DITARI I PERSONAZHEVE KOMBËTARE NDËR VITE

923
Xheladin ÇELMETA*

Takim me Personazhe dhe Korifej…
DITARI / “Ja çfarë më thanë Dhimitër Shuteriqi, Kristo Frashëri, Nasho Jorgaqi, Zija Çela, Cen Kazazi e Abdulla Krutani” 
Detaje të shkëputura nga intervistat ndër vite, me shkrimtarë të shquar, historianë dhe veteranë të LANÇ
Kujtime; të shkruara e ta pashkruara, të fiksuara nëpër foto pa fund apo në disqe magnetofoni që shpalosin fletët e ditarit tim të punës si gazetar ndër vite… Mbresa, emocione, përshtypje të grimcuara, por edhe detaje të ngulitura fort në memorie, për njerëz të zakonshëm; për personazhe të rëndësishëm e të parëndësishëm; si dhe për miq e shokë; me të cilët ndava momente të vështira në jetë apo në gëzime. Po aty janë edhe shënimet e mbresat e pashlyera për takime me korifej të letrave shqipe, me të cilët kam patur fatin të takohem e ti marr në intervista si; Dhimitër Shuteriqi, Nasho Jorgaqi, Moikom Zeqo, Zija Çela; me historianë të shquar, si; Kristo Frashëri, Xhemil Frashëri apo me veteranë të LANÇ, si; të mbijetuarit e kampeve naziste të përqendrimit të Mat’hauzenit e të Prishtinës; Beqir Xhepa, Enver Plepi, Burhan Bushati e Abdulla Krutani. Këta dy të fundit, janë ende gjallë sot dhe mbahen mirë me shëndet. Them kështu me bindje, pasi i kam takuar dhe vetë, jo larg, por vetëm pak kohë më parë…Ja disa detaje mbresëlënëse, gjatë intervistave me ta. 
Dhimitër Shuteriqi: “Dhimbja më e madhe, është atëherë kur vuan Atdheu…!”
Kishte vetëm pak kohë që kish kaluar marrëzia e vitit të mbrapshtë ’97. Vendi po stabilizohej, por pasojat në të gjithë vendin, ishin të rënda kudo. Ushtria po ringrihej, dhe nëpër faqet e gazetës “Ushtria”, organ i Ministrisë së Mbrojtjes, botonim herë pas here kronika të inaugurimit të reparteve të rimëkëmbura. Gazeta kishte një staf të vogël. Pesë veta bëheshim gjithsej. Thanas Tane, kryeredaktori ynë, një gazetar profesionist e mjaft i talentuar, më thotë: “Shko tek shkrimtari Dhimitër Shuteriqi dhe merri një opinion për situatën që po kalon Shqipëria aktualisht”. Më shpjegoi që shtëpinë e kish te ish-kinema “Partizani”. U emocionova. Në çast më shkoi mendja tek filmi “Udha e shkronjave”, skenari i të cilit, siç dihet, është bazuar tek tregimi “Buka dhe thika” i këtij shkrimtari të madh, me pamje rilindësi. Nuk e zgjata. Mora diktofonin dhe u nisa. Trokas. Derën ma hap e zonja e shtëpisë, bashkëshortja e shkrimtarit, Minevere Shuteriqi, një grua fisnike. I thashë se përse kisha ardhur. Pa e zgjatur, ajo më çoi në dhomën ku ndodhej shkrimtari, që ishte ndërkohë dhe studioja e tij e punës. Katër faqet e murit mbuloheshin nga rafte librash pa fund. Aty ndodhej