Denoncimi / Para për të blerë pafajsinë dhe biseda mes babait të të dënuarve dhe denoncuesit: Më jep 50 milion lekë dhe unë e mbyllë me prokurorin. Takimi në prokurori dhe historia e plotë e ngjarjes përmes regjistrimeve

655
Sigal

Denoncimi i “Fiks Fare”/ 50 milionë lekë për të blerë pafajësinë në Gjirokastër. Bisedë mes babait të të dënuarve dhe denoncuesit , takimi në prokurori dhe historia e plotë e ngjarjes që nisi me linjën e autobusëve Gjirokastër-Tiranë

 

 

Denoncuesi: Më jep 50 milionë lekë dhe unë e rregulloj me prokurorin

“Fiks Fare” denoncoi një skandal në sistemin e drejtësisë. Në Gjirokastër, në prokurori dhe gjykatë, pazari për pafajësinë ka shkuar në plot 50 milionë lekë. Dhe nëse kjo shumë paguhet, atëherë qytetarëve iu pushohen akuzat.

Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” u ankua Fiqiri Zhupa, nga Memaliaj, i cili pretendon se dy djemtë e tij Juliani dhe Arbri, janë dënuar padrejtësisht nga Gjykata e Gjirokastrës. Ai thotë se gjithçka lidhet me një akuzë të ngritur disa vite më parë nga shtetasi Ethem dhe Ergys Kërpaçi, babë e bir. Ergysi, sipas disa vendimeve të tjera të gjykatës, i ka nisur shuma të konsiderueshme në lekë tre vajzave. Gjithsej, sipas prokurorisë, vajzat kanë përfituar qindra milionë lekë që Ergysi ia ka nisur me pako nëpërmjet disa autobusëve të linjës Gjirokastër-Tiranë. Pikërisht, këtu kanë hyrë në “lojë” vëllezërit Zhupa. Megjithëse nuk ka asnjë provë që ata të kenë shantazhuar apo kërcënuar Ergysin, ky i fundit ka dërguar me autobusët e tyre pakot drejt vajzave. Fillimisht u hetuan dhe dënuan vajzat, madje njëra prej tyre me 12 vjet heqje lirie dhe më pas u hetuan dhe dënuan dy vëllezërit. Juliani me 6 vite burg dhe Arbri me 5 vite burg. Babai i tyre thotë se që nga fillimi i procesit e deri më tani, kur çështja është në Apel, i është kërkuar lekë nga Ethem Kërpaçi. Madje, thotë se akuzat janë ngritur për shkak se Ethemi ka miqësi me prokurorin Julian Çafka. Sipas tij, në momentin që çështja ishte në shkallë të parë, ka takuar Ethemin dhe ai i ka kërkuar plot 150 milionë lekë. Pas kësaj “gjobe”, qytetari ka shkuar te zyra e prokurorit Julian Çafka, aktualisht drejtues prokurorie në Gjirokastër, dhe ky i fundit i ka thënë “zgjidhje me denoncuesin”. “Nuk pranova, se po të pranonim të jepnim lekë, do pranonim edhe fajin. Djemtë e mi vetëm kanë transportuar pakot, nuk kanë kërcënuar apo shantazhuar njeri” thotë Fiqiriu. Më tej sqaron se ka prova se i gjithë procesi ka qenë një lojë mes denoncuesit dhe prokurorit, që kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin. “Denoncuesi qëndron gjatë gjithë kohës në Prokurorinë e Gjirokastrës. Madje, e kam parë vetë që ka qenë në zyrën e prokurorit” thotë Fiqiriu, ndërsa i ka filmuar edhe në makinë bashkë, pra Ethem Kërpaçi dhe Prokurori Julian Çafka. Në video duket qartë se të dy qëndrojnë në makinë. Pas denoncimit, babai i të dënuarve takon denoncuesin, Ethem Kërpaçin. Ky i fundit i thotë që “më jep 50 milionë lekë dhe menjëherë tërhiqem unë, tërhiqet prokurori i shkallës së parë, Julian Çafka dhe tërhiqet edhe Gjoni (Prokurori i Apelit”. Takimi bëhet në hyrje të Prokurorisë së Gjirokastrës, ku denoncuesi qëndron atje shumicën e ditës. Pas këtij takimi, babai i të dënuarve takon drejtuesin e prokurorisë së Gjirokastrës, Julian Çafka. Ata bisedojnë për provat e dosjes si dhe për “gjobën” që mori nga denoncuesi. Në vend që prokurori t’i merrte kallëzim qytetarit për këtë gjobë, prokurori e udhëzon që ta zgjidhë me denoncuesin.

 

Bisedë mes babait të të dënuarve (Fiqiri Zhupa) dhe denoncuesit (Ethem Kërpaçi)

 

Babai i të dënuarve – Ç’a bën?

