Një numër i konsiderueshëm denoncimesh ka mbërritur në komisariatet e policisë në Tiranë vetëm në ditët e fundit për disa grupe huliganësh që veprojnë në kryeqytet. Mësohet se qytetarët kanë denoncuar grupe të rinjsh, të cilët dyshohet se janë nga qytetet pranë Tiranës si Elbasani dhe Durrësi. Këta të rinj ndalojnë qytetarët në rrugë dhe nën kërcënimin e armëve të ftohta si thikë u marrin atyre sendet me vlerë si portofolë, çanta, vlera monetare apo edhe bizhuteri e telefonat. Ky është një rast i paprecedentë ndërsa policia ka nisur menjëherë kërkimet për një grup të tillë që po sjell shqetësim mes banorëve të Tiranës, të cilët shpeshtojnë lëvizjet e tyre gjatë orëve të mbrëmjes për të festuar me miqtë dhe për të shpenzuar në ambiente të ndryshme ditët e pushimit përgjatë festës të ndërrimit të viteve. Një denoncim mbërriti edhe pranë redaksisë së gazetës “Telegraf” me qëllim bërjen publike të këtij rasti për të rritur vigjilencën mes qytetarëve.






















