Dhunohet shqiptaro-amerikani për mosmbajtjen e maskës / SHÇBA nis hetimet ndaj policëve

345
Sigal

Një 29-vjeçar shqiptaro-amerikan është dhunuar nga efektivët e policisë së shtetit pasi është konstatuar pa maskë.

Erald Alimehmeti fillimisht është ndaluar dhe më pas është shoqëruar dhunshëm nga punonjësit e policisë.

Në dëshminë e dhënë, 29-vjeçari thotë se është rrahur brenda makinës gjatë shoqërimit ndërsa dhuna ka vijuar edhe në ambientet e komisariatit numër 2 brenda një dhome pa kamera.

“Më futën në dhomë dhe nuk mi hoqën prangat dhe aty më kanë goditur të gjithë policët që më shoqëruan. U kam thënë disa herë që të lajmëroja konsullatën amerikane që të njoftoja nënën time që është në Amerikë.Unë nuk kam goditur njeri pasi kam qenë i prangosur.”

Por e kundërta është dëshmuar nga efektivët e policisë Rrugore, sipas të cilëve Alimehmeti i ka kërcënuar dhe më pas i ka gjuajtur me shkelma në momentin që ata i kanë hequr prangat.

Praninë e dhunës fizike te 29-vjeçari e ka konstatuar dhe gjyqtari Kreshnik Omari si dhe prokurori i çështjes, të cilët zhvilluan masën e sigurisë për shqiptaro-amerikanin Alihmehmeti, pasi rezultoi se ai kishte hematoma të shumta në fytyrë.

Burimet bëjnë me dije se pas këtij konstatimi prokuroria e Tiranës i ka kërkuar ShÇBA të nisë hetimet për punonjësit e policisë Albert Vidrica, Laert Bistri, Edvin Zhupa, Zabit Laçi dhe Shkëlqim Hasmica, të cilët dyshohet të jenë personat përgjegjës për dhunimin e Erald Alimehmetit.