tryeza ku shkruante dhe tri karruke, ku siç dukej ai priste njerëzi e medias. Dukej madhështor; me atë kapele në kokë që e kemi hasur shpesh nëpër foto, dhe me një pallto të gjatë tip-robëdëshambri. Zëri i tij, si një bubullimë. “Mirë se erdhe djalë!”, më tha kur më dha dorën. Pastaj: “Minever, na bëj dy kafe ta pimë me mikun”. Më pyeti, për gazetën ku punoja, dhe pa hezitim më tha troç: “Më vjen keq që nuk më vjen kjo gazetë, do dëshiroja ta kisha!” Më foli për rëndësinë që ka shtypi për efektivat ushtarake. “Gjatë LANÇ, ne ngritëm shtypin tonë, tha ai, dhe përmes tij frymëzonim partizanët legjendarë”. …Nuk kam ndjerë shije kafeje më të mirë se ajo e asaj dite. Nuk prita, dola drejt e në temë: “Z. Shuteriqi, kryeredaktori më ka dërguar për t’ju marrë një intervistë juve, lidhur me situatën e rëndë që po kalon Shqipëria, tani pas marsit ’97. Lutem…”. Dhe bëra gati magnetofonin. “Jo, jo, më tha, nuk do ta bëjmë kështu. Ti do vish pas dy ditësh ta marrësh. S’është nevoja të regjistrosh. Unë do të ta jap të gatshme, të shkruar”. Pastaj shtoi: -“E di?”, -më tha. Nuk jam mirë më shëndet. Më dhemb gjithë trupi. Madje me këtë që i ka ndodhur Shqipërisë sonë, dhimbjet më janë dyfishuar”. Dhe vazhdoi: “Djalë! Nuk ka dhimbje më të madhe se sa kur vuan Atdheu!”. Mu duk se sytë e tij lotuan në ato çaste. Identikë me sytë e Dhaskal Todrit… U ndamë. Ika për të ardhur pas dy ditësh. Kur shkova herën e dytë te shtëpia e Shuteriqit për të marrë opinionin e shkruar prej tij, mbeta i habitur. Prisja faqe të tëra të shkruara, por që në fakt ishin vetëm dy. Në dy faqe letër daktilografike, shtypur me makinë shkrimi, dhe korrigjuar me laps, presjet e pikëpresjet, unë shihja përkujdesjen dhe përgjegjësinë maksimale që shkrimtari kishte për atë që do të botonte. “E kam titulluar “Urim pas gjëme”, -më tha me zërin e tij prej basi, -se ajo që ngjau me vendin tonë, gjëmë ishte, e çfarë tjetër… Po shyqyr, që shqiptarët kanë gjetur forca dhe po e rimarrin veten shpejt”. Kurrë nuk do ta harroj atë takim me shkrimtarin e madh Dhimitër Shuteriqi. Në ato gjashtëdhjetë e dy rreshta të shkruara nga ai, ishin gjithë ndjesitë e një korifeu, të një shqiptari të madh atdhetar e patriot, ku përgjegjësia për Atdheun përbënte thelbin e gjithçkaje. Mbaj mend që botimi i atij shkrimi, pati një efekt të madh tek efektivat e ushtrisë. Iu shërbeu atyre për t’u frymëzuar edhe më shumë në ato kohë të vështira, ku parësore ishte ringritja e moralit. …Dhimitër S. Shuteriqi lindi në vitin 1915 në Elbasan dhe vdiq më 22 korrik 2003; ai ishte shkrimtar, poet, akademik dhe studiues i shquar shqiptar. 
Zija Çela: “Nëntëdhjetë e shtata, një precedencë e zezë!”
