Denoncohen rastet e para, loja e rrezikshme për fëmijë mbërrin në Shqipëri

377
Sigal

Përdorues anonim në internet që fshihen pas personazhit “Jonathan Galindo”, dhe i nxisin fëmijët drejt një loje që mund t’i çojë deri në vetëvrasje, janë të pranishëm edhe në Shqipëri.

Sipas një njoftimi disa ditë më parë thuhej se nuk është konstatuar asnjë rast në vendin tonë, por në Linjën Kombetare të Ndihmës për Fëmijë, alo 116, kanë mbërritur 5 sinjalizime brenda 1 jave.

“Bëhet fjalë për një adresë që është në Instagram, fëmijët janë kontaktuar nga e njejta adresë. Disa biseda janë bërë në shqip disa biseda janë bërë në anglisht. Pra akoma duhet parë se kush është personi që fshihet pas asaj adrese. Janë të grupmoshës 10 deri 16 vjeç që na kanë sinjalizuar”.

Faqja e denoncuar është mbyllur, por ende nuk është bërë i mundur identifikimi i personit. Sipas psikologëve më të rrezikuar janë fëmijët që kalojnë shumë kohë në internet apo bëjnë një jetë të varfër sociale.

“Nëse ndryshon diçka në humorin e fëmijës, në rutinën ditore, në higjienën personale, nëse nuk është më i komunikueshëm se më parë. Eksplorimi në faqe të pakontrolluara mund ta bëjë femijën burim viktimizimi në çdo moment prandaj është shumë e rëndësishme të bëhet kontrolli nga ana e prindërve”.

Loja “Jonathan Galindo” është vazhdim i Balenës Blu, e cila përmban 50 sfida të rrezikshme. Sipas psikologëve, informimi dhe komunikimi me fëmijët mund të shërbejë si një mënyrë parandaluese.