Deputeti shqiptar në parlamentin serb “prish” qetësinë e raportimit të Vuçiç

219
Sigal

Raportimi i Aleksandër Vuçiç në parlamentin e Serbisë për dialogun me Kosovën nuk ka qenë edhe aq i qetë.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi kërkoi që dialogu i Serbisë me Kosovën të jetë një proces i “përballjes me të kaluarën” dhe Beogradi të përballet me krimet e kryera.

“Njerëzit duhet ta dinë se Serbia sot po flet me ata që u ka vrarë fëmijët, e shumë prej tyre edhe familjet. Ju, President i Serbisë, në anën tjetër të tryezës së bisedimeve, ndoshta mund të keni Saranda Bogujevcin [nënkryetare e Kuvendit të Kosovës], familjen e së cilës e kanë vrarë ‘Akrepat’ serbë”, tha Kamberi.

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë tha se krimet nuk ishin rastësore, por ato janë kryer “në emër të shtetit serb”. Kamberi, i cili përfaqëson pakicën kombëtare shqiptare në Serbi, shprehu bindjen se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë mund t’i japë fund “armiqësisë shekullore” midis serbëve dhe shqiptarëve.

“Mendoj se dialogu i Brukselit mbetet shtylla kryesore e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”, tha ai.

Kamberi shtoi se statusi i komunitetit shqiptar në Serbi është “i lidhur ngushtë” me statusin e serbëve në Kosovë dhe tha se Serbia “po punon sistematikisht në margjinalizimin e pakicave në territorin e saj”.