Denoncimi: Nipi i zyrtarit të lartë lejon prerjen e pyjeve në Korçë

582
Sigal

Pyjet vazhdojnë të masakrohen,
pavarësisht se qeveria ka miratuar një moratorium 10-vjeçar ku ndalohet
kategorikisht eksporti dhe tregtimi i lëndës drusore. Kamera e Fiks Fare ka
arritur të dokumentojë prerjen e pyjeve në qarkun e Korçës, ku firma private,
apo individë të ndryshëm, presin dru vazhdimisht dhe i tregtojnë në qytet. Disa
punëtorë që presin dru në fshatin Arrëz në Korçë thonë se ata i lejon një
drejtor pyjesh, i cili është nipi i një zyrtari të lartë. Ndërkohë, krahas
këtij zyrtari, firmat, apo individët që presin dhe tregtojnë dru zjarri,
bashkëpunojnë me punonjës policie, të cilët i shoqërojnë gjatë gjith rrugës.

Ekipi i Fiks Fare shkoi në fshatin
Boboshticë dhe Dardhë të Korçës. Në Boboshticë banorët tregojnë se presin dru
dhe se paguajnë policinë nga 50 mijë lekë kur i kapin. Tregojnë se ata që
presin në pyll janë të paligjshëm. Sipas tyre, janë dy makina që bashkëpunojnë
me policinë, ndërsa 32 mijë lekë të vjetra është një metër kub dru zjarri.

Gazetarët biseduan me një punëtor,
i cili tregon se pret dru zjarri për një kompani. Ai thotë se, pasi presin dru,
i ngarkojnë me mushka dhe ia çojnë firmës. “Deri në Boboshticë i dërgojmë drutë
kollaj, por vëzhtirësia është t’i fusësh në Korçë” thotë punëtori.

Megjithatë, Fiks Fare dokumentoi
edhe mënyrën sesi futen drutë në Korçë. Kamera e Fiksit gjen në qytet një polic
rrugor që pret para një makine të ngarkuar me dru, e cila po shkarkohet. Në
pamje duket qartë punonjësi i policisë, i cili qëndron vetëm pak metra larg
furgonit, ndërsa në disa çaste duket që kontrollon edhe zonën rreth e qark.
Gazetarët bisedojnë me një qytetar, ngjitur me vëndin ku shkarkohen drutë.
Qytetari i thotë ekipit të Fiks Fare se një metër kub dru është 35-40 mijë
lekë. “Shiko si i sjellin, i shoqëron ai i policisë” thotë qytetari, i cili
shton se “po të marrim dru neve, se unë jam prej fshati, më shikonte… Tani i
sjellin fshehurazi”. Më pas pohon se “e shoqëron (polici) për ta sjellë këtu se
është pyjorja atje matanë (300 metra larg vëndit ku u shkarkuan drutë)”.

Ekipi i Fiks Fare shkoi në fshatin
Dardhë. Rrugës është një automjet, tip “IFA”, të ngarkuar me dru. Mjeti lëvizte
pa targa, ndërsa një punëtor tregon se makina ka të ngarkuar 8-9 metër kub dru.

Ndërkohë, në fshatin Dardhë ka dru
të prera dhe të grumbulluara, ndërsa disa punëtorë presin me motorsharrë. Fiksi
bisedoi me dy të rinj që presin dru në një zonë të mbrojtur. “Kjo është një
zonë turistike dhe është e mbrojtur. Po të na kapin, ata të pyjores na gjobisin
me 50 milionë” thonë ata.

Gazetarët shkuan në fshatin Dardhë, ku xhirojnë stivën e
druve të dy punëtorëve. Disa çaste më vonë, te stiva vijnë edhe disa mushka të
ngarkuara me dru. Në Dardhë, gazetarët bisedojnë me një banor, i cili u tregon
se drutë që u prenë nga dy të rinjtë janë shitur menjëheherë. Pas Dardhës,
Fiksi shkoi në fshatin Arrëz. Në këtë fshat, duket një pikë grumbullimi të
druve, ndërsa afër saj është një stiv e vogël dhe afër saj janë të hedhura edhe
dru të tjerë. Gazetarët bisedojnë edhe me një punëtor që çoi në këtë pikë disa
mushka të ngarkuara me dru. Ai u thotë se “jemi të lidhur. I kemi me atë
Arjanin”. Gazetarët e pyesin nëse ju mbrojnë ata të pyjores. “Po, po na kanë
mbrojtur këta. Sikur u pengua drurët, nuk ka ardhur dje në Arrëz asnjë makinë.
I kanë nxjerrë ata të moratoriumit. Na kanë ardhur këtu, ju kena thënë për
filanin e mirë vazhdoni tha” thotë punëtori, ndërsa thotë se është nipi i një
zyrtari të lartë. “Të them të vërteten nip a çar e ka, kanë të bëjnë siç kam
dëgjuar” vijon ai, duke shtuar se “Erdhi ai drejtori i Bilishtit një ditë këtu,
jo na vër në dijeni se ç’i tha. Po ik ore i thashë, nuk të vë në dijeni. Jemi
të lidhur me atë ne” përfundoi punëtori.

Kamera e Fiksit filmoi edhe një
furgon duke u ngarkuar natën me dru.