Denoncuesi – Ç’kemi. Faji është tuaji që vini vërdallë.

Babai i të dënuarve – Po pse është faji im? Ku qëndron faji im, këtë dua të di unë, ku qëndron faji im? Si mund të më ndihmosh mua ti tani që çunat mos të venë në burg, të shikojnë punët, janë familjarë.

Denoncuesi – Sado shok që të jemi unë dhe ti, kur ecin gjërat në dorën e këtyre, nuk del dot se këta të mbajnë: dua unë, s’do ti…

Babai i të dënuarve – Të mbajnë peng.

Denoncuesi – Dhe këta të mbajnë këtu. Po kjo mbajtja këtu ka një kosto që jam unë. Sikur ditën e punës të llogarisësh që humbet, është kosto. Unë kam qenë i gatshëm të pranoja ndonjë lloj kompromisi dhe të ngelesha qytetar, miq mbase nuk bëheshim, po qytetarë. Unë doja zgjidhje një sekondë dhe më parë.

Babai i të dënuarve – Mua në fillim kur qe një gjyq, nuk e di ça gjyqi qe atje kur erdhi Sulua, unë nuk e di ça lidhje ke ti me Sulon.

Denoncuesi – Sulon e kemi tonin.

Babai i të dënuarve – Ashtu, dhe erdhi dhe tha 150, 150 milionë ku t’i gjeja unë që t’i jepja.

Denoncuesi – Kush të tha?

Babai i të dënuarve – Sulua.

Denoncuesi – Këtu kanë qenë problemet, se njerëzit kanë folur me gjuhën e tyre.

Babai i të dënuarve – S’kisha ku t’i gjeja unë ato. Si mund të zgjidhet, këta këtu poshtë kanë gjë në dorë më?

Denoncuesi – Këtu ka diçka, unë kërkoj të marr diçka nga këto që mua më kanë humbur. Unë të thash dy fjalë atë ditë…

Babai i të dënuarve – Po tani 150 milionë lekë ku t’i gjej unë, bëhen 150…

Denoncuesi – Dëgjo tani.

Babai i të dënuarve – Hë.

Denoncuesi – Shiko tani. Ulu, si kam o vëlla, po hiqma dhe mua, të di dhe unë që fola sinqerisht. Hiqma dhe mua këtë puçin nga barku dhe hajde ta zgjidhim.

Babai i të dënuarve – Po ai Juliani (drejtuesi i prokurorisë), kam vajtur nja 2 a 3 herë te zyra e tij, llafosu me Ethemin. Llafosu, hë sot, hë nesër. Ai mbase kishte të drejtë se nga fillimi ishte zgjidhur ky muhabet. Tani, ka gjë në dorë ai?

Denoncuesi – Juli?

Babai i të dënuarve – E.

Denoncuesi – Këtu në dorë e kam vetëm unë.

Babai i të dënuarve – Po tani që e ke në dorë po e po.

Denoncuesi – Në qoftë se unë, të tërhiqem unë, tërhiqem unë nga të gjitha këto, i çliroj unë të gjitha gjërat.

Babai i të dënuarve – Të mbaroj gjyqi ee. Po.

Denoncuesi – Unë dua të ulem me juve. Unë kërkova, në qoftë se të kujtohet, të këtyre që sipas llogarive këta diskutohen për 150 milionë lekë, dhe unë të thashë ka mundësi një të tretën e dëmit. Edhe s’i ke sot, nëm diçka atje të shkruar.

Babai i të dënuarve – Që t’i kam borxh.

Denoncuesi – Unë do të lë peng këtë paqetë

Babai i të dënuarve – Ndofta s’e kam pasur mendjen unë o ti me thënë të drejtën. Unë jam nisur gjithmonë se ti kërkon 150 milionë. Unë për të pasur s’kam, do t’i marr borxh. Unë ça të detyrohem, më vu një tarifë. Tani ti kërkon 1/3, sa është 1/3 o vëlla?

Denoncuesi – 50 milionë lekë.

Babai i të dënuarve – 50 milionë, lekë a euro?

Denoncuesi – Po lekë!

Babai i të dënuarve – 50 milionë lekë.

Denoncuesi – Unë kërkoj diçka nga…

Babai i të dënuarve – Po mirë, në qoftë se unë të jap 50 milionë lekë, e mbyllin këta (drejtësia) apo mos duan dhe ata pastaj.

Denoncuesi – Unë tërhiqem dhe jam unë i pari që u them, stop, kam zgjidhur çdo gjë.

Babai i të dënuarve – Ai Juli, e bën ai?

Denoncuesi –Unë kam marrë OK-ej.

Babai i të dënuarve – Nga ai?

Denoncuesi – Ideja ka qenë që në fillim.

Babai i të dënuarve – E Julit?

Denoncuesi – E Ben Pashos.

