Dokumenti/ Farsa e Vetingut, Balluku firmos për mandatin e motrës. Përkrahet nga PD

572
Sigal

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, njëkohësisht deputete e Partisë Socialiste, është një prej ligjvënësve që ka nënshkruar nismën për zgjatjen e mandatit të komisionerëve të Vetingut, ku përfiton edhe motra e saj, Pamela Qirko, kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), struktura formalisht e pavarur që kryen Vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Nisma farsë dhe në kushtet flagrante të konfliktit të interesit është miratuar të premten e kaluar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve me votat e maxhorancës dhe të opozitës së bashku.

Kjo e fundit ka qenë tejet kritike me standartet e ndjekura nga Komisionerët e Vetingut, megjithëse duket se tashmë i ka harruar dyshimet e saj.

Në dokumentin  dallohet qartësisht se emri dhe nënshkrimi i Ballukut për ndryshimet kushtetuese që synojnë zgjatjen e mandatit të KPK-së gjendet në numrin rendor 31, në një listë me 39 propozues të kësaj nisme.

Në foto: Dokumenti ku Belinda Balluku firmos për zgjatjen e mandatit të motrës së saj, Pamela Qirko

Por, kjo situatë nuk i ka penguar aspak deputetët e opozitës që, më së paku të ngrenë pikëpyetje mbi emrin e motrës së Ballukut.

Ligjvënësit opozitarë në Komision kanë miratuar në heshtje nismën e maxhorancës, pa u përfshirë aspak në diskutime.

Vetëm deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, ka shprehur kundërshtitë e forcës politike që përfaqëson mbi këtë procedurë.

Ajo deklaroi se LSI është mbështetëse e zbatimit të Reformës në Drejtësi, por ka pikëpyetje mbi standartet e ndjekura nga individët (komisionerët) që kryejnë procesin e rivlerësimit për gjyqtarët dhe prokurorët.

Xhixho u shpreh kundër nismës së maxhorancës, duke e vënë theksin tek situata e konfliktit të interesit ndërmjet motrave Balluku-Qirko.

Në përfundim të mbledhjes së përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, deputetët e maxhorancës dhe opozitës miratuan projekt-ligjin “Për një ndryshim në ligjin 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”.

Sipas këtij ndryshimi kushtetues, mandati i komisionerëve të Vetingut, i cili përfundonte në Korrik 2022, shtyhet deri në Dhjetor të vitit 2024.

Nisma për zgjatjen e mandatit të komisionerëve të Vetingut është prezantuar zyrtarisht nga deputetja socialiste, Klotilda Bushka.

Sipas relacionit, propozohet zgjatja e mandatit, pasi komisionerët kanë pasur problematika infrastrukturore në përmbushjen e detyrës së tyre në mandatin 5-vjeçar.

Nisma e maxhorancës u përkrah menjëherë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i përbërë nga një grup juristësh të huaj, të super-paguar, që vëzhgojnë procesin e Vetingut shqiptar.

Në vijim, edhe një Opinion i Komisionit të Venecias u shpreh në parim dakord me zgjatjen e mandatit të Vetingut, përsa kohë që Parlamenti shqiptar e dëshiron diçka të tillë dhe që nuk shkel parimet ndërkombëtare.

Trupa prej 12 anëtarësh e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është kritikuar për standartet të shumëfishta të ndjekura gjatë procesit të rivlerësimit për gjyqtarë e prokurorë të ndryshëm.

Në shumë raste, vendimmarrja e tyre ka qenë lehtësisht e parashikueshme, pa nisur procesi i rivlerësimit për subjekte të caktuar, ku gjyqtarë e prokurorë pranë maxhorancës apo që i kanë shërbyer asaj, kanë kaluar me sukses kontrollin e trefishtë, pavarësisht problematikave të theksuara.