Departamenti i Auditimit të Institucioneve Qendrore zhvillon analizën vjetore të punës për vitin 2017

763
Departamenti i Auditimit të të Institucioneve Qendrore, zhvilloi analizën vjetore të aktivitetit më datë 25.01.2018, ku të pranishëm ishin Drejtori i Përgjithshëm i KLSH-së znj. Lindita Milo, kryeauditues dhe auditues të departamentit. Analiza e Departamentit të Institucioneve Qendrore u çel me fjalën e Drejtoreshës së Përgjithshme znj. Milo, e cila foli për sfidat që e presin Departamentin në kuadër edhe të kryerjes së auditimeve të përputhshmërisë sipas standardeve dhe të mbështetura mbi analiza risku. 

Analiza pati në fokus dy shtylla kryesore për vlerësimin e aktivitetit të Departamentit që janë:

– Analizën e konstatimeve dhe rekomandimeve të KLSH-së dhe impaktin e tyre në përmirësimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, si dhe

– Vlerësimin e zbatueshëmrisë së rekomandimeve të KLSH-së dhe analiza e shkaqeve nën këndvështrimin e zbatueshmërisë së masave disiplinore, si element i rëndësishëm me impakt në (mos)rritjen e zbatimit të rekomandimeve të KLSH-së. 

Departamenti i Auidtimit të Institucioneve Qendrore, gjatë vitit 2017 realizoi gjithsej 26 auditime, nga të cilat: 8 auditime përputhshmërie dhe rregullshmërie, 9 auditime përputhshmërie, 6 auditime financiar dhe 3 auditime tematike, në përfundim të të cilave KLSH rezultoi në:

– 39 rekomandime për përmirësimin e akteve ligjore dhe nënligjore;
– 371 masa organizative për përmirësimin e gjendjes dhe veprimtarisë;
– Dëm ekonomik në shumën 1,407,190 mijë lekë për të cilën është kërkuar nxjerrja e titujve ekzekutivë dhe ndjekja në rrugë ligjore për vlerën 312,681 mijë lekë;
– 80 masa disiplinore, në 8 subjekte;
– 33 masa administrative, në 2 subjekte;
– 3 kallëzime penale (për 12 persona) si dhe 2 indicie për kallëzim penal.

Gjetjet kryesore të Departamentit u grupuan sipas 3 shtyllave kryesore, si më poshtë:
1. Impakti që kanë anomalitë e hartimit të kontrolleve të brendshme, në gjetjet tona, duke i ato grupuan në dy nënkategori: 
(1.1) impakti i hartimit jo relevant (përkatës) i kontrollit të brendshëm, në rastet kur kontrolli i nevojshëm për të përmbushur objektivat mungon; 
(1.2) impakti i hartimit jo relevant (përkatës) i kontrollit të brendshëm, kur kontrolli ekzistues nuk është hartuar siç duhet , 
2. Impakti që kanë anomalitë gjatë implementimit të kontrolleve të brendshme, në gjetjet tona; 
3. Impakti që kanë anomalitë gjatë vlerësimit mbi funksionimin e kontrolleve të brendshme, në gjetjet tona.

Nën këtë këndvështrim, pjesëmarrësit u prezantuan me një seri gjetjesh dhe rekomandimesh në auditimet e kryera përgjatë vitit 2017.

Në vijim të prezantimit theksi u vu në vlerësimin e zbatueshmërisë së rekomandimeve, si hallkë e rëndësishme jo vetëm për përmirësimin e financave publike në përgjithësi, por në veçanti edhe në kushtet e punës sonë audituese, ku zbatimi i rekomandimeve duhet parë si hallka e 4-t e procesit të auditimit (pas planifikimit, auditimit në terren dhe raportimit).

Përgjatë prezantimit u analizuan të dhënat statistikore mbi zbatimin e rekomandimeve për subjektet objekt verifikimi, nga ku rezultoi se, 37% e masave janë zbatuar plotësisht, 4% pjesërisht, 35% në proces zbatimi dhe 25 % vijojnë të jenë të pazbatuara. Në vijim u soll në fokus rëndësia e monitorimit të kujdesshëm nga ana e KLSH-së, si dhe përmirësimi i mëtejshëm i cilësisë së rekomandimeve si parakusht për zbatimin e tyre. Theksi u vu tek nevoja për të forcuar incentivat me qëllim rritjen e angazhimit të subjekteve për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së, si faktor me ndikim në përmirësimin e aktivitetit financiar dhe ekonomik të tyre gjithashtu. Në këtë drejtim, u diskutua rëndësia e të punuarit në drejtim të nxitjes së institucioneve publike për të krijuar dhe operuar me sisteme të dedikuara të zbatimit të rekomandimeve. E në fakt, kjo është një praktikë e domosdoshme që vjen si kërkesë e standardeve por edhe e praktikave më të mira (këtu sollëm shembuj të AGO-s apo ECA-s ku pjesë e zbatimit mbi vlerësimin e rekomandimeve është pa diskutim vlerësimi i sistemeve të tyre).