Episodi tjetër lidhet përsëri me vitin e trishtë 1997. Shtypi i Ushtrisë ku punoja, pasi kishte “testuar” gjendjen morale të efektivave në Tiranë dhe rrethe, ishte shumë i interesuar të “vilte” edhe mendimin e personaliteteve të letrave shqipe, për një rehabilitim sa më të shpejtë të situatës në vend. Ishte një krizë e tillë kombëtare, sa ishin vënë në rrezik në mënyrë të drejtpërdrejtë vetë interesat kombëtare të vendit. Takimin me shkrimtarin e shquar Zija Çela e lamë tek një kafene afër “Raiffeisen Bank” në qendër të Tiranës. Ishte një mjedis jo dhe aq i qetë, ndaj dhe i kërkova të ndërronim lokal. “Jo, më tha shkrimtari, edhe këtu mund ta bëjmë intervistën… Po përse jeni i interesuar që të flas për gazetën tuaj?”. I thashë: “Për situatën e 97-tës; ç’shkaqe na sollën deri këtu, sipas jush…”. Ai më vështroi ngultas. “Do flas, më tha, por do të lutem të mos më ndërpresësh me pyetje”. Ramë dakord me “kontratën”. E njihja natyrën energjike të shkrimtarit, nga takime të ndryshme letrare, kur ai merrte fjalën, apo edhe nga librat e tij; nga shkrimet plot nerv, novelat e tregimet e tij të mrekullueshme, etj. Nisi të fliste. Gjithnjë e më vrullshëm. Ndjeshmëria prej romancieri për fatet e Atdheut lexohej në çdo moment. Kundroja portretin e tij ezmer, ku natyra fisnikërisht ka skalitur mozaikun e ndjenjave të trazuara të shkrimtarit me talent të lindur. Aty për aty i krijoheshin rrudha të thella në ballë, dhe aty për aty një paqetim i beftë sikur i “pushtonte” gjithë fytyrën. Pastaj, sërish fjala e tij gjithë art e sharm, ndjehej sikur sillte ylberin. Në oratorinë e Zija Çelës nuk ndodh që të gjesh ndonjë defekt. Asnjëherë. E folura e tij brilante është si një muzikë e gjallë me tingujt e Vagnerit. …Mjedisi i zhurmshëm i kafenesë një çast sikur u qetësua. Po, e vërtetë. U qetësua. Njerëzit, thuajse të gjithë sa ishin, kishin kthyer kokën te tavolina jonë dhe po dëgjonin të përqendruar fjalët e shkrimtarit. “Nëntëdhjetë e shtata ishte një precedencë e zezë”, po thoshte ai me zë të lartë… “Po kjo mund të shmanget vetëm me vetëbindjen tonë kombëtare, për të mos gabuar më kurrë, siç gabuam; për të mos qëlluar më Zotin me pushkë, sikurse e qëlluam për gjatë gjithë asaj kohe të marrë qysh prej gati një viti”. “Ne vetë”, vazhdonte të fliste ai me ton të lartë dhe gati të papërmbajtur; “duhet të shmangim marrëzinë tonë të përbashkët, për të ndërtuar dhe projektuar jetën dhe jo vdekjen në këtë vend…Ta ndalim këtë precedencë të zezë mbi Shqipërinë tonë”. Bisedës sonë i kishte ardhur fundi. Isha i përqendruar tek pika e kuqe e magnetofonit, që tregonte vazhdimin normal të regjistrimit zanor dhe kjo më lehtësonte. Doja ti ruaja si një thesar i çmuar, ato fjalë të shenjta. Ndërkaq, shihja që njerëzit një e nga një po ngriheshin nga kafja, për të dalë. Kokulur. Dukej qartë që efekti i fjalëve të shkrimtarit i kishte vënë ata në mendime… 
Cen Kazazi: “Plagë plumbash mos paçim kurrë…!”
