DETAJE/ Arrestimi i të riut nga Taxhikistani që dyshohet për terrorizëm, ku u strehua kur hyri në Shqipëri dhe atentati i planifikuar

338
Sigal

Një 24-vjeçar nga Taxhikistani, i dyshuar si pjesë e një celule terroriste në Gjermani, është arrestuar gjatë mbrëmjes së të mërkurës në Tiranë.

Operacioni për arrestimin e tij, i koduar “Vizitori”, është realizuar nga Drejtoria e Antiterrorit, në bulevardin “Zogu i Parë”.

I arrestuari është Komrom Zukhurov, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane prej datës 21 prill të këtij viti. Ndërsa më 15 shkurt, Policia gjermane kishte arrestuar 5 anëtarë të dyshuar të shtetit islamik, pjesë e të cilit dyshohet se ishte edhe 24-vjeçari Zukhurov që u arrestua në Tiranë.Komrom Zukhurov ishte larguar nga Gjermania para se të arrestoheshin anëtarët e tjerë të celulës.

Ndërsa rezulton të ketë hyrë në Shqipëri përmes Aeroportit të Rinasit, më datë 17 shkurt. Gjatë kësaj kohe, ai është strehuar te disa miq nga Taxhikistani, të cilët banojnë në zonën e Laprakës, në kryeqytet.

OPERACIONI

Policia e Shtetit njoftoi dje se Drejtoria e Antiterrorit në bashkëpunim me Interpol Tiranën finalizuan operacionin e koduar “Vizitori”, duke vënë në pranga, me qëllim ekstradimi, një shtetas nga Taxhikistani.

Sipas Policisë, është arrestuar 24-vjeçari Komrom Zukhurov, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i kërkuar në Gjermani.

“Drejtoria e Antiterrorit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe kapjen e personave me tendenca terroriste apo pjesëtarë të organizatave terroriste, si dhe në kuadër të shkëmbimit të informacionit me homologët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, ka organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar ‘Vizitori’.

Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur identifikimi, kapja dhe më pas arrestimi, për qëllime ekstradimi, i shtetasit të huaj K. Z., 24 vjeç, nga Taxhikistani.

Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi në ngarkim të tij, Gjykata Federale në Karlsruhe, Gjermani, më datë 21.04.2020 ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar, për veprën penale ‘Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste’, i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të shtetit islamik (ISIS).

Materialet e para hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me qëllim kryerjen e procedurave të mëtejshme ligjore për ekstradimin e këtij shtetas të huaj”, tha dje zyrtarisht Policia.

CELULA

Më 15 prill të këtij viti, Policia gjermane ka arrestuar pesë shtetas nga Taxhikistani, me dyshimin se ata ishin anëtarë të një celule terroriste të grupit të Shtetit Islamik, që kishin planifikuar sulme ndaj forcave amerikane të vendosur në Gjermani.

Katër nga të dyshuarit u arrestuan pas sulmeve të planifikuara në disa apartamente dhe 6 objekte të tjera në zonën e Rhine-Westphalia.

Një tjetër shtetas nga Taxhikistani ishte arrestuar më parë. Mediat gjermane shkruanin se këta persona kishin planifikuar sulme ndaj individëve që ata i konsideronin kritikë ndaj Islamit. Të dyshuarit, Azizjon B., Muhammadali G., Farhodshoh K., Sunatullokh K. dhe Ravsan B., akuzohen se iu bashkuan grupit të Shtetit Islamik në janar të vitit 2019 dhe fillimisht kishin planifikuar të kryejnë sulme në Taxhikistan. Ata pastaj e kthyen përqendrimin në Gjermani, pasi morën udhëzime nga dy udhëheqës të rangut të lartë të ISIS në Siri dhe Afganistan. Pesë të dyshuarit kishin planifikuar të sulmonin bazat ajrore të SHBA-ve në Gjermani dhe kishin porositur pjesë bombash në internet, si dhe armë zjarri e municione.

ATENTATET E PLANIFIKUARA

Mediat gjermane raportojnë se anëtarët e celulës terroriste të goditur atje kishin planifikuar një atentat ndaj një personi, për të cilin ata besonin se kishte shprehur pikëpamje kritike islamike në publik dhe kishin filluar të mbanin nën vëzhgim viktimën.

“Dy nga të dyshuarit akuzohen gjithashtu se kanë udhëtuar në Shqipëri për të kryer një atentat në këmbim të 36 mijë eurove. Sidoqoftë, projekti dështoi dhe ata u kthyen në Gjermani”, shkruajnë mediat gjermane.