Djegia e të moshuarit në Shijak nga qiriri, prej vitesh i kishin prerë dritat

554
Rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm, një i moshuar 70-vjeçar në Shijak është djegur në banesë nga pakujdesia.
Policia e Durrësit njofton se i moshuari aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë në gjendje të rëndë për jetën, për shkak të djegieve të mëdha që ka pësuar.
“DurrësLajm” ishte në banesën e të moshuarit H.Sh.ku ra zjarri. Sipas dëshmive të fqinjëve, 70-vjeçari jetonte prej disa vitesh pa energji elektrike. Që kur dha urdhër qeveria që t’i ndërpritej energjia të gjithë debitorëve, të moshuarit ia kishin prerë dritat, dhe për shkak të varfërisë ishte detyruar të jetonte nën dritën e qirinjve.
Fqinjët thanë për “DurrësLajm” se ai jetonte vetëm me djalin e tij të pamartuar në banesë, ndërsa gruaja kishte ndërruar jetë. Duke qenë në varfëri të plotë, at e bir s’kishin pasur mundësi ekonomike që të paguanin e të rilidhnin energjinë, por kishin gjetur ndriçim te qiriri, i cili i vuri dhe flakën banesës.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shkak ka qenë lënia ndezur e një qiriri, ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sigal