Dëshmia e 17-vjeçares së abuzuar në Sarandë: Kisha frikë të denoncoja, më bindi i dashuri

462
Sigal

Historia e vajzës 17-vjeçare nga Saranda e cila ka akuzuar për abuzim seksual tre persona ka tronditur opinionin publik. Sipas të dhënave të dosjes së siguruar nga organet e hetimit dhe avokatët e çështjes për masën e dhënë ” arrest me Burg ” për Bajram Tushën, zbardhet e vërteta.

Vajza është abuzuar që në moshën 9-vjeçare nga Bajram Tusha, ndërsa në dosjen e prokurorisë thuhet se me këtë të fundit familja e saj ka pasur edhe një marrëdhënie krushqie.

E mitura ka rrëfyer se Bajrami ka abuzuar me të në banesën e tij, në fshatin Metoq. Vajza ka pohuar se Tusha e ka detyruar vazhdimisht të kryejë marrëdhënie seksuale në shtëpinë e tij dhe në të sajën, ndërsa kjo histori ka zgjatur deri kur ajo mbushi moshën 15-vjeçare.

Në dosjen e prokurorisë thuhet: “Tusha e ka prekur disa herë në pjesë të ndryshme të trupit. Pasi ajo e ka kundërshtuar ai e ka goditur dhe me pëllëmbë. Por një ditë ai arriti përmes dhunës të abuzonte me të miturën në dhomën e gjumit të saj, gjatë kohës që jetonin me qira në shtëpinë e Bajram Tushës. Ai i tha mos i thuaj njeriu, se do ta vriste. Kjo ka ndodhur dhe herë të tjera, madje dhe kur u larguan nga shtëpia e tij, pasi familja e saj shkoi të banonte në banesën e vajzës së 72 vjeçarit”.

Më tej në kallëzimin e saj 17-vjeçarja ka dëshmuar se edhe dy persona të tjerë kanë abuzuar me të, të dy të njohur të familjes. Para një viti ka abuzuar me të një 63-vjeçar nga fshati Shelegar, ndërsa i dyti është 54 vjeçar që banon në fshatin Gjashtë të Sarandës.

Në dosje citohet konkretisht: “Në përfundim vajza ka deklaruar se këtë ngjarje nuk do ta kishte deklaruar për shkak të frikës, por pasi ka njohur të dashurin e saj, ai e ka bindur që të denonconte këtë ngjarje”.

Lidhur me këtë ngjarje është pyetur edhe mësuesja e 17-vjeçares. Ajo ka thënë se Bajram Tusha vinte shpesh me të atin e vajzës dhe madje është zënë me një nxënës që ngacmoi 17-vjeçaren.

Mësuesja ka thënë po ashtu se 17-vjeçarja ka qenë objekt bullizimi në klasë, kryesisht nga djemtë që vinin nga fshati i saj, Gjashtë. Arsyen konkrete se përse ata e ngacmonin ajo nuk e ka ditur dhe kur kur ka pyetur 17-vjeçaren, nuk i ka dhënë shpjegime.

Po ashtu për ngjarjen janë pyetur edhe tre të akuzuarit. Në dosje thuhet se: “Bajram Tusha i ka pranuar pjesërisht të dhënat e pretenduara nga kallëzuesja”.

Ndërkohë për këtë ngjarje të rëndë janë pyetur edhe persona të tjerë, duke përfshirë edhe prindërit e vajzës. Po ashtu në dosjen e prokurorisë thuhet se është bërë edhe një përgjim ambiental, ku janë siguruar prova që çoi në arrestimin e 74-vjeçarit.