“Delegacioni” shqiptar në Oscar 2020

63

Filmi shqiptar “Delegacioni”, me regji të Bujar Alimanit, skenar të Artan Minarollit dhe interpretimin e Viktor Zhustit, Ndriçim Xhepës, Xhevdet Ferit etj., do të përfaqësojë Shqipërinë në garën e madhe për Oscar 2020.

Lajmi është bërë me dije nga ambasada shqiptare në Francë, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thuhet se bashkëprodhimi Shqipëri/Francë/Greqi, i cili përfaqëson Shqipërinë në “Oscars 2020”, do të shfaqet në kinematë franceze duke filluar nga data 22 korrik.

Edhe ish-ministra e Kulturës, Mirela Kumbaro e ka ndarë lajmin e mirë në rrjetet sociale, duke shprehur vlerësimin për të gjithë protagonistët e këtij produksioni, veçanërisht për ata që sot nuk janë më, si regjisori Artan Minarolli dhe aktori Xhevdet Feri.

Triller politik që zhvillohet në periudhën e fundit të diktaturës komuniste. “Delegacioni” është një film sa njerëzor aq edhe historik, portret i një Shqipërie dramatike në vigjilje të nisjes së rrugës drejt lirisë.

Më 1990, në një krahinë të largët të Shqipërisë, një të burgosur politik e transferojnë papritur dhe pa arsye drejt një vendi të panjohur. Automjeti që e transporton pëson defekt në rrugën në mes të maleve. I burgosuri hyn në bisedë me dy shoqëruesit e tij, besnikë të partisë komuniste.