Ballina Aktualitet Dita e Çlirimit të Tiranës/ Meta: Mirënjohje përjetë sakrificave të djemve dhe...

Dita e Çlirimit të Tiranës/ Meta: Mirënjohje përjetë sakrificave të djemve dhe vajzave që dhanë gjakun e jetën në mbrojtje të Pavarësisë, veteranët dëshmi e gjallë e rezistencës

184
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka përkujtuar 17 nëntorin, ditën e çlirimit të Tiranës nga pushuesit nazifashistë. Meta shkruan në “Facebook”, se do i jetë mirënjohës përjetë sakrificave të panumërta të partizanëve, që me gjakun dhe jetën e tyre mbrojtën sovranitetin dhe Pavarësinë.

Po ashtu, kreu i shtetit përshëndet të gjithë veteranët, të cilët sipas tij janë një dëshmi e gjallë e rezistencës, fitores së lavdishme ndaj pushtuesve dhe dinjitetit të popullit shqiptar.

Postimi i Ilir Metës:

Me krenari të ligjshme dhe nderimin më të thellë përkujtojmë sot 17 Nëntorin 1944, Ditën e fitores së madhe të betejës legjendare të brigadave partizane dhe popullit të Tiranës për Çlirimin e kryeqytetit nga pushtuesit nazifashistë!
Mirënjohje përjetë sakrificave të panumërta të partizanëve, të qytetarëve të thjeshtë, të vajzave dhe djemve, që në lule të rinisë dhanë gjakun dhe jetën në emër të vlerave të Lirisë dhe Paqes, në mbrojtje të Sovranitetit dhe Pavarësisë, duke luftuar me heroizëm në çdo rrugicë, lagje dhe shesh, për t’i kthyer shtëpitë dhe barrikadat e lavdishme të Tiranës në fortifikata të pathyeshme rezistence ndaj armikut.

Përshëndetjet më të ngrohta për veteranët, dëshmia e gjallë e rezistencës dhe fitores së lavdishme kundër pushtuesve, simbol i qëndresës, dinjitetit dhe kurajës së popullit shqiptar në ditët më të vështira, të cilët çdo ditë punojnë për të mbrojtur vlerat e kësaj lufte dhe për t’i transmetuar me dashuri dhe përgjegjësi te gjeneratat më të reja.
Vlerat e Luftës Antifashiste, që e rreshtuan Shqipërinë në anën e duhur dhe të drejtë të historisë nuk mund të nëpërkëmben nga askush!
Gjaku i derdhur në themelet e lirisë së Tiranës antifashiste është amanet i përjetshëm që frymëzon çdo përpjekje për liri dhe demokraci.