Dënohet hakerja e ushtrisë shqiptare

507
Shefja e Sektorit të Mbrojtjes Kibernetike në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes AISM, në Ministrinë e Mbrojtjes, ka hakuar kompjuterin e drejtorit të kësaj agjencie duke kopjuar gjithçka që ai kishte në kompjuter.
Ky veprim përveçse alarmoi drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes, pasi ishin thyer masat e sigurisë kibernetike, në agjencinë, që duhet të garantonte të dhënat kibernetike të Ministrisë së Mbrojtjes, që është edhe pjesë e NATO-s, ka sjellë edhe dënimin e hakeres Elfrida Bardhanjori me 18 muaj në shërbim prove.
Kjo e fundit, duke qenë shefe e sektorit të mbrojtjes kibernetike, ka shfrytëzuar serverin e agjencisë për t’u futur ilegalisht dhe kopjuar të gjitha të dhënat në kompjuterin e drejtorit të AISM në Ministrinë e Mbrojtjes.
“Kam marrë gjithë informacionin që ndodhej në kompjuterin e Drejtorit të Përgjithshëm me qëllimin për t’i bërë kopje të gjithë informacionit që ky drejtor dispononte, meqenëse për të kishte dalë urdhri i largimit nga detyra”, ka thënë Bardhanjori.
Pasi ndërhyrja kompjuterike është zbuluar, e pandehura Bardhanjori ka fshirë të gjithë informacionin e kopjuar si dhe logfilet nga kompjuteri i saj. Nga ekspertiza kompjuterike e kryer për këtë rast ekspertët nuk kanë mundur dot të përcaktojnë se çfarë materialesh janë kopjuar nga kompjuteri i Drejtorit të Agjencisë se Inteligjencës dhe Sigurisë.
Ndërsa gjykimi i shkurtuar nuk lejon deklarimet e të pandehurës në gjykim, pasi procedohet direkt me konkluzionet përfundimtare. Nga ana tjetër, burime nga Ministria e Mbrojtjes kanë deklaruar se nga rasti në fjalë nuk janë kopjuar apo shpërndarë materiale me karakter sekret, as të ushtrisë shqiptare dhe as të alencës e NATO-s, ndërsa nuk kanë specifikuar natyrën e informacioneve që janë kopjuar në mënyrë të kundërligjshme.
Sigal