“Depozitimi i mbetjeve të rrezikshme”, vlonjatët në protestë: Mos na helmoni fëmijët, Shqipëria nuk është kazan

423
Sigal

Dhjetëra qytetarë në Vlorë janë ngritur në protestë ditën e sotme pas nisjes së hetimeve nga Prokuroria për mbetjet, që dyshohet se janë të rrezikshme, të cilat u gjetën në tragetin e linjës së Brindisit dy ditë më parë.

Qytetarët shprehen se SPAK (Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion) duhet që të hetojë dhe të vendosë para përgjegjësisë autorët. Ata theksojnë se Shqipëria nuk është kazan.

Mos na helmoni fëmijët. Shqipëria nuk është kazan. Qytetarëve vlonjatë ju kërkoj që të na bashkoheni që të rritemi në një qytet të pastër dhe jo një plehrë që na e ka bërë Edi Rama me Dritan Lelin.

Nuk mund të pranojmë që mbetjet të na helmojnë. I bëj thirrje SPAK-ut që të hetojë këtë çështje dhe të mos e lerë në dorë të Zotit. Ky është një veprim anti-shqiptar dhe anti-njerëzor”, u shprehën protestuesit.


Operacioni “Amianti” u zhvillua dy ditë më parë në Vlorë, ku u sekuestrua lënda e dyshuar si e rrezikshme që shkakton kancer, e cila ishte nisur nga Italia me tragetin “St Damiano” të linjës Brindisi-Vlorë.

Ky operacion vuri në pranga 6 persona, ndërsa çështja është në duart e SPAK.

Policia ka arrestuar Festim Tafën, 72-vjeçar, kapiteni i tragetit “S.T. Damian”, zv/kapitenin Kujtim Xhaferllari 65 vjeç banues në Vlorë, drejtori i një agjencie tragetesh, Agron Brataj 48 vjeç dhe shoferi i furgonit ku është gjetur një pjesë e vogël lesh xhami, Arbër Çuni 28 vjeç.

Në pranga ka rënë dhe administratorja e kompanisë “Delfini 1” Elisabeta Çuni, e cila i ka sjellë në Shqipëri këto produkte duke i kamofluar si produkte kimike pastrimi dhe Zamir Kormuzi, 46 vjeç, pronari i pikës së grumbullimit, firma “Kornuzi”.

Ndërkohë priten analizat e mbetjeve, për të parë nëse ato janë të rrezikshme. Së fundmi ka reaguar edhe kompania italiane “St.Damian”, e cila ka deklaruar se mbetjet që u gjetën në traget nuk janë të rrezikshme.