Dorëhiqet Astrit Beci, Drejtor i Fondit të Sigurimit Shëndetësor

531
Pak ditë pas bërjes publike të skandalit me rimbursimin e barnave ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), Astrit Beci.
Beci ka deklaruar se, i takon prokurorisë t’u shkojë deri në fund hetimeve. Ai ka shtuar: “Për arsye të sekretit hetimor, kam zgjedhur gjatë kësaj periudhe të mos flas publikisht”.
Javën e kaluar, me urdhër të prokurorisë u arrestua Pjerin Xhuvani, me detyrë drejtor i Fondit Rajonal për Rimbursimin e Ilaçeve. Ai, së bashku me 7 persona të tjerë, janë nën hetim për skandalin e mashtrimit nëpërmjet faturave fiktive, duke shkaktuar një dëm prej 56 milionë lekësh, si rimbursime barnash nga shteti.
Deklarata e plotë e Astrit Beci për dorëheqjen nga posti i drejtorit të FSDKSH
Në emër të dinjitetit tim personal, në shprehje të përgjegjshmërisë më të lartë institucionale, me dëshirën për t’i hapur plotësisht rrugën cdo hetimi dhe me vullnetin për të ruajtur dhe forcuar emrin e mirë të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor: “Deklaroj dorëheqjen time të parevokueshme nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të këtij Fondi, i bindur se krijoj kështu klimën më të mirë institucionale për mbarëvajtjen e reformës në shëndetësi dhe për luftën e domosdoshme kundër korrupsionit. Jam krenar për arritjet e shënuara në këtë periudhë 20 mujore gjatë së cilës kam drejtuar një prej Enteve më të rëndësishëm në zemër të reformës më të vështirë të ndërmarrë nga një administratë politike. Në dokumentat bashkëngjitur do të gjeni të plotë arritjet e kësaj periudhe, e cila ka qenë e vështirë, plot me sfida dhe me shumë kënaqësi që prodhon puna e përbashkët. Falenderoj çdo bashkëpunëtor që ka qenë pranë meje me kontributin e tij dhe jam i bindur se arritjet e shënuara gjatë kësaj periudhe nga stafi që kam drejtuar, janë të pakthyeshme dhe të qëndrueshme.
Në lidhje me hetimin penal të kërkuar prej meje si Drejtor i Përgjithshëm për shpërdorimet dhe përfitimet e paligjshme nga skema e rimbursimit të disa subjekteve farmaceutike, i takon institucioneve të drejtësisë t’i shkojnë deri në fund politikës “zero tolerancë” ndaj korrupsionit, që unë kam zbatuar në krye të Fondit. Për arsye të sekretit hetimor kam zgjedhur gjatë kësaj periudhe të mos flas publikisht. Me përfundimin e projekt-raportit auditit kam dërguar pranë Drejtorisë së Tiranës rekomandimet per masat organizative, disiplinore dhe administrative, të cilat mendoj që do të mundësojnë mirë-administrimin e kësaj drejtorie. Jam i bindur se pasardhësi im në detyrë do t’i ketë ato përparësi të punës së tij. Duke falenderuar personalisht të gjithë ata që patën besim tek unë dhe më mbështetën moralisht dhe institucionalisht, mbetem i bindur se cdo arritje e secilit është një hap më tej i vendit dhe i qytetarëve të tij drejt një standardi më të lartë e më të merituar jetese. 
Sigal