Detajet e policisë/ Plagosja e të riut në Kavajë, arrestohet autori, sekuestrohet një antiplumb

74

Policia zbardh plagosjen e 29-vjeçarit Mario Xhafa në Kavajë, duke arrestuar autorin kryesor të ngjarjes.

Në pranga ka rënë 27-vjeçari Viskont Hysi, ndërsa janë shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij. Gjithashtu, policia ka sekuestruar një antiplumb, dy automjete dhe katër telefona celular.

Njoftimi i policisë:

Kavajë

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 29- vjeçari M. Xh.

Vihet në pranga autori kryesor i dyshuar për plagosjen e 29-vjeçarit.

Shpallen në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij.

Sekuestrohet një antiplumb, dy automjete dhe katër telefona celular.

Policia e Kavajës, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit, tek ish-fabrika e letrës, në Kavajë, ku pas një konflikti për motive të dobëta mbeti i plagosur me armë zjarri në këmbë, shtetasi M. Xh., 29 vjeç, i cili u dërgua në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën, organizoi punën duke ngritur pika kontrolli, krehje të zonës, si dhe u ngrit grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë.

Falë reagimit në kohë, rrethimit të zonës dhe veprimeve të shpejta e profesionale, pas disa minutash u bë e mundur kapja e njërit prej autorëve të dyshuar të plagosjes me armë të 29-vjeçarit.

Në vijim të veprimeve u bë e mundur gjetja e automjetit me të cilin u largua nga vendi i ngjarjes autori kryesor dhe falë administrimit të provave materiale dhe informacioneve të marra në rrugë operative, u bë zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes.

Në përfunim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. H., 27 vjeç, banues në Kavajë, i dyshuar si autori kryesor i ngjarjes, kryer në bashkëpunim me shtetasit S. V., 40 vjeç dhe E. C., 35 vjeç.

Të dy këta shtetas u shpallën në kërkim, së bashku me automjetin që janë larguar dhe vijon puna intensive për kapjen e tyre, si dhe për gjetjen e sekuestrimin e automjetit në cilësinë e provës materiale.

Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin që drejtohej nga shtetasi V. H., brenda të cilit u gjetën një gëzhojë, një antiplumb, 4 aparate celular, si dhe një automjet tjetër në pronësi të shtetasit V. H.

Materialet hetimore në lidhje me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim’’ e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.