Dita e Ujit të Bekuar në Berat, hidhet në lumin Osum kryqi, kapet nga një 26-vjeçar

244
Sigal

Dita e 6 Janarit, që simbolizon ditën e shenjtë të Ujit të Bekuar, në qytetin e Beratit përcillet çdo vit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët e krishterë. 6 Janari, e kremtja e Pagëzimit të Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, ose e njohur në popull si dita e Ujit të Bekuar, për besimtarët beratas është një prej të kremteve më të mëdha të Kishës, nëpërmjet të cilës ata përkujtojnë pagëzimin e zotit të tyre Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan, duke e pasqyruar këtë pagëzim të shenjtë çdo vit në ujërat e lumit Osum.

Ceremonia e kësaj dite të shenjtë, si çdo vit, edhe sot filloi herët në mëngjes në Kishën e Shën Dhimitrit, në qendër të qytetit, ku pasi u kryen të gjitha ritet fetare, At Johan Qako, me kryqin në dorë dhe nën goditjen e kambanave të Kishës, iu drejtua lumit Osum, për të hedhur kryqin simbol të kësaj feste.

7 të rinj nga të gjitha lagjet e qytetit të Beratit u hodhën në ujin e ftohtë të lumit për të pritur kryqin. Kryqi u kap nga 26-vjeçari Pirenc Zharra,banues në lagjen “Goricë” në Berat.

Si çdo vit, për të riun që kap Kryqin e Ujit të Bekuar, Kisha dhe Mitropolia i dhurojnë në shenjë simbolike 150 mijë lekë (të vjetra). Më pas, ai shkon me kryqin në dorë në çdo shtëpi të lagjeve: Goricë, Mangalem e Kala, banorët e të cilave “dorovisin” kryqin e bekuar që mban në dorë i riu. I riu Pirenc Zharra shprehet se ndihet i lumtur, pasi për të është hera e parë që kap kryqin.

Mesazhe urimi në këtë ditë të ujit të bekuar kanë përcjellë edhe kryebashkiaku i Beratit Ervin Demo dhe deputeti Nasip Naço.
Për besimtarët e krishterë, dita e 6 Janarit simbolizon jo vetëm ditën e pagëzimit të Zotit të tyre Jezu Krishtit, por edhe pastrimin e të gjitha ujërave të ndotur në mbarë botën, duke lajmëruar faljen e mëkateve dhe mëshirën e Perëndisë.

Pas ceremonisë, besimtarët e krishterë i drejtohen Kishës për të mbushur shishe me ujë të bekuar, të cilin e marrin në shtëpi dhe e mbajnë për gjithë vitin, pasi ky ujë për ta shërben për të shëruar shpirtrat dhe trupin dhe pihet sa herë kur ata janë të sëmurë.