Sigal

Dje u martua sot i vuri zjarrin shtëpisë së burrit. Kjo është drama sociale që vjen nga Fieri ku zjarri ka shkrumbuar një banesë në fshatin Grecalli. Pavarësisht mbërritjes së shpejtë të shërbimit zjarrfikës flakët përpinë gjithçka në pak minuta.

Në momentin e zjarrit në banesën e Trifon Gjikës nuk ka pasur familjarë, ndërsa dyshohet se flakën ia vuri nusja e djalit të tij për shkak të konflikteve në familje. Rudina Ismaili është grindur më herët me bashkëshortin dhe vjehrrin, ndërsa është ndaluar nga policia disa metra larg banesës së shkrumbuar. Bashkëshorti i saj, Ardian Gjika rrëfen dramën me gruan e tij të dytë, me të cilën ishte martuar vetëm një ditë më parë, të dielën.

“Dje e mora nga shtëpia me gjithë plaçka. Ka bërë presion dhe më herët ajo. Ajo vuri njëherë zjarrin edhe më përpara. Dje u martova me atë, sot më dogji shtëpinë. Më thoshte do më dërgosh te nëna dhe unë i thash kam punë. Jam 100% i sigurt që ajo e ka djegur shtëpinë”- u shpreh Ardian Xhika.

Banesa është djegur plotësisht duke bërë që familja të dalë në qiell të hapur. Shuarja e flakëve në kohë ka bërë që të shpëtojnë nga zjarri banesat e tjera aty pranë.