Mjeku popullor më i famshëm në Shqipëri, Cen Kazazi (i thonin ndryshe Ceni i Lakut), u nda nga jeta në dhjetor të vitit 2000. Takimin me të, e konsideroj si një nga rastet e rralla, që sot, as vetë nuk jam në gjendje ta kuptoj se si ndodhi. Kisha dëgjuar shumë për famën e tij, si mjeshtër në rehabilitimin të kockave të thyera tek njerëzit e aksidentuar. Kish bërë me mijëra vizita e mjekime të tilla në jetë dhe të gjitha i kishin dalë me sukses të plotë. Në popull Ceni njihej edhe si “doktori çudibërës”; aq shumë besim kishte ngjallur ai me profesionin e tij si mjek popullor; por edhe si njeri me zemër të madhe. Se mjekimet i bënte gati falas.…Gati 18 vjet më parë, një ditë po ecja rrugës “Bajram Curri”, afër pallatit ku ndodhen shtëpitë e dy shkrimtarëve të mëdhenj; Ismail Kadare edhe Dritëro Agolli. Pashë që dy burra po mbanin një të ri me këmbë të fashuar, që gjithë kohës rënkonte. “Ku po e çoni”, i pyeti një i moshuar te dera e një restoranti aty afër. “Te Ceni”, ju përgjigjën burrat. U bëra kureshtar e i ndoqa nga pas, për të gjetur “folenë” e mjekut të famshëm popullor Cen Kazazi. Ishte vetëm disa metra larg nga Hotel “Tirana”. Mezi prisja ta shihja. Figura e tij për mua ishte gati-gati mitike. Hapet dera dhe shoh një burrë shtatmesatar, me kapele republike e mustaqe, me dy rrudha të thella në faqe që ngjanin si dy brazda. Me sy zhbirues. Urdhëroi dy burrat, prerë e me indiferencë: “Shtrijeni këtu djalin”. Dukej që situata të tilla për të ishin krejt rutinë. “Kush ka qenë ai nallban që ja ka lidhur këmbën kështu?”, shpërtheu në çast. “E paskeni marrë më qafë”. Pastaj ja hoqi krejt fashon dhe paksa “dhunshëm”, shtypi pjesën e këmbës së thyer të të riut, i cili lëshoi në qiell një klithmë të zgjatur. “Boll bërtite,…kaq ishte”, i tha, dhe përgatiti allçinë, si dhe një copë beze të re. Ju deshën rreth 20 minuta. Dhe urdhëroi: “Merreni, dhe do vini pas dy javësh”. Pastaj më kthehet mua: “Po ti ç’hall ke?”. I thashë që vij nga shtypi. Ndërkaq e pyes: “Sa raste në ditë ju vijnë kështu, doktor?”. “Nga 5 deri 15 raste në ditë”, më thotë. “Dhe vijnë nga e gjithë Shqipëria”. “Sa raste i bie, në një vit?…Po gjithë jetës?”. “Ehuuuu, më thotë, kush i ka numëruar… ndoshta ma shumë se 500 mijë raste… Po ’97-a ka qenë një tmerr. Çdo ditë më vinin edhe nga 20 raste me thyerje dhe me plagë nga plumbat… Dhe unë dua të bëj një urim për gjithë shqiptarët që kaluan gjithë këtë situatë të çmendur, në ’97-n: Vetëm plagë plumbash mos paçim kurrë! Ça është kjo punë mor!? Me plumb qëllohet vetëm armiku…”. 
Kristo Frashëri: “Të rehabilitosh bashkëpunëtorët e fashizmit, njësoj si t’i ngulësh thikën Shqipërisë!”
Sidomos gjatë 3 viteve të fundit, debati mes historianëve dhe pseudo-historianëve, për të ashtuquajturën “luftë civile” gjatë LANÇ, na shtyu që të hapnim një rubrikë të posaçme në revistën “Pavdekësia”, organ i Organizatës Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve të Shqipërisë. E vërteta është se kryesia e kësaj organizate, u angazhua intensivisht me biseda televizive e botime artikujsh, si në revistën tonë, ashtu edhe nëpër gazeta. Në fakt, pseudohistorianët kërkonin të legjitimonin absurdin, përderisa figura të tilla të nderuara të LANÇ, ish-partizanë, që ende jetojnë sot; si, Rrahman Parllaku, Ziqiri Mero, Odise Porodini e ndonjë tjetër, por edhe historianë të shquar, si Pëllumb Xhufi, Paskal Milo etj, argumentonin me fakte se “as që bëhet fjalë për luftë civile në Shqipëri, gjatë L2B, pasi nuk ka luftë civile kur një