Dita Kombëtare e Artizanëve, Meta ‘transformon’ Presidencën në ekspozitë me punime artizane: Tradita jonë më e shquar

263
Sigal

Në Ditën Kombëtare të Artizanëve, Presidenti Ilir Meta, ka transformuar oborrin e Presidencës në një ekspozitë me punime artizane.

Teksa publikon foto nga ceremonia e zhvilluar, ku shpalosen punime të artizanit të njohur Bujar Kardashi, Meta thotë, se ky profesion është një nga traditat tona më të shquara, të trashëguar brez pas brezi.

Meta thekson ndër të tjera, se është e rëndësishme të ruhet tradita e artizanëve, e të transmetohet te gjeneratat e reja, në mënyrë që sipas tij, të forcohen rrënjët tona kombëtare.

Postimi i Presidentit Ilir Meta:

Artizanati është një nga traditat tona më të shquara, e zhvilluar prej shekujsh nga mjeshtrat tanë duarartë popullorë, me veçanti të spikatura në çdo krahinë të Shqipërisë.

Kostumet tona popullore, qëndismat, punimet në dru, në gur apo në hekur, mbartin në vetvete vlera të çmuara dhe janë dëshmi e identitetit kombëtar, e trashëgimisë të spikatur kulturore dhe e civilizimit tonë të hershëm, me të cilat krenohemi dhe prezantohemi denjësisht.

Kënaqësi, që me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Artizanatit të hapnim dyert e Institucionit të Presidentit të Republikës për një ekspozitë të veçantë me punime artistike të mjeshtrit, Bujar Kardashi.

Është tepër e rëndësishme të ruajmë traditat tona dhe t’i transmetojmë ato tek gjeneratat më të reja, jo vetëm për të forcuar rrënjët tona kombëtare, por edhe për të zhvilluar më tej dhe cilësisht këto vlera kombëtare, që meritojnë të mbështeten me politika më të mira dhe efektive.