Denoncohet Autoriteti Rrugor dhe Ministria e Transporteve

627
Sigal

Vijojnë përplasjet mes Ministrisë së Transporteve, institucionit vartës të saj Autoritetit Rrugor të Shqipërisë dhe kompanisë që ka marrë përsipër kryerjen e investimit. Punimet për ndërtimin e rrugës Tiranë Elbasan, pothuajse kanë ndalur plotësisht. Pamjet në zonën e Mulletit flasin qartë se nuk shihet asnjë mjet të punojë. Burime nga kompania që po merret me ndërtimin e kësaj rruge thonë për mediat se shkak për ritmin e dobët të punimeve, janë bërë vështirësitë financiare dhe borxhet e akumuluara si pasojë e mosshlyerjes së detyrimeve për punë të kryera me parë, nga ana e Ministrisë së Transporteve. Në muajin nëntor të vitit të kaluar, me rinisjen e punimeve në këto zonë, Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto bëri thirrje, që punimet të vijonin me ritme më të shpejta. Por siç duket nga gjendja në terren, këto punime kanë mbetur pothuajse në vend. Kompania “Copri-Aktor” thotë se ka vështirësi financiare dhe pretendon se nuk është paguar në afro 10 milionë dollarë për punë të kryera më parë, çka e ka detyruar të zhytet edhe në borxhe. Vetëm vitin që shkoi ndaj kësaj kompanie u lëshuan afro 12 urdhra sekuestrosh për bllokim të aksioneve, si pasojë mospagimit të nënkontraktorëve. Por nga ana tjetër Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se pretendimet e kompanisë, për mungesë të pagesave, kërkojnë dokumentacionin e duhur ligjor për të vërtetuar punët e kryera. Dhe ky dokumentacion sipas Autoritetit Rrugor mungon. Që punët mes kompanisë kontraktore dhe Ministrisë së Transportit nuk po shkojnë, siç duket në ecurinë e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan, këtë e vërteton edhe njoftimi i fundit nga ana e Autoritetit Rrugor, i cili ka kërkuar nga banka financuese sërish shtyrje të afatit të përfundimit të punimeve në dhjetor të këtij viti edhe pse Ministri Haxhinasto premtoi se punimet do mbylleshin në qershor. Në Ibë, ku kanë ndodhur edhe rrëshqitjet më të mëdha të dherave, ende nuk ka një projekt të impelementuar për zgjidhjen e problemit të krijuar.