popull i tërë lufton kundër pushtuesve nazifashistë”. Në këtë aspekt, kërkuam një prononcim edhe nga historiani i shquar Kristo Frashëri. Dhe përgatitëm dy pyetje: Njera për “Masakrën e 4 shkurtit ’44-ës”, pasi ai kish qenë edhe si dëshmitar okular i asaj ngjarje të përgjakshme; dhe tjetra, për debatin e agravuar për të ashtuquajturën “luftë civile”. …Qe një ditë e fillim shkurtit 2014. Shtëpia e historianit ndodhet në katin e dytë të një pallati, afër Shkollës së Baletit te Tregu Elektrik. Lusja veten që ta gjeja mirë me shëndet profesor Frashërin, pasi e dija që ai kish kohë që vuante nga një sëmundje e rëndë kronike. Kur trokita në derë, kujdestarja e shtëpisë, një mesogrua, më pa me habi e më pyeti: “Keni folur më përpara me telefon me profesorin?”. “Jo”, i thashë. Ajo mbeti si e shtangur. “E po, nuk bëhen kështu punët”, më tha. “Unë po i them një here, por kam frikë se mua do të më hapni punë”. ,,.Nejse, profesori na lejoi. Kështu që pas pak, futemi në dhomën e tij. Ajo ishte edhe dhomë pune për të. Historianin e gjetëm mes librave e letrave. Librat sundonin të dy mjediset, që mua mu dukën shumë të ngushta për një intelektual të madh, si Kristo Frashëri. Sëmundja e mundonte. Mezi merrte frymë. Në hundë mbante tubat e oksigjenit, të cilat nuk mund ti hiqte asnjëherë. Edhe frymën e fundit Kristo Frashëri ia kushtoi shkencës së historisë, si mbrojtës i flaktë i çështjes kombëtare. Ai ishte i pranishëm në media me shkrimet e tij gjeniale në mbrojtje të vlerave të LANÇ, të historisë sonë kombëtare e të idealeve të pastra të dëshmorëve të Atdheut. “Përkufizimi” i tij, mes të tjerash për masakrën e 4 shkurtit 1944 ishte ky: “Masakra e 4 shkurtit në Tiranë, nuk ka precedencë, sepse në atë ditë shqiptarët të verbuar nga tradhtia krijuan kasaphanën që kish kurdisur prapa skenës një i huaj, dhe për gjithë botën armiku i gjithë popujve; nazizmi gjerman, Gestapoja hitleriane. Atë ditë shqiptari vrau pa ndonjë shkak, pa ndonjë arsye shqiptarin, vëllai vrau vëllanë, kurse katilët e Gestapos fërkonin duart”. Për këtë ai fajësoi “kukudhin Xhafer Deva dhe Ballin Kombëtar që përgatitën skenën më gjakatare të L2B në Shqipëri”. Kurse për pyetjen se “a ka pasur luftë civile në Shqipëri”, ai fillimisht u “përgjigj” fillimisht…me heshtje. Unë u ndjeva i sikletosur. “E djallosa”, thashë me vete. Dhe vërtetë e kisha djallosur. Se vështrimi i historianit, që mua mu duk si vështrim luani, u pasua me një ofshamë, që atij i dilte nga shpirti. “Gjepura, më tha; kush ua ka sajuar këtë pyetje, mor aman!… Po e kam thënë një mijë herë. Dhe po e them përditë me artikuj nëpër gazeta: Nuk ka pasur luftë civile në Shqipëri! Kush janë ata të marrë që i bien po në një vrimë kavallit… Po lere, tha, këtu po ndodhin lloj-lloj çudirash. Shkohet deri aty, sa dekorohen bashkëpunëtorët e fashizmit. Të rehabilitosh sot bashkëpunëtorët e fashizmit, është njësoj si ti ngulësh thikën Shqipërisë”, tha ai. Ishte i zemëruar. Kur fliste, gjoksi i gumëzhinte. Historiani i shquar Kristo Frashëri ndërroi jetë më 31 janar 2016. Edhe pse në një moshë madhore, ai ishte në kulmin e krijimtarisë së tij në fushën e historiografisë. 
Nasho Jorgaqi: “Përkujdesja për dëshmorët, një mision i shenjtë!”