Babai i të dënuarve – A iku Ben Pasho.

Denoncuesi – Një sekondë, se ai qe kryesori dhe ai…

Babai i të dënuarve – Ç’thoshte ai bëheshe.

Denoncuesi – … më orientonte, më thoshte Etem gjej gjuhët me palët. Dhe kur i vinin këta njerëz, që i futeshin miq dhe shok, këtë muhabet i thoshte. Beni qe kryesor, dosjen e kishte Juli. Dhe muhabetet që bëheshin, bëheshin Beni, Juli dhe unë. Unë kërkoj i thashë vetëm lekë.

Babai i të dënuarve – Në dorë e ke ti, e zgjidhin këta të shkallës së parë këtu? E mbyllin këta në shkallë të parë, apo e mbyllin ata lart (në apel)?

Denoncuesi – Tërhiqem unë nga kjo pjesë, tërhiqet prokurori.

Babai i të dënuarve – Cili prokuror?

Denoncuesi – Ai që përfaqëson tani, prokurori më poshtë.

Babai i të dënuarve – Juli?

Denoncuesi – Juli tërhiqet, tërhiqet Gjoni. Vazhdojnë procedurat e tërheqjes. Dhe në momentin e parë, në gjyqin e parë, mbyllet kjo. Si procedurë kjo është.

Babai i të dënuarve – Po shumë lekë Etem, nuk e kuptoje ti kaq vjet?

Denoncuesi – Tani, kasaforta funksiononte vetëm rezervë, që unë punoja me lekët e xhiros.

Babai i të dënuarve – Bëhet fjalë për lekë të madh.

Denoncuesi – Ore…

Babai i të dënuarve – Pak janë 700 milionë lekë!

Denoncuesi – Bëhej fjalë që unë punoja, nuk rrija. Në qoftë se unë mbaja në shtëpi 1 milion lekë, i kisha lënë në kasafortë, 500 milionë i mbaja në magazinë që punoja. Dhe kasaforta qe rezervë, ç’mbeteshin, jep nuses, futi brenda. U mendova një çikë dhe thashë lërë se do ketë dorë djali. Ti mos i thuaj gjë i thashë, mos i thuaj asnjë llaf, do merrem me të unë. Kisha kurajë t’i thosha unë, se mund ta vritsha fare djalin. E ula djalin, ma shpjegoi djali dhe i mbante mend të gjitha. E marr e bie në prokurori. Me këta njihesha se njihesha nga ngjarja time, nga plagosja. I zbërtheu djali të tëra, një për një.

Babai i të dënuarve – Tani, është nevoja që të vetë unë ta takoj atë Julin? Tani si do ta lëmë, do ta takosh ti atë, ai s’besoj të mos jetë dakord apo jo?

Denoncuesi – Ata kanë qenë te kjo pikë.

 

Babai i të dënuarve takon kryeprokurorin e Gjirokastrës (ka qenë prokuror i çështjes)

 

Babi i të dënuarve – Urime për detyrën

Prokurori – Faleminderit

Babi i të dënuarve – Edhe një herë kështu se jo takoje, takoje e takova atë.

Prokurori – Kë?

Babi i të dënuarve – Atë Ethemin.

Prokurori – O Kristaq e takove, e pastaj?

Babi i të dënuarve – Po e takova nga që edhe ju takoje, takoje e takova.

Prokurori – Dëgjo tani unë jam prokuror dhe unë zbatoj rregullin. Në ç’kuptim, unë kam konstatuar se djemtë janë përfshirë në një situatë mashtrimi. Të flasim realitetin, tani e pranon, s’e pranon këto qenë letrat.

Babi i të dënuarve – Po.

Prokurori – Tani unë nuk të kam thënë takoje. Të kam thënë këtë gjë për mua janë fajtorë, për mua zbuti gjërat, po nuk të detyroj e kupton idenë. E para! E dyta, duhet të dish edhe një gjë për mendimin tim. Unë tek kërkesat e mia karshi dy djemve të tu edhe në fund, në përfundim të procesit, jam treguar goxha njeri me zemër të madhe. P.sh., ai i vogli tha ngriti 100 pretendime, aman tha… E para punës që tek masat, dakord jam me ty masat qenë një çik të rënda për mendimin tim, ndërkohë që situata ishte e tillë dhe pasoja qe e lartë. Për mendimin tim, djali yt i madh dilte si më kryesori, nuk qe për kusht, se vajti mbi 5 vjet nuk lejohet. Në këto kushte unë ta kam thënë këtë në kuptimin që, Fiqo shiko e zgjidhe se ke këtë problem. Po nuk ta kam thënë po se zgjidhe e kupton. Unë ta kam thënë për mendimin tim se është rrethanë lehtësuese. Këtë të kam thënë, apo jo?

Babi i të dënuarve – Po.

