Doris Pack: Veting-u të nisë nga Vlahutin

542
Pack : Unë ndihem e turpëruar nga akuzat, se përfaqësuesja e Bashkimit Evropian përpiqet të vërë nën presion Tiranën zyrtare në votimin dhe zbatimin e reformave dhe nga anën tjetër dëgjojmë lajme për blerje vilash të shtrenjta dhe gjëra të tilla, atëherë unë ndihem e turpëruar. Pack : Situata kanabisit që ishte vetëm një fenomen lokal në Shqipëri tani është përhapur në të gjithë vendin. 

Pack : Kjo tregon mungesë të vullnetit në luftën kundër trafiku të drogës, që tenton të bëhet e organizuar dhe në këtë mënyrë, krimi i organizuar hyn apo influencon edhe politikën. 

Doris Pack është një emër i njohur për shqiptarët. Politikania gjermane, ish-deputete e Parlamentit Evropian dhe aktualisht Presidente i forumit të gruas të Partive Popullore Evropiane (PPE) dhe Kryetare e Bordit Këshillimor të “A Soul for Europe”. Znj. Pack ishte në Tiranë për të marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga Lidhja Demokratike e Grave në bashkëpunim me Fondacionin “Konrad Adenauer”. Por, si një politikane “veterane” me njohuri të mira për situatën në Shqipëri dhe Ballkan, është gjithmonë e vlefshme të marrësh opinionet dhe komentet e saj mbi situatën aktuale politike. Patëm një bisedë interesante me znj. Pack mbi disa tema në lidhje me politikën shqiptare dhe rajonale, Ballkani përballë BE-së dhe situatën në Evropë. Çfarë mendon ajo për politikanët më të lartë shqiptarë, mbi performancën e qeverisë, për gjendjen e reformave, për zërat rreth ambasadores së BE-së në Tiranë, pse është ajo aq e shqetësuar në lidhje me trafikun e drogës dhe situatën me kanabisin në vend, ngërçin politik në Maqedoni dhe akuzave në lidhje me “ndikimin e Sorosit”… 

– Znj. Pack, ju falënderojmë që gjetët kohë për këtë bisedë. Do të doja të filloja me një përshtypje apo mendim tuajin për këto 3 vite e gjysmë të qeverisjes së koalicionit të majtë, pothuajse një mandat… 

Më duhet të them se unë e shoh si një mandat jo dhe aq të suksesshëm. Në përgjithësi, qeveria ka dështuar në luftën kundër korrupsionit, siç kishte premtuar. Disa pjesëtarë të Parlamentit janë gjetur fajtorë për krime të ndryshme, disa të tjerë janë akuzuar dhe disa prej tyre tashmë janë jashtë Parlamentit. Rastet janë bërë publike, nuk do të ndalem në detaje, por këto gjëra nuk duhet të kishin ndodhur. Nga ana tjetër, unë shoh që të rinjtë duan të largohen nga vendi; vetëm pak investime të reja janë bërë dhe ata nuk gjejnë alternativa të tjera, përveçse largimit nga vendi. Kjo më bën shumë të trishtuar. 

– Po sa i përket performancës së Kryeministrit Rama? 
Unë kam parasysh që ai duhet të jetë një person më shumë popullor jashtë vendit, se sa paraardhësit e tij … Natyrisht ai është një aktor shumë i mirë në arenën ndërkombëtare, por ai duhet të jetë me të vërtetë i interesuar në qeverisjen e vërtetë dhe rezultatet konkrete për njerëzit e vërtetë dhe kjo gjë nuk ka rënë shumë në sy. Ju jeni votuar, jo për të qenë popullor në arenën ndërkombëtare, por për të rregulluar gjërat në vendin tuaj. 

– Ky koalicion qeverisës ka një partner strategjik, z. Ilir Meta dhe LSI-në; si do ta përcaktoje elementin LSI: si një korrektues të disa politikave qeverisëse apo si pengesë? 

Unë besoj se z. Meta mund të kishte bërë më shumë, mund të kishte guxuar dhe të kontribuonte më shumë. Ju e dini, mua më kujtohet që kur ishte fare i ri pa asnjë fuqi të vërtetë brenda Partisë Socialiste në takime të ndryshme ndërkombëtare. Ai ishte një i ri me shumë vlera, shumë energji dhe me propozime të mira. Ai mund të kishte ndryshuar politikën shqiptare shumë më tepër nga sa ka bërë: ndoshta ai ende mund ta bëjë këtë gjë, nëse është i përkushtuar me të vërtetë.

– Ndërkaq, Partia Demokratike në opozitë, anëtare e Partive Popullore Evropiane ku edhe ju ishit pjesë, ka një udhëheqës të ri, z. Basha. A keni ndonjë koment për të? 

E shoh Basha si një udhëheqës të ri me të vërtetë i interesuar për të bërë ndryshime. Takimet e tij në Evropë janë mirëpritur, pasi ai ka ide dhe propozime të mira. Unë mund të përmend iniciativën e partisë së tij për dekriminalizimin e Parlamentit dhe administratës. Por sigurisht që ai nuk është në pushtet, partia e tij është minorancë dhe në fakt ai nuk mund të ndryshojë asgjë në të vërtetë. Mbase njerëzit presin më shumë nga ai, por unë e di se nuk është e lehtë të mbash peshën e opozitës, kur jeni një lider i ri. 

– Znj. Pack, reforma në drejtësi ka qenë refreni i politikës dhe medias në Shqipëri këto muajt e fundit. Për aq sa ju i keni ndjekur ngjarjet ose më mirë të themi peripecitë e kësaj reforme që në hapat e parë, a jeni optimiste apo shpresëplotë për rezultatin? 

Shikoni, gjëja më e rëndësishme është implementimi. Ne e dimë dhe ju e dini se Shqipëria ka ligje shumë të mira në letër. Kur është fjala për zbatimin, çdo gjë ndryshon. Sigurisht që reforma në drejtësi është kaq shumë e nevojshme. Një gjyqësor i pavarur është një shtyllë e fortë në një vend vërtetë demokratik. 
Sigal