Shkrimtari i shquar Nasho Jorgaqi, autor i studimit në dy vëllime “Fan Noli, jeta dhe vepra” (V1, V2); i monografisë “Qemal Stafa”, i romanit “Mërgata e qyqeve”, e i dhjetra librave të tjerë me prozë e poezi, prej vitesh është “Nderi i revistës Pavdekësia e këshillues”, si dhe anëtar i Kryesisë së Organizatës Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve. Ky mik i veteranëve të LANÇ është sot një ndër shkrimtarët më aktivë në mbrojtjen e idealeve të pastra të dëshmorëve të Atdheut. Shkrimet e prof. Nasho Jorgaqit janë materiale me vlera të jashtëzakonshme për mbrojtjen e të vërtetave historike, sidomos me ato që lidhen me dëshmorët dhe luftën nacional çlirimtare. “Nuk ka Komb në Botë që nuk respekton dëshmorët e vet”, është shprehur shkrimtari Jorgaqi në një intervistë të para pak kohëve. “Ndaj në mesazhet e mia për shtypin e sotëm dua të theksoj fort se asnjë kohë nuk e zbeh dot lavdinë e dëshmorëve. Në Shqipëri ndërroi sistemi në ’90-tën dhe meraku im atëherë ishte ky: Çfarë do të bëhet me dëshmorët e Atdheut? A do të jetë po ajo përkujdesje që ka qenë më parë për ta?”. Dhe vërtetë koha tregoi se kisha pasur të drejtë. Ja, jemi dëshmitarë se si po tentohet të deformohet historia e LANÇ, e se si po tentohet të hidhet baltë mbi pastërtinë e idealeve të dëshmorëve të LANÇ. Organizata e Familjeve të Dëshmorëve, qytetarët e zakonshëm, të gjithë ne; duhet të bëhemi barrikadë ndaj çdo tendence baltosjeje, nga çdo drejtim që mund të vijë. Përkujdesja për dëshmorët e Atdheut, është një mision i shenjtë. Sot, imperativ nuk është thjeshtë vetëm ruajtja e monumenteve të tyre, e busteve, e varrezave, por shumë më e gjerë. Duhet t’ua përcjellim brezave këtë mesazh të pakontestueshëm”. Nasho Jorgaqi është ndër shkrimtarët më aktivë sot në shtypin e shkruar dhe nëpër studio televizive. 
Abdulla Krutani, i mbijetuari i Mat’hauzenit: “Jetoj për shokët që m’u vranë!”
Pak ditë më parë, në një ditë me shi takova në Tiranë sërish Abdulla Krutanin, të mbijetuarin nga ferri në kampin nazist të Mat’hauzenit. Mbahej mirë, ecte ngadalë, teksa mbante një çadër të zezë, të madhe. Dhe të mendosh që është 95 vjeç! E pyes për shokët e tij që përjetuan të njëjtin tmerr në ferrin nazist, në vitin 1994; Beqir Xhepa e Enver Plepi, të cilët ashtu si dhe Abdullain unë pata fatin ti intervistoj, disa vite më parë. “Ata kanë vdekur”, më thotë; “vetëm unë kam mbetur tani”. Çudi; më njohu menjëherë. Më mbante mend edhe pse kisha dy vjet që kur e intervistova për herë të parë. I urova shëndet; e i thashë se “ju jeni krenaria e Shqipërisë, jeni brezi i sakrificave sublime”. Më kthehet: “E ç’thua! …E di pse rroj unë? Rroj për shokët e mi që m’u vranë. Në Mat’hauzen, në Dakau, në Prishtinë, e gjithandej ku nazizmi ngriti kampe për të asgjësuar njerëz. Nga Shqipëria janë vrarë mbi 300 vetë në ato kampe të mallkuara. Kështu, që thua ti, unë rroj për shokët e mi tani. Ata vdiqën, unë mbeta. Rroj edhe për ta”. Lotët i shkonin çurg, si shiu që po binte. E mbaj mend Abdullain, kur ma rrëfeu jetën e tij në nëntor të vitit 2014. Atë ditë, ai shoqërohej nga djali, i cili m’u lut “mos e vono shumë babain, se ka ilaçet për të pirë”. E sigurova që nuk do vonoheshim. Por, i dola fjale…. Unë s’mund ta ndalja dot Abdullain. Ai fliste e fliste pambarimisht. E unë nuk guxoja ta ndërprisja. Pa le, kur më tregoi fotot. I kish sjellë që nga Mat’hauzeni, 70 vjet më parë. Ishin të bëra nga fotografët nazistë, por që ai i kish marrë, duke përfituar nga rasti që aty erdhën trupat amerikane në maj ’45-s dhe i çliruan. Në njërën foto, ku duken skelete njerëzore, ai më tregon veten e tij se ku ndodhet dhe tjetrin që është Beqir Xhepa. E pabesueshme! Por ai më rrëfen dhe një detaj tjetër tronditës. Që nga ajo kohë ka ruajtur numrin matrikullor “AL-99769”, që nazistët ia kishin vënë në rroba e në krah. “AL”- Albania…. Pastaj numri. Se në kampin nazist, njerëzit ishin thjeshtë… numra. Abdullai e ruan fort këtë dhe betohet se do ua lërë nipave e mbesave të tij. 
*Kryeredaktor i revistës “Pavdekësia”
Sigal