‘Diskutimi për kancelarët e gjykatave’, KLGJ mbyll dyert për publikun

53
Sigal

Këshilli i Lartë Gjyqësor njoftoi zhvillimin e një pjese të diskutimit gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, ku po diskutohej kualifikimi apo skualifikimi i kancelarëve për 4 gjykata.

Menjëherë pas vendimit për të shtyrë procesin disiplinor ndaj gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami njoftoi se pjesa tjetër e mbledhjes do të zhvillohej me dyer të mbyllura, pa sqaruar arsyet dhe bazën ligjore të këtij vendimi.

Bazuar në agjendën që KLGJ kishte shpërndarë më herët, në rend dite ishin vendimet për “kualifikimin dhe lejimin për të marrë pjesë në provimin e vlerësimit” të katër kancelarëve nga 4 gjykata, emrat e të cilave ishin anonimizuar. Paralelisht do të vendosej edhe skualifikimi dhe shkarkimi i katër kancelarëve të tjerë, që siç duket u përkisnin të njëjtave gjykata.

“Shqyrtimi i projektvendimit “për Kualifikimin dhe lejimin për të marrë pjesë në provimin e vlerësimit profesional të kancelares në detyrë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, {…}” / “Për skualifikimin dhe ndërprerjen e marrëdhënies së punës së kancelares në detyrë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, {…}”, thuhet në njërën prej pikave me përmbajtje të ngjashme.

Llagami nuk bëri me dije arsyet pse KLGJ do e trajtonte këtë pjesë të rendit të ditës me dyer të mbyllura. Ndërkohë, KLGJ nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi një kërkese për koment nga BIRN.

Mbledhjet e mbyllura të KLGJ-së sipas ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” neni 99, parashikohen vetëm në rast të “procedurave të rishikimit” të vendimeve të komisioneve nga seanca plenare e KLGJ-së. Sipas ligjit, bëhet fjalë për rastet kur një akt administrativ individual është nxjerrë nga komisioni dhe  subjektet e kërkojnë anulimin apo ndryshimin e tij nga mbledhja plenare e Këshillit.

Ndërkohë në “Rregulloren për Procedurat Disiplinore në Këshillin e Lartë Gjyqësor”, parashikohen mbledhje të mbyllura në nenin 34 me vendime kryesisht të Këshillit ose me kërkesë të palëve, vetëm në rastet kur seanca publike dëmton moralin e shoqërisë apo sipas organeve kompetente, trajtohen të dhëna sekrete, kur duhet të mbrohet jeta private apo të dhënat personale të subjekteve dhe kur publiku prish qetësinë. Në të gjitha këto raste, KLGJ megjithatë duhet të bëjë një votim të hapur dhe publik.

Është e paqartë se nën cilën pikë të rregullores justifikohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvillimi i mbledhjes me dyer të mbyllura sa i përket kualifikimit apo skualifikimit të kandidatëve për kancelarë të katër gjykatave.

KLGJ ka aplikuar skemën kontroverse me mbledhje të mbyllura edhe në debatet mbi kualifikimin apo jo të kandidatëve për në Gjykatën e Lartë.

BIRN gjeti më herët se në mënyrë të ngjashme KLGJ nuk kishte publikuar 4 procesverbaleve nga mbledhjet plenare me dyer të mbyllura për kandidaturën për në Gjykatën e Lartë të Dariel Sinës, aktualisht Komisioner Publik. Këshilli u rezistoi edhe kërkesave bazuar në ligjin për të drejtën e informimit, por i dorëzoi këto dokumente pas një padie në gjykatë, duke lënë të kuptohet se nuk kishte bazë ligjore për mospublikimin e tyre.