Dëmet nga tërmeti në Durrës, banorët në portestë: Pa përgjigje nga bashkia

168

Me zbutjen e masave kundër Covid-19, banorët në Durrës i janë kthyer shqetësimit për banesat e tyre të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Paraditen e së mërkurës, banorët e dy pallateve të dëmtuara në Shkozet të Durrësit kanë protestuar mbi fatin e shtëpive të tyre, për të cilat nuk kanë ende asnjë përgjigje nga autoritetet.

”Kemi frikë të hyjmë në banesë, po bashkia nuk na ka dhënë asnjë përgjigje. Ajo është konstatuar si e pabanueshme, DS4. Nuk banojmë këtu dhe dritat i paguajmë. Ne kërkojmë që të merren masat e të na japin përgjigje. I kam fituar me djersë, duke punuar në Greqi dhe sot nuk del leku”,-tha një banorë.

Kurse një tjetër, thekson se ”Edhe pallati im është i dëmtuar dhe më kanë thënë të dal jashtë. Është prishur nga bodrumi që rri në ujë. Dy katet e para janë të pabanueshme. Kërkoj një komision specialistësh që të vijë të verifikojë. Muret e komshiut janë çarë nga krahu i bizneseve”.

Për shkak të dëmtimit strukturor godinat janë shpallur paraprakisht të pabanueshme dhe familjet përfitojnë bonusin e qirasë. Në bashkinë e Durrësit sqarojnë se këto pallate janë në listën e 1050 objekteve për të cilat është kërkuar ekspertizë e thelluar nga Instituti i Ndërtimit, nga i cili pritet dhe vlerësimi përfundimtar.