Dita Ndërkombëtare e Familjes/ Meta: Përkushtimi ndaj familjes na forcon dhe na bën një komb më vital

142
Sigal

Në ditën ndërkombëtare të familjes, presidenti Ilir Meta ka përcjellë një mesazh në rrjetet sociale.

Meta shprehet se familjet shqiptare janë gjendur vazhdimisht në rrethana të vështira për shkak të varfërisë, mungesës së përkrahjes, papunësisë dhe arsimimit jo cilësor.

“Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Familjes!

Tradita shqiptare ka si qendër të saj familjen. Vlerat dhe zakonet tona kombëtare janë kultivuar pranë vatrës familjare sepse familja është institucioni më i qëndrueshëm mbi të cilin është ndërtuar jeta shoqërore, djepi më i sigurt ku mund të rritet brezi i ri, ndërtohet dhe garantohet e ardhmja e një vendi dhe kombi.

Vetëm përkushtimi ndaj familjes na forcon dhe na bën një komb më vital dhe më të bashkuar sepse siç na ka mësuar Sami Frashëri: “Dashuria për Atdheun lind nga dashuria për familjen.”

Por familjet shqiptare janë gjendur vazhdimisht në rrethana të vështira për shkak të varfërisë, mungesës së përkrahjes së duhur sociale, papunësisë dhe arsimimit jocilësor.

Divorcet, vetmia, dhuna dhe shfrytëzimi i të miturve janë fenomene tragjike që e kanë kërcënuar rolin e familjes, goditur themelet e shoqërisë dhe zbehur ndjenjat e atdhedashurisë”, shkruan Meta.

Ai shton se forcimi i rolit të vlerave dhe mbrojtja e familjes duhet të jenë prioriteti ynë. Meta thekson se e mbështet fuqimisht forcimin e familjes dhe zotohet se do të vijojë të promovojë energjikisht mbrojtjen e saj.

“Vetëm një familje e shëndetshme mund të kontribuojë në harmoninë dhe në paqen shoqërore, si dhe të sjellë përfitime në çdo sektor të jetës dhe zhvillimit të vendit.

Ndaj forcimi i rolit, vlerave dhe mbrojtja e saj duhet të jetë prioriteti ynë, udhëhequr nga deviza: FAMILJE! ATDHE! KOMB!

Duke luftuar për familjen e lumtur, solide, në mirëqenie dhe në paqe brenda saj, nëpërmjet politikave konkrete mbështetëse që luftojnë varfërinë, ne do të ndalim edhe shpopullimin dramatik dhe do të garantojmë të ardhmen tonë të suksesshme në këto kohë globalizimi!

E mbështes fuqimisht forcimin e familjes dhe do të vijoj të promovoj energjikisht mbrojtjen e saj.

Të mos harrojmë çfarë na mësoi Shenjtorja shqiptare dhe e mbarë njerëzimit, Nënë Tereza: “Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde!”, përfundon mesazhi i Metës.