Dita e Rinisë – Hapet në Tiranë Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor

528
Sigal

Është inauguruar sot në Tiranë Zyra Rajonale Rinore, një angazhim i dalë nga procesi i Berlinit mes kryeministrave të 6 vendeve të Ballkanit. Zyra do të ketë vendndodhjen e saj në Pallatin e Kongreseve, ku sot është zhvilluar edhe konferenca e parë rajonale me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama por edhe shefit të OSBE-së si dhe përfaqësuesve të shumtë nga Franca, Gjermania e rajoni.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se kjo zyrë është një angazhim për t’i dhënë paqes në rajon një cilësi të re. Kreu i qeverisë tha se ky rajon që për një kohë të gjatë u quajt fuçia e barutit të Evropës sot është në paqe pavarësisht kundërshtive mes vendeve.

NOA

“Kjo Zyrë, në kuadrin e procesit të Berlinit, ku me iniciativën e kancelares Merkel, të gjithë përfaqësuesit më të lartë të rajonit u mblodhën në Berlin dhe prej aty mori jetë një angazhim i ri dhe i përgjithshëm për t’i dhënë paqes në rajon një cilësi të re. Pjesë e këtij angazhimi ishte edhe krijimi i kësaj zyre mbi bazën e modelit frymëzues të bashkëpunimit rinor, franko-gjerman që praktikisht luajti një rol fantastik në procesin e pajtimit dhe të ndërveprimit mes dy vendeve pas Luftës së Dytë Botërore”, tha Rama.

Ai ka falënderuar miqtë gjermanë e francezë për kontributin e tyre dhe ndihmën ndaj Shqipërisë për të jetësuar këtë projekt.

“Jo formalisht dua t’iu shpreh mirënjohjen miqve tanë gjermanë dhe francezë që bujarisht na kanë ofruar mbështetjen, dijen dhe eksperiencën e tyre mbi këtë proces dhe e kanë shoqëruar në këtë periudhë Ministrinë e Mirëqenies Rinisë dhe Sportit dhe gjithë institucionet e përfshira edhe në rajon për t’i dhënë jetë kësaj hapësire ku do të marrin formë nisma nga më të ndryshmet dhe ku do të luajnë një rol vetë të rinjtë nga vende të ndryshme për të promovuar modele bashkëpunimi dhe për të jetësuar ide projekte  dhe iniciativa të përbashkëta. Dua t’i shpreh mirënjohjen time sekretarit të shtetit për çështjet evropiane të Francës, një miku të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, një mik i shtrenjtë për mua Harlem Désir, që ka marrë rrugën për të ardhur deri këtu që në këndvështrimin tim shpreh respektin dhe interesimin e Francës për këtë iniciative të rëndësishme, por edhe të tjerët që janë këtu. Gjermania nuk përfaqësohet vetëm nga vetvetja por edhe nga misione të tjera. Kemi shefin e OSBE-së, që është gjerman. Eksperiencë e njohur që gjermanët vijnë edhe në rrugë të tjera”, u shpreh Rama.

Kryeministri shqiptar theksoi se “atë që gjermanët dhe francezët për Evropën ne mund ta bëjmë për rajonin”.

“Nuk është pak, ky është ai rajoni që quhej dhe mbeti për një kohë të gjatë fuçia e barutit të Evropës. Ky është rajoni ky plasi Lufta e Parë Botërore. Sot jemi në një kontekst tjetër, kemi një atmosferë paqeje dhe ndërveprimi pavarësisht se nuk jemi dakord me gjithçka me njëri-tjetrin”, tha shefi i qeverisë.