Dështon siguria ushqimore, 15 të helmuar në Durrës

585
Vazhdojnë problemet me sigurinë ushqimore në Shqipëri, ndërsa autoritetet përgjegjëse vazhdojnë të reagojnë me vonesë dhe pas dëmtimit të shëndetit të qytetarëve. Të paktën 15 qytetarë nga Kosova kanë shfaqur dje shenja të helmimit dhe janë paraqitur në urgjencën e Infektivit në Tiranë. Dyshohet se shtetasit nga Kosova janë helmuar në një restorant tek “Shkëmbi i Kavajës”, pasi kishin ngrënë drekë. Ata kanë pasur të vjella, bark dhe probleme të tjera. Mësohet se kosovarët janë punonjës të komunës së Rahovecit dhe kishin ardhur për fundjavë në Shqipëri. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar restorantin, ndërsa janë marrë mostra ushqimesh, që janë dërguar për analiza. Dyshohet se helmimi ka ardhur nga ushqimi i konsumuar, por nuk përjashtohet edhe uji. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik. Disa herë gjatë verës së shkuar janë shfaqur raste të helmimit të qytetarëve, ndërsa një mori ankesash vazhdojnë të paraqiten në rrjetet sociale dhe media. Gjithashtu, një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit disa javë më parë nxori në dritë të dhëna tronditëse për mungesën e sigurisë ushqimore dhe paaftësinë e institucioneve shtetërore.
Sigal