Më tej u vijua me një prezantim mbi kryerjen e auditiveve financiare, procedurat që ndjekim për kryerjen e tyre dhe sfidat për realizimin të suksesshëm të tij. Z. Zeqiri u ndal në mënyrat e përllogaritjes së materialitetit dhe fushave me risk, nga pikëpamja teorike, e cila në fakt nga pikëpamja praktike kërkon thellim të njohurive audituese mbi standardet e fushës në këtë drejtim. Në këtë kontekst, pati diskutime mbi vështirësitë e ndeshura gjatë planifikimit, të cilat vijnë gjithashtu edhe nga mungesa e informacionit (p.sh. bazës së të dhënave të subjekteve dhe aksesimin e tyre paraprakisht). Rëndësi paraqesin gjithashtu edhe projektet pilot që tashmë kanë filluar, nën mbikëqyrjen e kolegëve polakë, për realizimin e dy auditimeve të përputhshmërisë (në ISSH dhe në Ministrinë e Financave), procesi i planifikimit të të cilave do të na orientojë dhe ndihmojë shumë edhe në kryerjen e planifikimit në auditimet financiare. Pjesa e dytë e analizës vijoi me prezantimin e disa auditimeve specifike, me fokus prezantimin e konstatimeve dhe rekomandimeve të KLSH. Sa më sipër, konstatohet se është një praktikë e mirë për t’u ndjekur në vazhdimësi, në referencë edhe të praktikave të ndjekura nga partnerët, ku auditimet me impakt, prezantohen në KLSH dhe ku të gjithë audituesit ftohen të marrin pjesë për t’u njohur më nga afër me rezultatet e auditimit, si një qasje më proaktive (pasi tashmë KLSH publikon jo vetëm Vendimet e Kryetarit të KLSH-së, por edhe raportet përfundimtare të auditimit) e cila ndihmon të gjithë të marrim nga eksperiencat e kolegëve. Pjesa e dytë e analizës nisi me prezantimin e gjetjeve dhe rekomandimeve kyçe në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, për të vijuar më tej me rezultatet e auditimit në Autoritetin Rrugor Shqiptar, në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencinë e Prokurimit Publik dhe Komisionin e Prokurimit Publik.

Pjesa e tretë dhe e fundit e analizës iu dedikua prezantimit të Librit Jeshil të GAO-s, përshtatur në shqip, prezantim i cili u nda në 3 pjesë dhe u prezantua nga:
Znj. Eni Kabashi, e cila prezantoi 2 komponentë të kontrollit të brendshëm: Mjedisi i Kontrollit dhe Vlerësimi i Riskut.
Znj. Prishila Rama, e cila prezantoi komponentin e 3-te, Aktivitetet e Kontrollit, dhe
Znj. Alkida Llakaj, që prezantoi 2 komponentët e fundit: Informimi dhe Komunikimi, dhe Monitorimi.

Prezantimi i Librit Jeshil (ose Standardet e Kontrollit të Brendshëm sipas GAO-s), është një element që duhet parë me interes nga të gjithë audituesit, pasi është një udhëzues i konceptuar thjesht e që na ndihmon të kuptojmë se çfarë realisht duhet matur dhe vlerësuar në sistemin e kontrollit të brendshëm. Ky udhëzues i botuar në vitin 2014, paraqet një mënyrë të konceptuari ndryshe, e cila është diktuar pikërisht nga moskuptueshmëria e kontrollit të brendshëm por edhe më qëllim mbajtjen e “gjykimit profesional të audituesit”, brenda disa kufijve të pranuar. 

Analiza u mbyll me përshëndetjen e Drejtorit të Përgjithshëm, kryefjala e të cilës ishin sfidat që na presin për vitin në vazhdim dhe puna jonë në drejtim të përmirësimit të vazhdueshëm.
Sigal