Dhuna në familje, Kryemadhi: Do krijojmë Forumin Ekonomik të Gruas

505
Lëvizja e Gruas për Integrim zhvilloi një takim me gratë e qytetit të Patosit në një sipërmarrje private, për të diskutuar lidhur me marrjen e masave për parandalimin dhunës mbi baza gjinore. Në këtë takim ishin të pranishme deputetet Monika Kryemadhi, Kejdi Mehmetaj, Silva Caka, Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha si dhe Kryetarja e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI, Erisa Xhixho. Duke e cilësuar si një risi organizimin aktiviteteve të tilla, deputetja Monika Kryemadhi u shpreh se të gjitha gratë duhet të solidarizohen me njëra-tjetrën për t’i bërë ballë sfidave e vështirësive me të cilat ato ndeshen. Në vijim të fjalës së saj. Kryemadhi theksoi se shumë shpejt do të krijohet edhe Forumi Ekonomik i Gruas pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim.
“ Problemet që kalojnë gratë shqiptare janë të gjitha njëlloj, pavarësisht nga ajo që ne përfaqësojmë. Ne shumë shpejt do të krijojmë Forumin Ekonomik të Gruas pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim. Do të organizojmë dhe grupet e vogla të punës sa i përket evidentimit të grave të dhunuara dhe ndihmës që mund t’u japim ne si LSI këtyre grave. Të mos harrojmë që një grua e dhunuar është si rezultat i jetës së vështirë ekonomike, i faktorëve ekonomikë që ndikojnë në ambientin e saj”, – tha Kryemadhi. Më tej, deputetja e LSI-së apeloi që të gjitha gratë të denoncojnë rastet e dhunës dhe fenomenet negative të keqtrajtimit të tyre, pasi në këtë mënyrë do të parandalohen edhe fenomenet negative në shoqërinë tonë. “Duke i denoncuar këto probleme, kjo nënë do të jetë shumë më e qetë për të rritur fëmijën e saj, jo nën presione, nën trysninë e dhunës, por duke edukuar një brez të ri. Është detyrë e politikës shqiptare dhe është detyrë edhe e jona si nëna që të fillojmë të sensibilizohemi. Nevojitet që të luftojmë sa më shumë këto fenomene negative, të cilat ndikojnë në familjen dhe në shoqërinë shqiptare. Një grua që gjen forcën për të denoncuar dhunën në familjen e saj, gjen forcën për të denoncuar problematikën me të cilën përballet, do të jetë një nënë e cila do të edukojë fëmijën e saj për të ecur përpara. Ne kemi nevojë për të pasur një shoqëri të reformuar, për të pasur një shoqëri të barabartë që të ecim më shpejt drejt BE-së”, – deklaroi Kryemadhi.
Sigal