 

Prokurori – Tani ajo është rrethanë lehtësuese, ti do ta zgjidhësh, zgjidhe. S’do ta zgjidhësh, tani çfarë të them unë. Tani unë i kam mbaruar punët e mia. Unë i kam dhënë pretencat.

Babi i të dënuarve – Tani unë e takova, të më vërë gjobë mua, më jep nga 150 milionë më jep 50 milionë lekë.

Prokurori – Unë të gjitha kërkesat e mia që i kisha i bëra në gjykatë, i kam mbarur. Tani në daç takoje në daç mos e tako. E para! E dyta, unë vetë personalisht edhe kur të kam thënë takoje se të ndreq unë se nuk jam tip i tillë. Unë kam vënë dorën në zemër në të gjithë ato raste që ti ke ecur, ke thënë bobo djemtë në burg në masa e këto unë e kam zbutur. Në do ta shikosh në konkluzionet përfundimtare kam thënë kaluar kohë e gjatë ata përfituan nga një moment. Kam thënë që përfituan nga një dobësi ligjore e përfituan. Djemtë janë fajtorë.

Babi i të dënuarve – Tani vajtën dy vjet do isha bindur si prind të paktën një provë. Më bind një argument bindës që çunat e kanë bërë këtë veprim.

Prokurori – Është e drejta jote të mos e pranosh, e drejta jote të bësh mbrojtje. Të them edhe një gjë s’jam me atë që djemtë të rrinin brenda, prandaj ka qenë edhe kërkesa ime.

Babi i të dënuarve – Këtë takova sot e më tha më jep 50 milionë lekë dhe bëj dorëheqje unë. Tani këtë 50 milionë lekë, gjobë ma bën mua?

Prokurori – Shtetas shqiptar jeni ju, shtetas shqiptar është ai. Ne nuk jemi këtu që t’ju fundosim ju. Presupozohet se ne jemi vendosur për të vendosur rend a e kupton apo jo? Unë personalisht asnjëherë nuk mendoi dhe as kam menduar që Kristaq po nuk bëre kështu, ne do të bëhemi kamzhik.

Babi i të dënuarve – Atë s’e kanë bërë e kam thënë e do ta them deri sa të vdes.

Prokurori – Dakord.

Babi i të dënuarve – Sepse ata jetojnë me mua dhe do kishin shtëpi sot të kishin marrë 150 milionët e atij. Tani ai vë një gjobë. Unë nuk ta them si prokuror, se ti më ke futur djemtë mua në burg.

Prokurori – Kam bërë detyrën.

Babi i të dënuarve – Kurse për atë them ai i ka akuzuar djemtë e mi kot dhe i ka futur në burg. Pastaj ata oficerët gjyqësorë, kush është ai Ylli Zaçe, unë nuk e njoh personalisht . Ylli Zaçe ka futur djemtë e mi në burg.

Prokurori – Kristaq, unë nuk kam thënë djemtë kanë marrë 150 (milionë), unë kam thënë janë marrë 150 dhe janë transportuar me furgona, me kështu me ashtu . Tani ky fakt 150.

Babi i të dënuarve – I duhen atij?

Prokurori – Jo, të them një gjë unë edhe kur të kam thënë nuk e di në raste se ti thua se ti ulu gjeje unë ta kam thënë në kuptimin, ore ti këto edhe këto rrethana lehtësuese ato. Po gjete gjuhën mirë, po kjo nuk do të thotë të mbaj inat, se pse nuk gjen gjuhën me atë. Unë jam me këtë, ore njeriu hap zemrën nuk hap xhepat. Ato janë marrëdhëniet e tuaja, unë i kam mbaruar ato. Moralisht ndjehem në rregull, nuk më vjen mirë që kaq kohë u lodhëm nga nervat . Unë kërkesat e mia i kam paraqitur.

Babi i të dënuarve – Unë takova Eqremin dhe më tha të jepja një të tretën, të paktën 50 milionë unë i nxjerrja djemtë nga burgu që atë ditë. Si i nxjerr djemtë nga burgu? I thashë, ja t’i dhënkam 50 milion lekë, si t’i jap? Të kam ndonjë borxh? Ti po ma bën borxh mua je fut tek prokuroria i ke bërë peshqesh dhe nga ana tjetër kërkon të ma fusësh. Se s’ke djalë ti të kam faj unë. Megjithatë thashë t’ia them Julianit, ky njeri meqë takohem me të më kërko 50 milionë lekë gjobë.

Prokurori – Ç’të të them unë, asnjëherë kur dënojmë njerëz nuk ndjehemi mirë.

Babi i të dënuarve – Unë di të them, po ke dorë ti dhe unë kanë edhe fëmijët e mi.

Prokurori – Fiqo në këtë bisedë këtu ndahemi, unë them janë fajtor e ti thua janë të pafajshëm.