto janë dukuritë psiko-biologjike të marrëdhënieve  midis kafshëve të shoqërimit dhe njerëzve.

Profesor, përveç këtyre shkaqeve psiko-biologjike dhe efekteve pozitive anti-stres dhe argëtues që bën tek bota shpirtërore e njeriut, a ka edhe pasoja negative për shëndetin dhe çfarë masash duhet të marrin këta persona që një pjesë të botës së tyre shpirtërore e lidhin me komunikimin e kafshëve, si duhet t’i shmangen kësaj?

Përgjigjen do ta ndaja në dy pjesë:1-Në qytetin tonë ka kafshë që do ti quaja të disiplinuara. Pra njerëzit që janë në marrëdhënie me këto kafshë,ruajnë disa rregulla të përgjithshme dhe 2-kemi edhe qentë rrugaçë që enden nëpër qytet dhe shumica kanë edhe të zot, por i kanë lënë jashtë kujdesit, dhe kjo kategori është shumë problematike, sidomos për qytetin tonë turistik. Bashkia ka vite që merr masa që nga armët, lëndët helmuese etj, për t’i zhdukur dhe ata nuk zhduken, por shtohen. Por kjo mënyrë, ndonëse jo produktive, bie ndesh edhe me disa raporte shpirtërore. Bota ka rregulla dhe një nga më efikaset është sterilizimi i tyre, me qëllim që ata në mënyrë graduale t’i largojmë nga qyteti duke u hequr nëpërmjet sterilizimit, të drejtën e riprodhimit,  pra një masë që është aplikuar në gjithë botën, veç grumbullimit dhe trajtimit nëpër azile të veçanta. Por edhe sterilizimi i largon nga qyteti, sepse ata kërkojnë të rrinë nëpër vende të fshehta. Po të shikosh në periudhën e pranverës dhe vjeshtës, ata shtohen shumë. Dhe po vramë 10 apo 15 qenë rrugaçë,vetëm një buçe pjell kaq sa vramë, dhe duke riprodhuar edhe ata të tjerë, pra kemi një progresion gjeometrik, ndërsa vrasja progresion aritmetik. Pra qentë janë kudo, në trotuare, nëpër këmbë të njerëzve dhe askush nuk interesohet për to, vetëm me fushata, pra duhen marrë masa që njerëzit të jenë më të sigurt ndaj tyre. Është një problem që kërkon zgjidhje. Ndërsa kategoria tjetër e qenve, unë mendoj që tek ne, në Sarandë, ka njëfarë rregullshmërie. Në klinikën time, të gjithë qentë shoqërues pajisen me një librezë kombëtare ku ka të gjithë treguesit si të vaksinimit, kohën dhe mënyrën e bërjes, kurimet që marrin për sëmundje të ndryshme që kalojnë etj. Pronari me këtë librezë shkon në klinikë, si brenda dhe jashtë vendit dhe merr medikamentin që nevojitet për kurimin e sëmundjes së kafshës. Pra ky është një problem i zgjidhur sot. Pra dashuria për kafshën i detyron njerëzit të shtojnë edhe kujdesin për to. Por mendoj që në këtë periudhë ka disa probleme që janë vënë re, dhe dua të them disa rregulla që njerëzit t’i kenë parasysh:shumica e njerëzve shikohet që marrin qentë dhe i fusin në det, në mjediset e plazhit ku lahen qytetarët, dhe kjo përbën një problem. Qeni ka një biologji të caktuar të lëkurës së tyre, nuk ka gjendra djerse dhe e mban gjuhën gjithë kohën jashtë, duke lëshuar edhe sekrecione dhe këtu duhet të tregohemi të kujdesshëm, por edhe për shëndetin e qenit, se po t’i vini re, qentë sa dalin nga uji dridhen, le të jetë temperatura e jashtme disa gradë mbi normalitetin, duke shtuar edhe prekjen e disa sëmundjeve tek veshët. Pra duhet kujdes. Një problem tjetër që vihet re në këtë periudhë, ka të bëjë me marrjen e disa masave  në lidhje me parazitët që kanë qentë sot.

Po fëmijët sa të rrezikuar janë kur qëndrojnë pranë kafshëve? Nga cilat sëmundje mund të preken?

Në përgjithësi fëmijët, pa e ditur, i ledhatojnë kafshët dhe preken nga disa sëmundje që kalojnë nga kafsha tek njeriu, të cilat janë me pasoja. Një nga më të përhapurat është leshmanoza, dhe po t’i shikosh qentë, ka shenjat e përhapjes së kësaj sëmundjeje në lëkurë. Pra duke qenë fëmijët me ta, preken nga shumë sëmundje. Vaksinat që kryhen në klinikat veterinare mbulojnë 7-8 sëmundje kalesë nga kafsha tek njeriu si lia, hepatiti, tifo e qenit etj., por veç këtyre janë edhe sëmundjet e parazitëve të zorrëve dhe shumë të tjera. Pra shëndeti i kafshës shoqëruese, lidhet edhe me shëndetin e njeriut, po të përmendim edhe përhapjen e parazitëve si pleshtat, këpushat që krijojnë një ambient të pakëndshëm familjar.

Si duhet bërë ushqyerja e tyre?

Një problem tjetër që duhet pasur parasysh në marrëdhëniet me qentë, është të ushqyerit e tyre. Shpesh njerëzit mundohen t’i ushqejnë me mbeturinat e ushqimit të tyre, duke shpërfillur ushqimet e gatshme për to. Këtu duhet treguar kujdes, se qeni është mishngrënës dhe nuk duhet të hajë makarona apo të kësaj natyre, pasi krijon një situatë jo të këndshme në problemet e zhvillimit trupor, pra duhet ushqimi shtazor, por edhe këtu do zgjedhur, se për shembull mishi i pulës apo sallami nuk janë të përshtatshme dhe krijojnë situata jo të këndshme shëndetësore. Por ajo që duhet pasur parasysh është kujdesi ndaj sëmundjeve që delegohen nga kafsha tek njeriu, ndaj lypset një higjienë perfekte.